Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni: Art-Kulturë -> Ndue Kaza -> Trimëria

TEMAT

  Veçoritë psikologjike

  Besimi

  Bujaria

  Përjetimet

  Trimëria

  Besa

  Psikologji

  

  Art-Kulturë


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

“Ata e kanë për turp të vdesin vetiu, por duan

të vriten në luftra të mëdha”

Mirditori trimërinë e ka konceptuar si një shfaqje ose shpërthim ku dimensionet e tolerancës arrijnë kulmin, prandaj populli thotë: nuk durohet ma, është kufiri ku interesat morale, materiale janë prek seriozisht dhe lind nevoja e mbrojtjes ekstreme, me të gjitha mjetet e mundshme, “Mirdita me të vërtetë ka qenë trimëreshë e dheut, i Arbërisë fis i kryekreut” këtë vlerësim ka bërë për këtë trevë Risto Siliçi.

Mirditorët kishin krijuar një përvojë të madhe ndër vite në luftë kundër pushtuesve. Do të përmendim këtu shtatëmbëdhjetë vjet radhazi luftë ku Blinishtajt u patën bërë ballë sulmeve të pareshtura të ushtrisë sllave të asaj kohe. Apo luftën kundër pushtuesve osman në të cilën luajtën një rol mjaft aktiv. Ata mbështetën dhe çuan përpara kryengritjet kundër pushtuesve në pjesën veriore të Shqipërisë së atëhershme dhe në shkallë rajoni.

Imzot Marin Bici në relacionin e tij drejtuar Papës, pasi ka vizituar Mirditën shkruan se..... “Njerëzit e këtyre vendeve për herë kanë qëndruar në liri, pa i'u nënshtruar Turqve, me të cilët kanë luftë të vazhdueshme.... Shumica e njerëzve ecin këmbëzbathur qoftë mbi gurë, qoftë nëpër tokë”.

Mirditori ka qenë kurdoherë gati të mbrojë lirinë e tij, nderin, të drejtat që ka patur prej stërgjyshërve të tij, për të mos lënë në duart e tjetrit rregullimin e ndonjë ofendimi që i është bërë - ka shkruar vizitori i dikurshëm i Mirditës Stavri Frashëri.

Një forcë të madhe qëndrese u jepte atyre krenaria dhe dashuria për vendin e tyre, prandaj edhe sakrificat për lirinë janë të panumërta. Ato nuk njohin cak dhe përgatitja individuale psikologjike për këtë gjë të duket se gatuhej me qumështin e nënës dhe me bukën e përditshme:

 

“Në qoftë se n'pritë ti ke me ra

Si shpend mali ke me u ba

Si shpend mali me fluturue

Fjala e zotit të ka bekue”

 

“T'kapi pushkën e t'ngrej zanin

E t'luftojë me mbrojt vatanin”

..............................................

“Jam Mirdita që la nam

Që lash nam, or, tuj luftue

Treqint huta m'pan rrethue”

 

Këto këngë veç mesazheve të forta që përcjellin, paraqesin jo vetëm një dëshmi reale për vlerën e vëmendjen që i kushtohej ndjenjës së trimërisë dhe detyrimet e çdo individi ndaj saj. Por trimëria duket se u jep një vlerë të veçantë, e cila njihet e vlerësohet edhe nga krahinat e tjera, prandaj Degrand thotë:“në këngët e vendit kur vajtohet një betejë e humbur, heronjtë e rënë, për dështimin e pësuar, ia venë fajin mungesës së mirditorve në rradhët e tyre”.

Rendi i luftëtarëve ekziston këtu krahas rendeve të tjerë, ai është profesion si të gjitha mjeshtëritë, sepse tek mirditorët mercenarizmi është i panjohur dhe nuk ka asnjë rast të jetë aplikuar megjithëse çdo burrë në moshë të caktuar mban armë dhe janë njerëz shumë trima.

 

“Jam mirditor nuk bij në dorë,

Kam pasë t'parin shpatë mizore

Hajt Mirditë ta dhashtë Zoti

Të bajmë luftë si nep zakoni”

Është mjeshtëri lufta dhe një ndër më të spikaturat e aftësive të tyre, prandaj pjesëmarrja në to ka ardhur dukë u kthyer në profesion, e cila shpjegon edhe sukseset në betejat e shumta.

Në ndërgjegjen e mirditorve liria konceptohet si e drejtë për të jetuar pa i ndërhyrë kush në familje, në pronë, në fe dhe në jetën e tyre. Këto gradualisht u përpunuan dhe krijuan një sistem vlerash e normash të pranuara nga të gjithë të cilat krijuan lidhje e rrënjë të thella në psikologjinë e njerëzve. Këto tipare të qenësishme si: qëndrueshmëria, durimi, guximi, vetëmohimi u bënë pjesë dhe pronë e karakterit të tyre.

U kultivua vetëbesimi, vetëvlerësimi dhe papajtueshmëria me shkeljen e dinjitetit. “I. B i cilëson mirditorët “trima, të patrembur, të pamshirshëm, të kënaqur me pak, mikpritës ... kryelartë, me vetëbesim dhe liridashës; të lidhur pas truallit të vet, pas familjes, sepse vetëm atje gjejnë mbrojtje”.

