Kosto tjetër e autostradës së re
RUBIK. Ministri i Transporteve Spartak Poçi ka reklamuar tjetër shifër, që duhet për të financuar rrugën e re tip autostrade Durrës-Prishtinë, duke thënë se kjo shifër e kalon shumën e 600 milion eurove. Ai nuk ka dhënë detaje nëse bëhet fjalë për një rrugë vetëm dykalimshe apo katërkalimshme. Sidoqoftë, praktikisht edhe në pjesën e nisur, vetëm në një pjesë të vogël, traseja është hapur rreth 22 metra për katër kalime nga xhenio e ushtrisë, ndërsa në pjesën që nis nga Munazi, ku është “asgjësuar” dhe rruga ekzituese e trenit, traseja është hapur vetëm 11 metra, që përkon me vetëm dy kalime. Sidoqoftë, duket se llogaritë e kësaj rruge nuk janë bërë mirë që në fillim dhe se financimi është thembra e Akilit, për të hyrë në fazën e punimeve në stil të gjërë dhe jo si deri më sot, që vetëm sa dhëmbëzohet ndonjë pjesë e butë! Poçi ka thënë se sigurimi i fondeve është problem mjaft i vështirë, ndërsa ka thënë se tratativat për financim me B. Botërore thuajse kanë përfunduar dhe pritet fillimi i punës për ta atakuar rrugën gjithandej nga Miloti në Rrëshen. Problem mbetet segmenti Rrëshen-Kalimash, e cila do t'i jepet me konçension firmës gjermane Strabac, ky sgement kushton 352 milon euro, por ka siguri më të mëdha financimi, për faktin se Strabac është në “joint venture” me Raifaissen Bank. Për pjesën tjetër Kalimash-kufi, përflitet se janë të interesuara Emiratat Arabe, të cilat po punojnë në aeroportin e Kukësit, ka përfunduar ministri i transporteve, duke siguruar se së shpejti do të fillojë riveshja e rrugës ekzistuese, me fonde nga buxheti i shtetit, që tashmë i kemi alokuar, për t'ua bërë kalimin më komod pushuesve kosovarë për në vendin amë.
Poçi gënjen për inspektimet
Në një inspektim të rrugës Rrëshen-Rubik, asaj ekzistuese, e cila është shkatërruar në pjesën më të madhe nga ujërat e ndenjura dhe mosveshja e saj prej vitesh, Spartak Poçi, premtoj lëvrimin e një fondi për riveshje, ndërsa i pyetur nga media lokale, se cili ishte qëllimi i kësaj vizite të papritur, ai tha se ndërmjet të tjerash kishte në axhendë inspektimin e punimeve në autostradë, pikërisht në segmentin e ri ku pu punonte xhenio. Por ministri, pasi piu dy kafe, një në Rubik dhe tjetrën në Rrëshen dhe hëngri një drekë po këtu, as që u kujtua të devijonte 1 km rrugën për të shkuar tek xhenio, atje ku po e prisnin mekanizatorë, ushtarakë e punëtorë të tjerë, të cilëve prej 3 muajsh nuk u ishte paguar puna e tyre! Nga burime të Ministrisë së Mbrojtjes, mësohet se ministri Majko e ka firmosur prej kohësh një shkresë për lëvrimin e 120 milion lekëve, dhe se kjo shkresë prej disa ditësh ndodhet dhe në tavolinën e ministrit Poçi, por ai ende nuk e ka vënë firmën mbi të. Arsyet, i di vetë ministri, shprehen burimet, tërësisht të pakënaqura me qëndrimin neglizhues që po mban Poçi dhe qeveria ndaj kësaj rruge, dhe xhenios së ushtrisë, e cila ka marrë përsipër ta ndërtojë segmentin e parë me kosto fare të ulët, 60 për qind të vlerës që do të duhej për firma dhe kompani private të tenderuara.
Zoti Poçi, mos gwnjeni kaq hapur!...
