Virgjna, si u vra nga gjermanët... Virgjnat këto burrnesha të dramave të mëdha
nga Gj. Marku MIRDITË. Në përkujtimin e 60 vjetorit të Çlirimit të Vendit, më e veçanta ngjarje ka qenë dhënia e titullit Dëshmor i Atdheut, në mes të 13 banorëve të fshatit Gëziq, që u masakruan nga gjermanët në tetor të vitit 1944, edhe një virgjne (virgjëreshë), që u vra nga gjermanët me idenë se para grykës së automatikut kishin një burrë zakoni vendas me tirqë, xhamadan e qeleshe. Edhe pse historinë e saj e njohin mirë në fshat, askush nuk e përmend se u vra një grua, pasi edhe në dokumentacion, edhe në zakon dhe tagrin që jepte kanuni vendas, ajo nuk quhej më “ajo”, por një ndër burrat drejtues të shtëpisë së Vorfajve të Kalanjanit, ndër më të fismit e të respektuarit e odave të burrave, pikërisht Gjergj Biba. Në momentin kur është vënë për t'u vrarë me dy të tjerë, ajo është pandehur nga ekzekutorët gjermanë si një burrë i zakonshëm vendali, duke e parë nga veshjet, e ecura, zëri dhe qëndrimi burrëror para pushkatimit.
Historia e virgjnës “Gjelë-Gjergja”
Njeriu që na e rrëfen ngjarjen e rrallë quhet Ndue P. Biba, është plot 99 vjeç, mbahet ende i fortë. Kujtesa shkon larg ndër vite, aty nga 1920-ta, kur Gjela P. Biba, një vajzë e zakonshme e fshatit Gëziq, mbetet jetim me fëmijët e tjerë, pasi i vdes babai në moshë fare të re. Më pas i vdes dhe vëllai. Nuk ishte ve çse 7 vjeç dhe tragjeditë e ndodhura, kishin fiksuar në mendjen e saj të jetuarit si virgjën (grua-burrë), në vitet e mëpasme, për të rritur jetimët e mbetur. Këtë gjë mund t'ia kishte shprehur ndonjë të besuari qysh asaj kohe kur ishte fëmijë.
Vite më vonë, rasti e kishte sjellë që dy ungrejas nga një krahinë e Lezhës, të shkonin në kullën e Vorfajve për të kërkuar dorën e njerëzve të shtëpisë, pikërisht për Gjelën. Babai i kishte vdekur dhe vëllaj 7 muaj më parë. Ajo, me sa dukej, kishte marrë një amanet tek varri i tyre, kujtojnë bashkëkohësit.
Gjela nuk e dinte se mysafirët e ardhur po kërkonin shkuesi për martesën e saj me një njeri të tyre. Kunata, ose siç thirrej “gjyshja e madhe”, ishin pjesëtare në atë kuvend mes miqsh, dhe prej saj pritej dhënia e fjalës për Gjelën. Plaka e urtë, para se të thoshte fjalën, qiti sebep për të rënë poshtë në katin e parë në “odën e robëve”, siç quhej asokohe. “Gjelë, -i thotë, -ata miqtë sipër kanë ardhur për ty”. Si?!-, foli ajo, dhe pa një pa dy, u ngrit, shkoi tek një arkë rrobash, nxori që andej takëmet e vëllait, u vesh me tirq, xhamadan, vuri kapuçin e bardhë në kokë, ngjeshi nagantin 6-sh italian në brez, dhe u ngjit në katin e tretë të kullës tek oda e burrave. “Tungjatjeta!,-iu drejtua miqve. Ju keni ardhë për mue?! Më vjen keq që jeni lodhë, por unë nuk jam nuse për ju dhe për askënd, që sot jam burrë dhe do të rris fëmijët e mbetur jetim në këtë kullë! Juve ju qoftë rruga e mbarë, nëse mësoni se unë jam martuar, jua kam borgj, dhe plumbin e kam hallall…”.
Kaq tha Gjela-burrë, dhe u largua prej aty. Miqtë u rehatuan dhe fjetën atë natë aty, pastaj u ngritën, u përshëndoshën me njerëzit e shtëpisë dhe shkuan joprishaqejf për në shtëpitë e tyre. Që nga ajo natë për Gjela Bibën nisi një histori e re, e të qenurit burrë, marrja përsipër e kryerjes së punëve të një burri, me gjithë çfarë njeh tagri i kohës për të.
