Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni:Art-Kulture-Studime Kulturore-Riti i rrallë

TEMAT

  Riti i rrallë

  Virgjnat, këto burrnesha...

  Letërsia Shqiptare

  Barra e vrame

  Balada e nuses së vdekur

  Ditari shqiptar i Barcatës

   Roman për kauzën artistike

  Ditët e fundit të Moisiut

  

  Faqja Kryesore


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Riti i sjelljes me të vdekurin si i gjallë. Një nga ceremonialet e rralla mortore në Malësinë e Veriut. Një foto e vitit '44 e dëshmon këtë

Foto e rrallë e një riti të rrallë



Fotoja që paraqitet përbri këtij shkrimi, është ndër të rrallat, e realizuar para 60 vjetësh nga një fotograf amator. Ajo sjell imazhin e një nga riteve më të rralla në Malësitë e Veriut. Është realizuar nga djali i të vrarit për gjakmarrje, që paraqitet në foto, ulur si shtatore në karrike. Nikollë Gjinali, asokohe studenti i Seminarit të Jezuitëve të Shkodrës, pikërisht në janar (kallnduer-mban shënimin origjinal) të vitit 1944, ka shkrepur disa herë aparatin, pasi është kthyer prej Shkodre, në familje, pas 12 vitesh. Fotografi amator, vizitor i përhershëm i “Foto Marubit” e që u kishte rënë në sy vetë Marubëve të famshëm për pasionin ndaj këtij zanati, përtej dhimbjes që ka patur, pasi e kanë lajmëruar për vrasjen e babait, një burrë në zë i krahinës së Kaçinarit të Mirditës, ka fokusuar një nga ritualet më të rralla, që fshati, miqësia, të afërmit, iu bënin në ceremonialin e përcjelljes “për të mbramen” këtyre lloj burrash. Tetë foto, aq sa mbante filmi, në aparatin e seminaristit, kanë dhënë këto pamje të papërsëritshme. Flitet se qarkullon dhe një foto tjetër e këtij lloji, e realizuar nga një morte në Gjomarkaj aty nga viti 1946, rit që nuk u përsërit më, por që nuk gjendet, për t'u publikuar.


Si në elegjinat e Tribulit

 


Në studimin e tij “Vajet dhe vajtimoret e Mirditës”, studiuesi i njohur vendas Ndue Dedaj, i mëshon faktit të përmendur në hulumtimet e kahmoçme të studiuesve më të zëshëm të vendit dhe të huaj, se vajet e Mirditës janë aq karakteristike sa janë përfshirë në një masë të madhe në korpusin e Visareve të Kombit. “Mirditorja qan thekshëm, shënohet aty, që të ban me kujtue disi poetët e motshëm; elegjinat e Tribulit e ma mirë të grekëve të vjetër”, me “të bërtitmen e saj mbi të dekunin me një za të thekshëm, që e ka prej natyre me i dhanë vajit të vet at' poezi të dhimbshme”. Vajtimoret e Mirditës, kanë qenë përmendur, ashtu si dhe Burrat e Dheut. Ato kanë krijuar një opus të shkëlqyer të folkut elegjiak që vijon dhe sot e asaj dite të mbijetojë në kohët moderne.
Poezitë, meloditë zanore, interpretimi virtuoz, kanë kërkuar vajtimore të zgjedhura, me dhunti të dhëna, ndërsa element i këngëvajit ka qenë dhe kori, një formacion unikal vajtojcash që e gjenin vendin dhe rendin, pa u drejtuar nga muzikantë, dirigjentë apo regjisorë. Kënga e vajit të mirditores, është vajtim dhe jo e qarë, aty loti është i padukshëm. Duke vështruar dhe njërën nga fotografitë e mortes në fjalë, shihen vajtojca që në një ditë të tillë, sillen si “princesha”, me fustane të bardha e shami të zeza, tamam si në një mision, ku loti “fshihet” brenda shpirtit dhe jo në sy. Zotësia e rrallë për të poetizuar aty për aty, flet gati për një talent.
Marrësja e këngëvajit ishte kryekëngëtarja apo solistja. Zakonisht pritës ishte kori i 10-15 grave, vendosur në gjysmërrethore anash të vdekurit. “Ky kor, -shkruan Çabej,- përsërit në distanca ritmike të shënuara refrenin e vargjeve, që këndon solo një grua, që i prin korit, refreni është koral dhe lirik. Ligjet përbëjnë një nga pjesët më kryesore dhe më të bukura të poezisë popullore të shqiptarëve. Trimat e vdekur përmenden me zemër dhe lartësohen poetikisht, duke ngjalluar kultin e tyre. Momenti psikologjik në një situacion poetik të tillë është prania shpirtërore e të vdekurit; kulti i heronjve, pothuaj e bën trimin e vdekur të ngjallet rishtas…”. Studiuesi Dedaj, thotë që nëse në mjaft vaje të zonave jugore, i vdekuri (burrë), zakonisht portretizohet si “trim”, në vajet e Mirditës, burri i këtyre anëve, përgjithësisht është “gjyqtar i venue”, çka do të thotë se “zanati” kryesor i malësorit të kësaj ane nuk ka qenë pushka e trimnia (pa e zbehur këtë), por gjykimi i çështjeve, kuvendi, urtësia, dhe mençuria. Trimëria mund t'i lypej njëherë malësorit, kurse mençuria (gjyqtaria) i duhej dita me ditë. Kjo përmasë që e përcjell dukshëm kënga, duket se është e ndërlikuar me praninë e kanunit, pleqësisë, kuvendit, vetqeverisjes. Është vërtet interesant të depërtosh në “poezitë” e vajtimoreve, ku duket një nderim absolut i të vdekurit. Për të flitet vetëm mirë dhe nëse ai kishte qenë një njeri jo fort i mbarë, në ditën e përcjelljes kërkohej në gjërat pozitive të jetës së tij. Madje edhe nëse vdekja kishte ardhur për shkak të ndonjë turpi, më e shumta heshtej, por keq nuk flitej as nën zë. Por, natyrisht, kjo nuk e ka penguar autoritetin absolut të vajtimores mirditore, të cilin ia jep kënga për të vënë në dukje me takt ndonjë cen a pakujdesi të të vdekurit.


