PSIKOLOGJI
ZHVILLIMI I PERSONALTETIT
Mesazhe…
Libri psikologjik, zhvillimi i personalitetit, përmban një material mjaft interesant. Stili i të shkruarit është i veçantë dhe tërheqës. Autori ka një përvojë nga një jetë pune, vëzhgimi e studimi në një trevë me tradita e doke të kultivuara.
Në këtë libër jepen mesazhe për prindër, mësues e nxënës, për bashkëkohës e breza që vijnë, për kapërcim të orientuar e të sukseshëm sfidash ndër tallaze të papritura.
Optimizmi duhet t'i karakterizojë gjithnjë njerëzit, ai duhet të jetë shoqërues i arritjeve në çdo fushë të jetës.
Me penela piktori paraqiten hovet e shpirtit e të trupit, nga një fëmijëri me rrethana nga më të ndryshmet e deri në zhvillimin e plotë të përsonalitetit me tiparet dalluese të tij që përkojnë ëmbël me karakterin e autorit.
Një punim origjinal, me reflekse nga eksperienca e gjatë, që formohet në procesin e jetës individualitete konkrete shpirtërore me natyrë të pavarur. Ky punim lexohet i shoqeruar nga një ndenjë e ngrohtë dhe nga një kuriozitet ngacmues për të papriturat që të rezervon, të cilat ndeshen në çdo faqe të tij.
Stadet e zhvillimit të personalitetit dhe problemet psikike që ngërthejnë, janë trajtuar me kulturë dhe të mbështetura në literaturën bashkëkohore. Duke hedhur idenë e guximit për të qenë të lirë, për të jetuar të lumtur, si çelës të arritjeve, nënvizohet fakti se jo çdo lloj guximi e sjell suksesin.
Kultura dhe eksperienca shumëvjeçare e autorit rreth problemeve psikologjike, që ai trajton, në plane të ndryshme, në librin e tij, u kanë vënë vulën e besushmërisë qëndrimeve të tij, por njëkohësisht kanë vlerë të madhe, për çdo individ që merret me edukimin e brezit të ri.
Profesor as. Doktor Sotir Rrapo
HYRJE
Në këtë libër bëhen përpjekje për të paraqitur një psikologji për të gjithë faktorët e interesuar në formimin e nje shoqërie të re. Prindërit, mësuesit dhe nxënësit do të gjejnë njohuritë themelore të zhvillimit dhe formimit të personalitetit. Lexuesi do të njihet me nje rradhë faktorësh përcaktues të lumturisë së tij. Vlerësimi i këtyre faktorëve sipas rëndësisë që kanë do t'i shpie njerëzit drejt identifikimit të sa më shumë rrugëve që sjellin lumturi dhe gëzim në shpirtin e tyre.
Në libër tentohet të jepet i përmbledhur “udhëtimi” jetësor i njeriut nga lindja deri në zhdukje, si dhe “stacionet” kryesore ku ai duhet të ndalet për të rimarrë energjitë e nevojshme për të vazhduar rrugën. Natyrshëm kuptohet se ky “udhëtim” do të jetë më i këndëshëm nëse rruga është e shtruar mirë dhe ngarkesat që mbartim janë të vogla. Në ndryshim nga makinat ose qeniet e tjera çdo njeriu i duhet të shtrojë vetë rrugën e tij. Nuk mund të ecin dy njerëz në të njëjtën “linjë”. Ky është fati më i madh, pasi përjashton të tjerët të shtrojnë keq apo të prishin atë që ai vetë ndërton. Nga ana tjetër të jeshë “ustai” i ndërtimit të rrugës së lumtur, megjithë dëshirën maksimale që ke, nuk është e lehtë.
Lumturia nuk mund të dhurohet nga jashtë dhe as nuk mund të blihet, por ajo mund të vijë nga krijimi i një sistemi zhvillimi shpirtëror e mendor. Lumturia si një shpresë e pandërprerë për njerëzit herë ikën e herë vjen, problematika e këtij libri vihet në funksion se si ajo mund të qëndrojë sa më gjatë mbi njeriun. Njeriu nuk ka pse të presë se lumturia mund të vijë, e ngarkuar nga fati, mbi një kalë të bardhë. Ajo rrjedhë vazhdimisht nën hundët tona, në lumin e ngjarjeve të vogla të përditëshme, nëse ne nuk e ndjejmë dhe përjetojmë atë, fajin s'ka pse ta kërkojmë jashtë vetvetes.