Një virgjën zot shtëpie
99 vjeçari rrëfen gjithë historinë e Gjelës, që më vonë u thërrit me emrin Gjergj, kështu për më se 16 vjet. Ajo bënte të gjitha punët, që kishte një zot shtëpie. Që të nesërmen ajo iu fut punëve të rënda, ngiste qetë, merrej me ruajtjen e bagëtive, shtegtonte me ditë të tëra për pazare larg shtëpisë dhe katundit, që në Shkodër, Lezhë a gjetkë, merrej me bluarjen e drithërave tek mulliri, etj.
Gruaja e kushëririt Dila F. Biba, sot mbi 80 vjeçe rrëfen për virtytet, veshjen dhe sjelljen e saj. Gjithnjë vishej si burrë, shkonte nëpër dasma e morte dhe rrinte, kuvendonte me burra në odat e tyre, dhe kurrë nuk guxonte ndonjëri të thoshte emrin e saj të hershëm, por vetëm Gjergj. “Mbaj mend njëherë, -thotë ajo, kur po ktheheshim nga Lezha me misrin e blerë, u ulëm të pushojshim afër Urës së Fanit, kur njana nga gratë e fshatit, i thotë “a qohena, motërke!”. U xhindos, nxorri patllaken dhe i tha të mos e përsëriste më këtë gjë. Burrë tjetër i fshatit nuk guxonte t'ia thoshte këtë gjë, ishte e sertë, të vriste. Ne të shtëpisë e thërrisnim “lalë”, ndërsa gratë e fshatit “lala Gjergj”, burrat i thërrisnin me emrin e saj Gjergj dhe fëmijët “lal Gjergji”. Pirja e duhanit të fortë në kuti dhe çubuk të vjetër, kishte sjellë trashjen e zërit, ndërsa në fytyrë dukeshin ca rrudha, paçka se tiparet femërore, jo të gjitha i kishin ikur nga nuri i saj i mëparshëm. Dukej me nje gjoks të bëshëm dhe për të mos rënë në sy për grua, dimër verë mbante xhurdi leshi.
75 vjeçari Jak Tuci, e mban mend atë tek stani me berre, ishte çobaneshë e shkëlqyer dhe kuvendtare me masë, me një vështrim të kthjellët. Jaku thotë se ajo që na bënte përshtypje ne fëmijëve, ishin mungesa e mustaqeve, megjithëse dukej se ishte një “burrë” i pashëm, me flokë të prerë, kësulën e rrasur në kokë, ku binte në sy naganti i bukur, por dhe një pushke “nepseje”, që e mbante vazhdimisht në krah. Ishte tmerri i hajdutëve, dhe askush nuk guxonte të prekte në tufën e bagëtive a pronën e kësaj familjeje…
Gëziqi, “një Borovë e dytë”…
Gëziqi njihet si një urë lidhëse e rëndësishme nga Tirana-Milot-Rrëshen-Shpal, për të vijuar në drejtim të Kosovës. Kjo ishte kthyer në një nyje të rëndësishme për dy palët luftuese, partizanët dhe gjermanët. Vetë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë kishte dhënë urdhër të goditeshin forcat gjermane në kalimin nga Gëziqi, ndërsa në tërheqje për nga veriu i vendit ishte korpusi XXI gjerman, komandanti i tij kishte urdhëruar që të mbahej e hapur me çdo kusht rruga Milot-Rreshen-Shpal-Pukë, e cila ishte e vetmja rrugë nëpër të cilën mund të sigurohej tërheqja e forcave në drejtim të Veriut të Shqipërisë.
Në luftën e Gëziqit ranë në fushën e betejës 22 partizanë, kryesisht nga Jugu i vendit. Po në këtë luftë u vranë e masakruan 13 banorë të fshatit si Frrok Ndre Marku, Gjergj Preng Biba, Gjet Dod Bardhi, Gjela Mark Gjoni, Gjet Dod Prenga, Mara Pjetër Bardhi, Mara Llesh Doda, Mrika Gjet Doda, Llesh Dod Prenga, Ndre Gjok Gjeta, Nikoll Vorf Cara, Preng Dod Bardhi e Vorf Preng Biba. U dogjën më shumë se gjysma e shtëpive të banimit, së bashku me qelën e kishës së Gëziqit.