Nuk ka se si t'i thuhet ndryshe një ministri, i cili nuk e ka për gjë të gënjejë ditën për diell, dhe për më tepër të të duket si shenjt, kur nëse je gazetar, laviret të të përdridhet nëse i bie në të hilesë së tij. Sa herë e kemi dëgjuar këtë udhëheqës të transporteve, të premtojë pafund dhe pastaj të justifikohet po pafund. Vjen në një takim e të thotë njëmijë fjalë të mira për këtë apo atë rrugë, asgjë nuk bëhet dhe përsëri vjen e të fut „kalamenen“, për të të bindur se e ka njëmend kësaj rradhe. Dhe për çudi, në fytyrën e tij „tw pafajshme“, nuk lëviz qoftë dhe një muskul për rrenën që ta lëshon m'u aty në mexhlis. Dhe ti budallaj, që je vënë përballë një premtuesi rrufjan, e ha sapunin për djathë. Na ka takuar disa herë ta intervistojmë këtë njeri për mbrapshtirat që kanë sjellë firmat mirëmbajtëse për rrugën Milot e deri tutje në Fushë Arrës, ka premtuar se „për veshi do t'ua sjellë ato për të përmirësuar gjendjen!...“, por sa ka ikur, ka gënjyer paturpësisht dhe rrugët kanë vazhduar të groposen si mos më keq. Erdhi dhe herën e fundit e tha deri në përbetim se në maj fillojnë punimet për riveshjen tërësore të rrugës nga Rubiku në Rrëshen, që është mbushur tërë gropa, por as që u duk më këndej, iku prilli, po ikwn dhe maj. Tha se kam ardhur të inspektoj punimet e autostradës, por as që e vuri këmbën atje, tek ushtarët e lënë jetim, pa pagë, pa financim, pa projekte, thua se janë ushtarët e Haxhi Qamilit! Tha se do të ndërhyhet këtu e atje, por më pas ia mbathi për t'iu lavirur elektoratit në një zonë, me siguri të ndërruar nga paraardhësja, diku larg kësaj rruge e rrugëve tona, që na i la në mjerim të plotë. Mjerë ata nëse u del deputet! Këtë njeri, nuk e brejti asnjë shej ndërgjegje, edhe kur në Fushë Arrës humbën jetën 14 nxënës të Kosovës, pa le më të merrte masa për rregullimin e pikave të zeza, siç quhen ato, për të vënë bordure etj. Ky njeri, edhe sikur të gremiset e tërë rinia e këtij vendi a mosha të tjera, me siguri nga sa veproj për rastin në fjalë, nuk do t'i bjerë ndonjëherë ndërmend për rrugët. Kush dreqin e mban atë ministër ?!...
Re.Mi
Komisioni parlamentar heton në terren “taksën Majko”
RUBIK. Anomalive të ndeshura në vijueshmërinë e punimeve në rrugën e re, të quajtur si koridori i Veriut, atë Durrës-Kosovë, i është përgjigjur me një inspektim edhe komisioni parlametar i ngritur posaçërisht për hetimin e destinacionit te taksës Majko, që është mbledhur enkas për këtë rrugë. Kryetari i këtij komisioni deputeti Preç Zogaj, ka shkelur në terren për të parë punën që është bërë këtu nga brigada e xhenios, dhe arsyet përse nuk është avancuar më tej, madje, ka patur edhe ndërprerje për arsye të mosdonatimit nga ana e qeverisë, pikërisht të asaj takse, që bisnesi ka mbledhur për këtë aks të rëndësishëm kombëtar. Zogaj ka qënë i shoqëruar nga ushtarakë të lartë të batalionit të xhenios dhe kryebashkiaku i Rubikut, Mark Ruçi. Duke para javashllëkun e treguar dhe ekzagjerimin e kohëzgjatjes së pakuptimtë në kryerjen e segementit Milot-Rubik-Rrëshen, Zogaj ka kontaktuar punëtorët dhe drejtuesit e punimeve aty. Ai është shprehur për Shekullin se kam ardhur për të përmbushur detyrën e caktuar nga komisioni parlamentar dhe për të evidentuar saktësisht se ku ka shkuar “taksa Majko” dhe përse ajo nuk është materializuar në destinacionin për të cilin kanë paguar shqiptarët. Konstatoj se brigada e Xhenios së ushtrisë ka punuar me përkushtimin e duhur, por nëse ato do të kishin pasur mbështetje dhe nuk do t'u ishte ndërprerë financimi i përcaktuar, ata do të kishim ecur shumë larg prej këndej, madje sipas premtimit traseja e kësaj auostrade, të paktën tani kur po afrohet dyvjetëshi i fillimit të punimeve, do të kishte shkuar të paktën në Rrëshen. Janë grumbulluar 46 miliardë lekë për këtë rrugë, ndërsa deri më tani, për çudi, janë shpenzuar vetëm 140 milion lekë, ose 4 përqind të shumës së mbledhur!. Ku ka shkuar fondi?! Asnjë konfirmim zyrtar nuk ka për këtë çështje. Ne po hetojmë dhe pas 10 ditësh do të dilet me një raport të hollësishëm për këtë çështje, ku dhe si është përdorur ky fond, ka thënë Zogaj.