Janë të shumtë mirditorët, të cilët kanë krijuar mite dhe janë përjetësuar në këngë e gojëdhëna që transmetohen brez pas brezi. Kjo përbënte edhe një vlerë që përfytyrohej e ngulitej në kujtesën e brezave për të imituar e ndikuar në formimin e tyre.

Jeta në luftë është perceptuar si diçka “normale” që nuk prishte ritualin e saj, një detyrë që do të kryhej nga gjithësecili si çdo punë tjetër. Duket disi e habitshme, por asnjë mirditor në asnjë rrethanë, sado e vështirë të ketë qenë ajo, nuk është dorëzuar i gjallë.

Nxitimi apo ndonjë aventurë asnjëherë nuk është lavdëruar, besa, bujaria dhe trimëria janë harmonizuar.

Për këtë populli shprehet: “kush ka besë e bujari, asht i veshun me trimni”. Trimëria pa mençuri e humb kuptimin e vërtetë të saj. Ajo kthehet në aventurë, prandaj në çdo hap të hedhur vihet re maturia.

Referencat historike për trimërinë e kësaj krahine na largojnë nga objekti, por nuk mund të lemë pa theksuar se trimëria e ka zanafillën në botën e pasur shpirtërore, në krenarinë, atdhedashurinë e këtij populli. Në të gjitha momentet historike luftëtarët mirditorë kanë qëndruar heroikisht. Ata e kanë shfaqur kudo trimërinë, duke e shoqëruar edhe me cilësi të tjera të larta të karakterit.

Në sprovat e luftës për mbijetesë u farkëtua vetëdija kolektive e mijëra njerëzve që u flijuan sipas detyrimit “burrë për shtëpi”. Ndoshta këtë ka parasysh Imzot Doçi kur thotë ... se janë vlerësuar si më të vlefshmet në luftë...

Nëna mirditore i drejtohet të birit: armën mbaje me mend se aq sa ka grykën, ka nafakën. Nderi me çdo çmim do ruajt e për të s'duhet të dhimset jeta. Ky ka qenë gur i palëvizshëm qëndrese ndër breza.

Këto përcaktime që në të kaluarën, janë vlerësuar me të drejtë, njëkohësisht edhe me superlativa, në kohën tonë kanë nevojë të revizionohen. Është po kaq e vertetë që mentalitetet po evolojnë, por ka edhe mjaft shfaqje atavike, të cilat manifestohen në momente gjaknxehtësie, mospërmbajtje, nxitimi, veprime për hir të zakonit për të qënë i pamposhtur etj që dalin jashtë kontrollit të arsyes dhe prodhojnë krime.

Kemi jo pak shembuj të freskët që për hiçgjë individë të ndryeshëm janë kriminalizuar, duke u kujtuar për çmimin e këtyre veprimeve me vonesë.

Mirditori ka sedër. Askush nuk u largua tek kroi i Shllezhdërit; as nga Nënshejti, as nga vend a pritë, pavarsisht nga rreziqet që u paraqiteshin.

Kur pashai i Janinës, i nxitur nga instikti i hakmarrjes u kërkoi mirditorve që ishin në shërbim të tij që të thernin tetëqindë kardhiqiotë të ngujuar në kala; ata me trimëri e guxim iu përgjigjën: - jemi ushtarë e jo kasapë, jepju armë këtyre burrave dhe na do të luftojmë.

Prengë K. Ndoji, i Oroshit, megjithëse kishte marrë shumë plagë në trup në luftën e Durrësit, kur e pa flamurin që kishte rënë përdhe dhe në atë gjendje të rëndë që ishte e mori dhe ia dha bajraktarit. Ky i fundit i tha: -mbaje ti, -jo iu përgjigj, -unë e mora që të mos bjerë në dorë të të tjerëve.....

Nga biseda me njerëz të moshave të ndryshme në kohën e sotme ekzistojnë këto opinione për trimërinë: Trim është ai që vdes për Atdheun, ai që i del zot shtëpisë, vendit, që nuk i ik të keqes ... që nuk i dorëzohet i gjallë kundërshtarit, ai që nuk ia shkel kush kamën; trim nuk është ai që vret dhe që është rrezikqar, por ai që ruan nderin e i këndohen këngë për së gjalli, trimi e ndan vetë gjyqin.

Konceptimi i trimërisë bëhet e trajtohet si rezultante e patriotizmit, urtësisë e mençurisë. Kjo duket se është mjaft e ngulitur në psikologjinë e njerëzve, e cila verteton edhe faktin se të gjitha sakrificat njerëzore janë bërë me ndërgjegje të plotë për ideale të larta.

Perceptimi i luftës për liri si një zanat nga më të vlefshmit është realizuar me vetëdije duke marrë përsipër çdo rrezik, prandaj janë të shumta familjet që të tregojnë e numërojnë këtë apo atë paraardhës të tyre i cili ra heroikisht nën thirrjen e detyrimin “burrë për shpi” e që as varri nuk u është gjendur.

Heshtja e dhimbjes për këta ka qenë e gjatë dhe i është nënshtruar kurdoherë interesave kombëtare. Kjo ndoshta i ka dhënë edhe njëfarë ashpërsie shpirtit e përgjithësisht karakterit të mirditorëve.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net