Fotoja e ritit të rrallë


Ndër vajet më të spikatura janë ato që lidhen me doke e rite të vdekjeve prej vrasjeve të gjakmarrjes. Ja ku kemi një rast të tillë. N.N, burri i vendosur në karrike, ditën e vdekjes, nga një fshat i Kaçinarit, një ndër burrat “më të squet të vendit të vet”, thuhet asokohe për të, kishte rënë prej kohësh në gjak dhe siç rrëfejnë të afërmit e tij të moshuar, “qe fshehun tanë jetës si gjarpni me krye nën gurë”. Nata më natë, e dita me ditë, i vihej pritë për ta vrarë. Disa prita iu vunë në Vig, plumba i vërshëllyen për rrëzë të veshit edhe në prita të tjera, por ai u shpëtoi për mrekulli.
Nikolla, djali i të vrarit, tashmë 85- vjeçar, rrëfen se tri ditë para se me e vra, erdh dikush me e thirrë për pleqni në një fshat të kësaj krahine. Tre ditë iu lutën se vetëm ai mund ta mbyllte atë ngatërresë me urtinë e tij, e ai pranoi ditën e tretë. Tui la drita vendin shkoi fshatin gjiton, ku ishin pleqtë, banë pleqninë, dhe më pas u nis për në shpi të vet. Rrugës në kthim e pikasën, prita të tana iu zunë në një vend; dikush thotë dy e dikush dhjetë të tilla. Aty afër një sheu ku kalonte një vijë uji që lagte arat e katundit, vinte një luginë, kund 100 metra thik nalt. Ky vend i ngjante një gavigji të madh ku mund të mbytej njeri me gur tuj e rrokullis prej së nalti, jo ma me pushkë. Sapo vuni kambën në at' luginë, u dëgjuen dy pushkë, pastaj dhjetëra të tjera, e zuni një plumb në bark, pastaj një tjetër në gjoks. Mundi me u përgjigj në afërsi të një hurdhe të përroit, dhe pasi një plumbe e mori në qafë, mundi me qit për të fundit herë me pushkën dhjetëshe, pastaj s'pati ma forca, për të rënë në ujë me shtatin e tij sa një trung mali. Atje ndë ujë ndejti gjithë ditën deri sa në darkë, shkuan ta merrnin dhe askujt nuk i besohej se ai nuk ishte gjallë, me livoren në dorë ngreh, sikur “ka po qet…prej atyhit!...”. E morën në vigj dhe e çuan në shpi, e lanë, e ndërruen dhe e vunë të “gjallë” në karrike për të pritur për të fundit herë njerëzinë e fshatit dhe miqësinë.
Riti zbatohej rrallë, i vdekuri duket që është veshur mirë, si të jetë një dhëndërr a të nisej dikund për krushk dasme, me rrobën karakteristike krahinore. Armatosej si në të gjallë, me livore (revole) në brez e pushkë të gjatë në krah, dhe ashtu i stolisur, vendosej në një karrike me krahë, e gdhendur me ornamente. Këmbë mbi këmbë, me kësulën e bardhe në njërin sy, mustakët e përdredhur, sytë çelë dhe cigaren në dorë e vesh, ai paraqitej krejt si i gjallë. “Fliste” me ata që kishin ardhur ta përcillnin për në varr, “u shtrinte” kutinë e duhanit. Vajtimoret, si duket “të pakënaqura” nga qëndrimi ndenjur i tij, gjatë natës së rojes, aty pranë vatrës, i kërkonin përmes vargjeve poetike të tyre që “t'i jepte paksa shtatit dhe të ngrihej në këmbë”, pasi atë e prisnin punët, gjyqet që do të ndante në katund e krahinë, ato punë, që ai i kishte lënë përgjysmë.
Pas një nate mes miqsh të zemrës, dashamirësh, shokësh, aty brenda, në mëngjes, burri i “gjallë” i vdekur, do të “dilte” në oborr po në karriken e mbështetur pranë murit, i rrethuar nga kori i vajtimoreve. Pikërisht këtë moment ka fokusuar Nikolla, asokohe, seminaristi 21- vjeçar. Ashtu i ngrirë ai do të pozonte për të gjithë deri sa do të vinte çasti të ngjitej në vigj. Tashmë mund të thuhej se ai kishte “vdekur” me të vërtetë, pasi rrinte shtrirë si gjithë të vdekurit.