Tërësia e tipareve psikike të trashëguara dhe të fituara, që karakterizojnë një individ dhe që e bëjnë atë të veçantë, përbëjnë atë që është më e rëndësishme, mbi gjithçka që mund të ketë njeriu, personalitetin e tij. Në libër i kushtohet kujdes trajtimit të rolit të këtyre tipareve psikike të trashëguara dhe të fituara në formimin e personalitetit. Formimi i personalitetit bëhet gradualisht nën ndikimin e mjaft faktorëve. Natyrshëm që në këtë process, edukimi merr një rëndësi të vecantë. Pa marrë parasyshë prirjen e patjetërsueshme të njeriut për të qenë i veçantë nga të tjerët s'mund të realizohet kurrë edukimi siç duhet. Në mes të prirjes së individit për të qenë i ndryshëm dhe prirjes së edukatorve për të “rekrutuar” individë sipas tipareve dhe cilësive të tyre, lind kriza në proçesin e edukimit. Në libër jepen parimet kryesore të shoqërimit edukativ që duhet t'i afrohet fëmijës nga lindja e në vazhdim.
Problemet familjare, rinore dhe në përgjithësi problemet jetësore sot janë të pranishme më shumë se kurrë në mesin e njerëzve. Numri i “tragjedive” familjare është dita ditës duke u rritur. Marrdhëniet ndërpersonale gjenden shpesh në krizë. Lumturia e njeriut vihet disa herë në rrezik. Ndaj për trajtimin e të gjitha këtyre problemeve është e nevojshme për gjithësecilin zgjerimi i horizontit të psikologjisë njohëse dhe zhvillimore.
Autori
KREU I
DREJT NJË SHOQËRIE TË RE, QË RUAN DHE ZHVILLON
TRADITËN PROGRESIVE
Bota e fëmijëve është interesante
Ndër shumë dëshira dhe objektiva të jetës, çuditërisht, njeriu, thellë në shpirtin e tij, kërkon të jetë i pavdekshëm. Vetë kujdesi që tregon për lënien e pasardhësve, duket se shpreh këtë kërkesë të brendshme, jo thjeshtë natyrore për vazhdimësi, por edhe si dedikim për gjithçka ka mundur të bëjë në aktivitetin njerëzor. Tërheqja dhe nxitja për të trasheguar, është e lidhur edhe me idenë e mbrojtjes, jo vetem në kuptimin e kërcënimit nga faktorët e jashtëm, por edhe të nevojave për ndihmë e përkujdesje në përfundim të misonit jetësor.
T rajtimi i një problemi kompleks, siç është ky i zhvillimit psikik të fëmijës, që është edhe një objektiv modest i këtij libri, bëhet duke u mbështetur në shumë teori psikologjike dhe pedagogjike. Të gjitha këto duhet të merren me rezerva për të shmangur konfuzionin.
Psikologë e pedagogë që u përkasin këtyre disiplinave, kanë pasuruar me elemente politike dhe morale teoritë e tyre. Le të mendojnë e besojmë se një shoqëri më funksionale do të ishte e mundur të arrihej vetëm në qoftë se do të realizohej një zhvillim maksimal dhe i gjithanshëm i fëmijës. Nga kjo pikpamje, ky zhvillim konsiderohet si një burim i një shoqërie të re. Ekzistojnë jo pak studiues, të cilët besojnë se zhvillimi i gjithanshëm i fëmijës është forca morale e çdo shoqërie.
Ky konceptim ngjan si utopi, sepse pohimet e mësipërme vertetë janë të dëshiruara për t'u arritur, por në pamje të parë duken si të parealizueshme. Nëse nenvizojmë faktin se një individ i rritur sot, dje ka qenë foshnjë, fëmijë, adoleshent, është e domosdoshme të vlerësojmë më tepër etapën e parë të jetës, pasi ajo influencon e përcakton atë çka është më themelore, rritjen dhe zhvillimin e harmonishëm të personaltetit.
Shumë pak persona në moshë madhore sjellin ndërmend se dikur kanë qenë edhe ata fëmijë, moshë në të cilën individi ka kuriozitete të panumërta. Duket se disa gjëra që i rrethonin u rrëshqasin nga mendja. Ato kanë qenë ngjarje, situata, individë e gjithçka që i përket realitetit të shkuar.
Nga vëzhgime të mirëfillta, rezulton se bota e fëmijës mbështet mbi atë të të rriturit, mbi të njëjtat përmasa e madhësi. Kjo do të thotë se ai ka “pushtet” mbi hapësira që nuk janë të tijat, të cilat e detyrojnë që zhvillimi i tij shpirtëror në vend që të bëhet i njëtrajtshëm, të pësojë deviacione. Fëmija kërkon shpjegime dhe mbështetje në lidhje me të rejat me të cilat përballet dhe jo konfuzion, i cili shprehet në gabime në të vlerësuar.
Në filozofinë antike dhe atë moderne, por edhe nga gjykimet e psikologëve, mendja e fëmijës është konsideruar si një tabelë boshe. Në qoftë se është i vertetë ky pohim, atëherë në mendjen e njeriut mund të vendosim çdo gjë. Mirëpo materiali i trashëguar ndikon shumë, prandaj personaliteti është në fund të fundit një rezultante e ndërlidhjes dhe bashkëveprmit ndërmjet faktorëve të trashëguar me ata socialë.