Taksa Majko, kundërpërgjigjen ministritë
TIRANË. Ministria e Financave dhe Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioneve i janë përgjigjur menjëherë Komisionit Hetimor për rrugën Durrës-Kukës, sipas njoftimit zyrtar të tyre, duke i dhënë me detaje dhe duke mos lenë shteg për abuzime me shifrat e mbledhura dhe të ruajtura në buxhetin e shtetit. Te ardhurat e mbledhura nga Taksa e rruges Durres-Kukes jane 4.6 miliarde leke. Keto te ardhura jane administruar ne llogarine e unifikuar te thesarit, Depozita e Qeverise ne Banken e Shqiperise, llogari ne te cilen grumbullohen te gjitha te ardhurat e buxhetit te shtetit. Per shkak te mosperputhjes ne kohe te arketimit te takses me kryerjen e shpenzimeve, si rezultat i kohes se nevojshme per hartimin e projektit te zbatimit per ndertimin e kesaj rruge por edhe faktoreve te tjere teknike, perdorimi deri tani i ketyre te ardhurave eshte si me poshte: Viti 2002: Studim projektim ne segmentin Milot-Reshen 14.5 milione leke Viti 2003: Banka Boterore 794.000 USD
Projekti per segmentin Milot-Reshen 39 milione leke
·Viti 2004: Studim-projektim segmenti Kalimash-Rexhepaj, 33 milione leke;
Rexhepaj-Morine 45 milione leke
Supervizion punimesh segmenti Milot-Reshen 2.7 milione leke
Ndertim rruga Milot-Rreshen ne shumen 142,5 milione leke
Viti 2005, jane filluar procedurat e prokurimit per:
Vazhdimin e ndertimit te segmentit Milot-Reshen 120 milione leke
Studime e projektime 10 milione leke
Shuma totale e financuar ose alokuar deri tani eshte:
Financim i Huaj 794 000 Dollare;
Financim nga buxheti 406 .7 milione leke.
Qeveria eshte e angazhuar per ndertimin e kesaj rruge, e cila kushton disa here me shume se te ardhurat e mbledhura nga kjo takes, vazhdon më tej njoftimi zyrtar. Per te siguruar ndertimin ne nje kohe sa me te shpejte ajo eshte e angazhuar ne gjetjen dhe perdorimin edhe te instrumentave te tjere, sic jane financimet e huaja apo format koncensionale te ndertimit.
Punëtorët e xhenios së ushtrisë 3 muaj pa rroga
RUBIK. Ndonëse ka 3 muaj që kompania e xhenios së ushtrisë po punon në një segment të ri të rrugës autostradë Durrës-Kosovë, në vendin e quajtur Munaz, asnjë prej 80 punëtorëve, mekanizatorëve e të tjerë efektiva nuk është paguar. Këtë e konfirmojnë vetë punëtorët, të cilët nuk kanë dëshirë t'u përmendet emri, ndërsa drejtuesit e ushtrisë, nuk pranojnë të prononcohen për këtë problem, edhe pse u ka ardhur në majë të hundës nga kërkesat e vazhdueshme të punëtorëve të atyshëm, që punojnë me orar të zgjatur për vijimin e kësaj rruge në drejtim të Rrëshenit, por që nuk paguhen.
Vetëm premtim, asnjë lekë për xhenion
Ajo që iu premtua kompanisë, që punon këtu, për t'a financuar me 120 milion lekë, mbeti thjeshtë një gënjeshtër, ndërsa shënohet si konflikt i ashpër më 26 tetor 2004, ai në mes të ministrit të mbrojtjes Pandeli Majko dhe ministrit të Transporteve Spartak Poçi në sy të Kryeministrit Nano, lidhur me fondin e derdhur për llogari të këtij koridori nga taksapaguesit shqiptarë, për të cilën Majko ka kërkuar që të lëvrohet menjëherë. Debati u shua me sarkazëm nga ana e kryeministrit, që kishte ardhur në një brifing të organizuar në breg të lumit Fan, ku po mbaronte segmenti i parë 4,5 kilometërsh, i nisur që prej dy vitesh, dhe që sipas premtimeve në fakt duhej të kishte mbaruar i tërë segmenti deri në Rrëshen. Këtë ka kërkuar dhe ministri Majko, i cili i pati argumentuar kryeministrit Nano, se të paktën për aksin nga Miloti në Rrëshen, apo atë Kalimash-kufi, nuk kemi patur nevojë për financim të huaj, pasi e mbulonte taksa e mbledhur. Por ka qenë ndërhyrja e Pocit, që e pati acaruar situatën, ndërsa Majko ka këmbëngulur në kërkesën e tij për ta lëvruar fondin, duke argumentuar se xhenio e ushtrisë i ka të gjitha kapacitetet për ta përfunduar këtë trase, pa qenë nevoja për ta tenderuar nëpër kompani private, madje me një kosto shumë më të ulët, duke kursyer 60 përqind të preventivit të saj. Nga mungesa e financimit, është ndërprerë puna në këtë rrugë, ndërsa drejtuesit e ushtrisë gjenden përballë presionit të mekanizatorëve, punëtorëve e teknikëve, të cilët prej 3 muaj nuk kanë marrë asnjë dyshk për punën e kryer, edhe pse ata i kanë tejkaluar normat me dy e trefish. Janë dhe civilë të tjerë të zonës që janë marrë në punë me shpresën se do të fitonin dicka, por dhe këta kanë mbetur me gisht në gojë. Sipas disa burimeve, mësohet se mekanizatorët, nëse nuk do të paguhen së shpejti, kanë vendosur ta braktisin punën, ndërsa bie në sy heshtja e makinerive të rënda në trasenë e autostradës, që sipas mekanizatorëve, nëse do të kishte patur financim, do të kishin ecur disa kilometra më tej.