 

Rrëfen 85 vjeçari. Historia dhe momentet e fotografimit

“Që shpirti i të dekunit të shpëtojë sa më parë prej purgatorit”
85- vjeçari Nikollë Gjinali, edhe pse mbahet me vështirësi, rrëfen, si të ishte para 60 viteve, ajo ditë kallndueri 1944, kur shkrepi aparatin për të fiksuar këtë rit të rrallë të vdekjes, pavarësisht se i takoi të ishte i ati, një baba i shkëlqyer, sipas tij, dhe një “gjyqtar e azgan i krahinës”, siç janë të shënuara vargjet e poezive të vajtimoreve të asaj kohe. Nikolla, bashkëstudent me Loro Boriçin, nxënës i Mjedës dhe i Fishtës, rrëfen, se ishte në Seminarin e Jezuitëve të Shkodrës, shkollë që e kishte nisur në 1932, dhe prej atij viti nuk kishte qenë në shpi në fshat, kur djali i motrës së Gjon Mark Gjonit e lajmëroi për këtë gjëmë të zezë, që i kishte ndodhur në shtëpi. Duke përshkruar nisjen nga Shkodra për në mort tek shtëpia, thotë se mban mend se që nga Shkodra erdhëm për në Vaun e Dejës, me një makinë-taksi, që në vend të naftës, në një furrë digjte dru zjarri. “Më pastaj na përcollën në besë katund pas katundi deri sa erdhëm në fshatin e lindjes.”
Ja si e përshkruan rastin konkret, ceremonialin e mortes, kur vete në shtëpi: “E diel 23 kallnduer. Tuj le dielli, u hangër buka e rojës. Më pas qitën të dekunin jashtë n'oborr dhe e lanë në karrige si me kenë t'uj shkue krushk. Afër tij i vunë petkat (rrobat) në dërrasë: fistan, brez, tallagan, qorapë, pushkë, rryp fisheksh e te kësula fotografinë e tij. U banë gati teshat para se të nisej i dekuni. Kam pa tuj kja s'pakut 1000 vetë, kur erdhën njerëzit që pak orë më parë u kishte da gjyqin, në kuvend, kjanë aq fort sa mue kje tuj m'ra t'fiket. Qajshin fmi, të ri, burra e pleq! Qëndrova sa qëndrova e ma pas nuk mujta ma, s'mbrami u largova shpijet tuj marrë kopshtnijet e arat, por prap se prapë ajo pamje, trupi i babës mbi karrike m'tërhiqte fort për syrin e fotografit. Ktheva rishtas, vendosa ta fotografoj, ishte një pamje që nuk përsëritej ma.
N'oborr ishte ba popull i madh. Deri sa erdhën miqësija e largët, babën po e kjanin bijat e të afërmit. Ndërkaq filluen me ardh miqësija e largët. Jehonte shpati andej dhe këndej prej brimës së burrave me xhurdi e vajit të grave. Ishin tuj ardhë udhësh të ndryshme katundet që nga Simoni, Kushneni, Kashnjeti, Gazulli, Kalori, Munega, Ungrej etj. Kur vijshin në oborr, vajtojshin pak e mandej burrat hyjshin në kullë ku pishin kafen e lejshin në vend të kiles së kafes, kush nji napolon, kush dy e n'jashtu. Granija pare nuk jepnin. N'jashtu banë deri sa erdh koha me nisë të dekunin tek vorret. Ishte ba gati vorri. Kur panë se miq e dashamirë ishin mbledh, n'jaty nga ora 11 e paraditës, u ul prej karrike e u lidh në vigj. Kjanë pa pafund. Sa u ba gati vigu, baba em N. N. u nis prej të dashunës banesë ku kaloi tanë jetën, u da prej së vetsh, ju dha të mbramen lamtumirë djelmve, kushërinjve, u dha të mbramen lamtumirë gjasë së gjallë, arave e pyjeve, që kishte punue me aq cenë. U da prej sosh për mos me i pa ma kurrë.