Lufta e Gëziqit që zgjati 6 ditë, në datat 20-26 tetor të vitit 1944 ishte një nga luftërat më heroike të brigadave VII e XXII sulmuese. Ajo përbën një nga betejat më të përgjakshme që zhvilluan forcat e divizionit II në veri të Shqipërisë.
Gëziqi i vitit 1944 vjen si shesh lufte dhe beteje të përgjakëshme dhe në kujtimet e njërit prej oficerëve gjerman (drejtues i divizionit 279 të ushtrisë fashiste), që luftoj në Gëziq, konkretisht të oficerit Herman Frenk, i cili mes të tjerash pohon se “... ushtarakët gjermanë tashmë mendojnë se asnjëri nuk ka më shpresë të dalë i gjallë nga Shqipëria ...”. Dhe duke vlerësuar luftimet e zhvilluara në territorin e Mirditës, e cilëson atë si njërën ndër më të përgjakshmet e më të vështirat luftëra të zhvilluara nga ai dhe formacionet ku ai bënte pjesë në territorin e Shqipërisë”.
Vrasja e virgjnës nga gjermanët
99 vjeçari Ndue P. Biba, duke risjellë në kujtesë tërë skenën e asaj dite tetori, rrëfen se gjithçka nisi, kur në afërsi të shtëpisë erdhën dy partizanë, duke më kërkuar që t'u jepja disa hunj gardhi dhe dru të thata për të bërë një zjarr të madh që t'i vihej urës lidhëse në rrugën që kalonte për në Shpal. Kjo punë duhej bërë shpejt pasi për çerek ore gjermanët në një kolonë të madhe ushtarësh dhe mjetesh do të ishin aty, flitej për 1000 a më tepër. Vumë hunjtë e tharë poshtë urës, pasi ishin shtylla druri, që mbështeteshin mbi dy këmbë muri guri, dhe ikëm prej andej. Partizanët u ngjitën në kodër dhe u zhdukën, ndërsa unë u ngjita tek kulla, ku gjendej nëna dhe virgjna, Gjergji.
Sapo mbërritën gjermanët, panë se ura kishte marrë zjarr, u ndalën. Nga një makinë e vogël ushtarake zbriti një oficer madhor, i cili po shikonte vendin se nga ku mund të hapej një shteg për autokolonën. Në këto momente një krismë u dëgjua nga maja e një kodre, ndërsa si pa ndierë oficeri madhor ra përtokë i vdekur. Partizani kishte qëlluar në shenjë. Gjermanët, nuk bënë asnjë manovrim, nuk qitën asnjë pushke, morën oficerin e vrarë, e vunë në një makinë dhe u kthyen mbrapsht për t'u stacionuar 2-3 km më poshtë në një “qafë kodre” afër shkollës, thuasje në mes të fshatit. Më pas ata fillojnë masakrën në fshat dhe djegien e shtëpive.
Mbaj mend se një patrullë prej katër gjermanësh vjen nga sipër kullës, dhe zbret në oborr, ata kishin marrë një fshatar, që e kishin zënë, pastaj hynë në shtëpi dhe kur panë virgjnën “Gjergjin”, të veshur me tirq e xhamadan, duke e pandehur për burrë, e morën me vete, pastaj dhe kushëririn tjetër Vorf Bibën dhe të tre i zbritën poshtë afër fushimit të tyre, duke i futur në një tendë ushtarake. Aty Vorfi, i cili dinte ca fjalë gjermanisht, u thotë se do të na pushkatojnë, sepse u kemi djegë urën. Virgjna-Gjergji, u lutet, “ju të dy nëse keni mundësi ikni, unë nuk mundem, ndjehem i lodhur!”. Disa minuta më pas gjermanët i vënë të tre rrëzë një gëmushe, dy prej tyre ikin, ndërsa virgjna rri në vend, dhjetra plumba derdhen në drejtim të tyre, virgjna vdes në vend, Vorfi mori 6 plumba në gjoks ndërsa i treti iku me një plagë në gisht. Vorfi mundi të largohej disa kilometra, dhe u gjet nga një bari vetëm pas një muaji kërkimesh.