Punimet e xhenios, disa të dhëna
RUBIK. Sipas specialistëve të xhenios, që po zbatojnë projektin, janë 6,5 kilometër rrugë, për të cilat buxheti i shtetit ka dhënë 120 milion lekë të reja, për të bërë trasenë e kësaj rruge në një volum pune prej 150 mijë m3 dhera dhe 100 mijë m3 mbushje, dhe ku traseja ndryshe nga pjesa e parë që përkonte me segmentin Skuraj-Rubik, do të jetë vetëm 11 metra e gjërë, së bashku me kanalet anësore 12 metra. Prej 7 ditësh forcat e xhenios kanë mundur të hapin rreth 800 metra trase, një avancim shumë më I shpejtë se sa në nisje, kur për 4,5 km rrugë, u desh afati nga nëntori i 2003 deri në dhjetor të vitit 2005. Në segmentin e parë 4,5 kilometërsh u lëvizën 344 mijë m3 dhera dhe 39 mijë m3 mbushje, ndërsa tabani i rrugës i kalonte 23 metrat, pasi aty u la dhe traseja hekurudhore. Ndërsa në segmentin e dytë, sipas kërkesës së Bankës Botërore, një kusht dhe për financimin, ishte heqja e linjës hekurudhore dhe përshtatja e trasesë për tabanin e rrugës së re, çka do të thotë një kosto e pjesëtuar gati për dy! Por problemi më i vështirë duket se mbetet pjesa nga Rrësheni në Kalimash, ku do të jetë dhe një tunel në hyrje të Sangut të Fanit, pjesë kjo që thuhet se i është dhënë me koncension kompanisë gjermane Strabac, por që deri tani, nuk është gërmuar as dhe një metër vend, edhe pse thuhet se për këtë rrugë, të paktën dykalimet e para, të bëhen sa më shpejt.
Hekurudha, si mall pa zot...
RRËSHEN. Edhe pse u bë problem në shtypin e shkruar dhe në media, grabitja galopante që po bëhej në shinat dhe aksesorët e tjerë të hekurudhës së abandonuar Milot-Rrëshen, për afro 25 kilometra, një nga linjat hekurudhore më moderne të vendit, e projektuar në standartet e fundit ndërkombëtare, duket se çdo gjë vazhdon të b1erë në vesh të shurdhët. Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës dërgoj një brigadë për zmontimin e disa aksesorëve, të quajtur ndryshe pjesë lëvizëse të hekurudhës, që punuan disa ditë, mbushën ndonjë makinë të tonazhit të lehtë, dhe u zhdukën prej këndej nga sytë këmbët. Në fakt, që në ditën e parë të punës, kur ata po zmontonin bullonat dhe vidat e pjesë të tjera të vogla, në pyetjen që iu bë për shinat dhe traversat e hekurudhës, se ç'do të bëhej me to, ata thanë se nuk është pjesë e detyrës së dhënë, dhe se për ato nuk dijmë gjë. Nga sa kemi vëzhduar, gjithandej trasesë së hekurudhës, shihen shina të hedhura, ndonjë që ka mbetur ende pa u grabitur (sigurisht dhe këto në rradhë për ditët e mëpasme), dhe qindra e mijëra traversa të një cilësie shumë të lartë, të gjitha të betonta me nje ele në mes si lidhëse. Sipas specialistëve, vetëm njëra nga këto traversa, kushtojnë 5 mijë lekë të reja, ndërsa grabiten vetëm për t'iu hequr elen e mesme, e konvertuar në para, 2 mijë lekë të vjetra e shitur për hekurishte! Edhe xhenio e ushtrisë për të cilën u tha se do t'i lëvrohet një fond i caktuar nga qeveria për mbartjen e shinave dhe dërgimin e tyre pranë magazinave të hekurudhës, duket se është tërhequr nga puna, pasi nuk i është lëvruar as fondi për vijimin e punës në autostradë. Kësisoj hekurudha vazhdon të mbetet e askujt, dhe për më tepër kur në trasetë e kalbura të Durrësit, një tren me disa vagona doli nga traseja.
|