Imzot ZEF SKANA 
Lindi në Mashtërkor më 6 maj 1889. Ishte veçse 11 vjeç kur fillon mësimet në seminarin Papnor të Shkodrës. Pas përfundimit të tij, me përkrahjen e Abat Doçit, vijon studimet universitare në Romë për teologji dhe shugurohet meshtar. Pasi çon meshën e parë atje kthehet në atdhe, ku Abati i Mirditës e emëron ndihmësin e tij e më pas kapelan. Në viti 1915 shkon famullitar në Kaçinar, ku qëndron 10 vjet, pastaj, duke filluar nga viti 1926, famullitar në Fanë deri në fund të jetës së tij, 30 mars 1943
Krahina e Fanit ndër më të mëdhatë e Mirditës me një terren të thyer e të hapur kërkonte meshtar energjik e të zellshëm dhe Dom Zefi i kishte këto cilësi. Ndërtoi kishën e Shën Markut me përmasa 32x16 metra, më e madhja e dioqezës. Si punë të tij përmenden dhe kisha e Trojlit, kisha e Xhuxhës, rrethimi me mur i varreve të Fanit etj. Prifti i palodhur i famullisë së Fanit, dekan i zonës, këshilltar i Abacisë, ndikoi shumë në zgjidhjen e problemeve sociale, si faljen e gjaqeve etj. Vepra e tij prej 17 vjetësh në atë vend do të vlerësohej në 25 vjetorin e meshtarisë, kur Papa XI do ta nderonte me titullin e lartë, Monsinjor , dekoratë që Abati Frano Gjini do t'ia dorëzonte në ceremoninë e organizuar në Orosh më 13 prill 1938. “Ishte hera e parë që Abacia e Mirditës kishte fatin me pas në gjirin e vet një Monsinjor ”, shkruante një revistë e kohës.
Dom Zef Skana mbante titullin doktor në filozofi e teologji. Ai kishte botuar shkrime të karakterit historik etj. Vlerësohej si një intelektual i ditur. Natyrë opozitare, figurë popullore, atdhetar dhe kishtar i zoti. |