Sa më e vogël të jetë distanca ndërmjet botës së të rriturit dhe botës së krijuar nga fantazia e fëmijës, aq më shumë do të ndikojë në formimin e tij.
Mendja e fëmijës thith dhe merr informacione të shumta nga kontaktet që ka në mënyrë të pavullnetshme, të pavetëdijshme dhe i përvetëson ato si imazhe të logjikshme. Kështu ai krijon të kuptuarit për botën që e rrethon. Në fillim kemi më shumë një shkëmbim midis mjedisit dhe fëmijës dhe më pas, në kohë më të pjekura, shkëmbim midis fëmijës dhe mjedisit.
Ndjeshmëria është ndër të parat veti që zhvillohet tek fëmija. Ajo sherben për njohjen dhe ndryshimin e mjedisit të jashtëm, duke prodhuar ndjeshmëri të reja. Fëmija komunikon me prindërit nëpërmjet emocioneve të sintetizuara në kapriçio, gjeste e të qara, por megjithatë shumica e tyre janë pozitive.
Në momentin, kur epërsia e ndjenjave zëvëndësohet me të folurit, me zhvillimin e logjikës, arsyetimi i fëmijës kalon në një fazë tjetër, duke bërë hapa gjigande. Kështu ai nis të bëjë pyetje të drejtuara rreth vetes e më vonë kundrejt të rriturve, duke pritur përgjigje që i përshtaten botës, në të cilën jeton. Nga këto bashkëveprime varet edhe formimi i personalitetit të tij.
Besimi dhe mosbesimi
Në moshën e foshnjërisë lind besimi dhe mosbesimi ndaj botës. Me ndjenjë besimi nënkuptohet besim ndaj vetes dhe sidomos ndaj atyre me të cilët bashkëpunon, pasi kështu krijohet ideja se ekziston një lloj përputhje midis nevojave të tij dhe atyre që e rrethojnë. Kjo ndjenjë besimi e lehtëson fëmijën për kapërximin më sukses të ngjarjeve negative dhe i shton sigurinë në vetvete.
Element i rëndësishëm është vendosja e një ekuilibri midis besimit e mosbesimit. Në qoftë se ky ekuilibër anon në favor të besimit, kemi përparësi në edukim dhe fëmija e ka më të lehtë hedhjen e hapave të tjerë.
Meqë po flasim per besim e dashuri ndaj vetvetes, vlen të përmendim shprehjen “Duaj tjetrin siç do veten”. Dostojevski thoshte, për këtë pohim, se duhet kuptuar në të kundërt, domethënë, mund të duhet tjetri vetem, nëse duhet vetja. Të mos na duket e tepërt apo e pavlefshme kjo thënie, pasi dihet qe harbutët do të hidhen duke pohuar se ç'është kjo filozofi, ne të gjithë e duam veten dhe nuk kemi nevojë për shpjegime. E lëmë në dorën tuaj analizën e këtyre mendimeve, por sado që të filozofoni, rrugë tjetër më të drejtë, s'do të gjeni.
Zhvillimi i mosbesimit në përmasa të vogla nuk është i dëmshëm, pasi ndihmon në dallimin e personave të besushëm nga të tjerët. Fëmija, për një farë kohe, bindet për faktin se është një individ, por e mundon pyetja se çfarë individi do të bëhet. Për këtë ai kërkon mbështetje tek prindërit dhe dëshiron të jetë si ata, sepse i duken të fuqishëm, të mrekullushëm. Po kështu ai bëhet i ndërgjegjshëm edhe për inferioritetin që zbulon në të gjitha fushat e jetës.
Një mekanizëm, i cili do të pasurojë dhe do të ndihmojë zhvillimin e një serë procesesh është ai i ballafaqimit, që nis të veprojë në jetën e fëmijës bashkë me njohjen e hapësirës së re jashtë familjes, kur hyn në kontakt me një realitet të panjohur dhe të paimagjinuar. Kuptohet që bëhet fjalë krysisht për realitetin shkollor.
Fillimisht ai jeton me vëllezërit e motrat, por, meqënëse nuk janë të së njëjtës moshë, tenton t'i konsiderojë ata si kundërshtarë, prandaj kemi edhe një raport pothuajse të tensionuar me ta. Kur fëmija shkon në shkollë, mëson eksperienca pozitive, të cilat i krijojnë idenë e një realizuesi. Ai ndjen se po bëhet zot dhe kompetent për çdo gjë. Në të kundërtën dështimet e bëjnë të ndjehet inferior dhe i padobishëm. Pavarësia është faktor pozitiv, ndërsa turpi e bën të ndjehet i zhveshur në sy të të tjerëve.
|