99 vjeçari rrëfen, se ditë më pas morëm virgjnën dhe e futëm në dhe, ndërsa për 1 muaj kërkuam Vorfin, që t'i shtinim të dy në një varr. Pasi e gjetëm, e morëm e dërguam në varr, bëmë ceremoninë mortore, duke vënë teshat e tyre, në oborr, dhe më pas bëmë gjithë ceremonitë tek varrezat. Sot në ca pllaka të mezidukshme në varrezat e fshatit afër kishës janë pranë e pranë të dy të masakruarit e kësaj lufte, Vorfi dhe gruaja-burrë, Gjergj Biba, ashtu si dhe 11 fshatarët e tjerë, që më së fundi shteti u kujtua t'i shpallte “Dëshmorë të Atdheut”.
99 vjeçarit i ka mbetur merak se nuk ka mundur të ruajë si relike nagantin e virgjnës, të cilin nuk ka pranuar t'ia dorëzojë gjeneral Gjin Mark Tomës, por vetëm Bardhok Bibës, disa vite pas Çlirimit të Vendit, kur u kërkua dhe dorëzimi i armëve.
Virgjën. Përse?!
Historia e virgjnave në Mirditë është nga më të vjetrat, por dhe më interesantet. Nuk mbahet mend saktësisht qëkur e ka fillesën, por të paktën, aty nga fillimi i shekullit të kaluar, janë të shënuara “virgjnat” e Mirditës, nëpër fshatra. Dikujt i thirrej me emër, tjetrës me emër burri, apo dhe simbol vendi, “virgjna e iks fshati”. Poeti popullor Jak Tuci, në një bllok të vjetër, ka të shënuar tërë emrat e tyre që nga Gjela (Gjergja) P. Biba, Ruta Ded Vila në Kaçinar, Prena N. Gjokës, Malaj, Mrika Brunga nga Shtufi, Margjel Përjakja nga Ungrej, Mrika Qefalia nga Vrithi, Dila F. Lleshi nga Klosi, Mrika N. Nikolli, Dava Gj. Kola nga Malaj, Gjela N. Nikolli nga Fregna, Dila F. Kola nga Shëngjergji etj.
Secila prej tyre mbart një histori të rrallë. Gjithsesi, dhe këtu ekzistojnë “ndarjet”, thotë studiuesi Ndue Dedaj, një kategori virgjne “më e butë”, që nuk është dukuri përfaqësuese. Ndërsa kategoria e atyre, që e kishin sjellë motivin e të qenurit virgjën dhe të veshurit si burrë, si një protestë tek vetja, kur ngjiste t'u prishej një terezi martese, t'i vdiqte i fejuari apo një histori e papritur ishte më e veçanta. Psikologjia popullore e ka pranuar këtë fakt dhe vetë kisha prej motesh, gjithashtu.
Shumë prej këtyre grave “burrnesha”, që e kishin bërë me be në kishë se “sa të ishte jeta me jetu nuk do të martoheshin”, e kishin privuar veten nga të qenit grua, nënë. Dikush se në gjini kishin mbetur familje e paburrë, apo kishte jetima, dikush se “familja e kishte dhanë për nuse në shtëpi jo të denjë”, etj, etj.
Kategoria e të veshurave burrçe, natyrisht, ishte kategoria më madhështore, madje çuditërisht, pas disa viteve, dukeshin tamam si burrë edhe në fytyrë, sidomos në krahinën e Dukagjinit. Por Jak Tuci, thotë se ato ishin dhe të bukura. Mbaj mend Prena Ndue Gjokën, sot do të ishte një “miss”, me pamjen e bukur e fisnike dhe shtatin selvi. Në kishë virgjna e veshur si burrë rrinte në të djathtë, tek ana e burrave, dhe sa hynte brenda përshëndeste: “Njatjeta juej, burra!”, ndërsa gratë ndejoheshin në anën tjetër.