Në një shej vendit, në majë njaj mali, duket një panoramë fantastike: kodrina të bukura, Shkalla e Shtufit, Hurdha e Çelikut, ku u vra i mjeri. Gjithë sa qen shikjuen andej. Kaluem afër shpisë ku kishte le e s'mbrami iu afruem kishës. I vdekuni u la në oborr të kishës nën roje të 50 vetëve, te tjerët hynë në meshë, famullitari mbajti fjalimin e përmortshëm, ku ceku sidomos kobin e zi të shqiptarit, vëllavrasjen. Ju banë solikimet, ndërsa kisha ushtoj prej gjamve të 500 a ma vetëve. Mandej trupi i të vramit u qit ndër vorre ku për dy orë u kjajt prej granisë e gjama e burrave. Mbas dy orësh kje qitë n'arkë të vorrit, u salikue vorri; prindë, kushërinj e dashamirë i dhanë të mbramen lamtumirë me një të puthun në ballë. Në kët çast vajin s'mujt me e ndalë kush, deri dhe ata që nuk e deshën, kjajtën. Iu vue çarçafi i dekës, u mbyll kapaku i arkës e u ndienë të mbrambet e rrahuna të çekiqit e N.N u zhduk në vorr. U zhduk prej faqes së botës. Pushosh në paqë!...
Pasi u kthejshim në shtëpi, dhe faleshim me miqësinë e njerëzinë, kjahej për të mbramen herë. Ky vajtim ishte vërtetë i pikllueshëm, rëndojshin fjalët e vajtimoreve se “kur të vijmë këtu s'kena me të gjetun ma, ti që na pritshe me buzën në gaz”, “s'ke me na fol me gojtarinë e mësueme tanën...” Gjithë ditën vijonte vaji mbi teshat e të dekunit. Më pas vazhdon riti i faljes së teshave të të dekunit për fukaranë, që vinte me lypë. Natën e vorrit duhej me ba shumë lëmoshë, që shpirti i të dekunit të shpëtojë sa më parë prej purgatorit.

Epilog

Gjithë historia e rrëfyer nga djali i të vramit para 60 vitesh, është sjellë përmes këtyre 8 fotove origjinale dhe është një ndër visaret më të rralla që për fat të keq, nuk ekzistojnë askund të ruajtura në ndonjë institucion muzeal. Është një pasuri, më shumë se krahinore, që nesër pasnesër, do të vlente shumë më tepër se 100 kumtesa nëpër podiume, ato duhen vjelur e dërguar në vendin e duhur, të paktën si kopje.
Ndonëse shumëkund këto praktika vaji e të tjera, thuajse janë harruar, përgjithësisht në Viset e Veriut, vajet vijojnë ende të jenë stolia e vetme dhe e fundit e vdekjes. Gjithsesi, studiuesit thonë se vajet e këtyre viseve, ndër to dhe ato karakteristike të Mirditës, parë në ndërlidhni me doket, ritet e të tjerë, mund të shihen në këndvështrimin e folkloristikës, etnologjisë, historisë, gjuhësisë etj, si dëshmi e një kulture tradicionale të pandikuar, që vjen si një muze i gjallë vlerash në ditët tona, dhe, me sa duket, gjasat janë për t'u shtyrë më tej edhe në kohët moderne.

Gjergj Marku

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net