Historia e virgjnës së Shtufit
Të hulumtosh në jetën e një virgjne, është një “hon” i thellë. Për secilën syresh mbartet një dramacitet zor i tregueshëm dhe epicitet njëherësh. Një prej tyre është dhe historia e virgjnës Mrika Brunga nga Shtufi i Kaçinarit. Jak Tuci spjegon se ajo kishte vendosur të mos martohej dhe të bënte rolin e shërbëtores tek vëllai i saj, prifti dom Prend Brunga. Të gjithë e thërisnin “Virgjna e Shtufit”. Lidhet me këtë dhe një nga historitë më tronditëse të kësaj zone, në anën tjetër të këtij fenomeni, historia e një nuseje të re, që vdiç hipur mbi kalin e nuses, rrugës për tek shtëpia e dhëndërrit. Ka mbetur si legjendë “Legjenda e Nuses së Shtufit” dhe është përjetësuar në këngë elegjiake vdekja e saj tragjike. Vajza e re do të dilte nuse, ditën e caktuar nga palët e prindërve, të djalit dhe të vajzës, dhe kjo datë për asnjë arsye nuk ndërrohej. Ditën e dasmës, vajza që do të dilte nuse qëlloi të jetë shumë e sëmurë. Megjithatë, prindërit e vunë mbi kalë me rraqet e nuses dhe duvakun all të kuq mbi kokë, u nisën krushqit nga Shtufi për në Kaluer. Por në vendin e quajtur përroi i Kalurit, tek Muri i Shmetrës, nusja ishte sëmurë rëndë dhe kishte dhënë shpirt nën duvakun e kuq. Aty sot gjendet dhe varri saj. Mbahet mend se ndër të tjerë, para se të vdiste kishte përmendur dhe virgjnën, emtën e saj. Ndërsa poeti popullor e ka vënë në vargun brilant epiko tragjik:
Mrikës virgjën, emtes s'eme
Mos t'i dhembet vdekja eme…
Ndërsa, po përmes vargjeve të një kënge, që u transmetue ndër brezni, për këtë veprim të pamend “qortohet” tan fshati:
Të tan Shtufi janë mbledhë n' kuvend
Si me e ba këtë punë pa mend
Me qit vajzën tue dek të ligë
A s'ka vjeti tjetër ditë?!…
Në vend të epilogut
Historia e virgjëreshave në malësitë e Veriut është e veçantë dhe ka një misticitet të çuditshëm, që shpalos jo vetëm një zakon nga më të veçantët, por epjen tejnatyrale të njerëzve të këtyre viseve për të mbijetuar edhe kur një familjeje i shuheshin burrat e shtëpisë. Historia e mësipwrme, dhe gjithë historitë e virgjnave të Mirditës, që janë histori të vërteta, të rralla për nga soji, por të pranuara krejt natyrshëm në këto vise me anën njerëzore të shfaqjes, të dukjes dhe të fenomenit, nuk janë gjithaq ekzotike, si fjala vjen në trajtesën që i bëhet nga regjisorë të huaj në filma enkas për këtë fenomen. Historia që ju sollëm më sipër, e Gjela (Gjergja) Bibës nga Gëziqi, mbase do të ishte shumë joshëse për regjisorin kanadez Nikolas Kinsey, për të marrë nje jetë reale fare të pastisur në “histori virgjëreshash në botën e çuditshme shqiptare”, ku “gruaja-burrë” pi duhan, vesh rrobat e një burri, mban kësulë dhe flet me zë të trashë, pak ngadalë dhe me shumë maturi, një grua-burrë, që nuk e heq pushkën nga dora, etj, etj.
Dhe një detaj, mbi virgjnën, pavarësisht se vishej si burrë, kurrsesi nuk mund të merrej gjaku i shtëpisë, gjë e përcaktuar dhe me kanun, paçka se ngjiste, që ndonjëra të organizonte marrjen e gjakut të një prej gjindjes së shtëpisë. Virgjna fiksohej në memorien e njerëzisë si diçka e shenjtë.
Por, a dashuronte virgjna?!...
Ca (?!) të mëdhaja duhen shënuar këtu, Ndue Dedaj në novelën e tij Dashuri në Kullën e Ngujimit , tregimi “ Burri-grua ”, e ka “zhvirgjëruar virgjnën me mullicakun”, por sidoqoftë në tregim, histori me jarana nuk tregohen as nën zë, paçka se Dedaj, thotë se me tregimin e tij, e ka sjellë virgjnën e kamoçme në kohët moderne…
|