PRENG BIB DODA

Një nga figurat qëndrore të historisë së Mirditës. Princ i saj për një periudhë të gjatë, i biri i Bib Dod Pashës. Ka lindur në Orosh në vitin l860 në derën kapidanore. Ishte ndër krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit në vitin l878. Fishta do ta portretizonte me madhështi në kryeveprën e vet epike “Lahuta e Malcis”.
Qeveria turke e internoi për 19 vjet në Azinë e Vogël për ta mënjanuar nga roli i tij qeverisës në Mirditë. Krerët e Mirditës të nxitur dhe nga Prend Doçi i bëjnë presion, Portës së Lartë për lirimin e tij. Pas ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha, Preng Pasha kthehet nga internimi në vitin 1904. Ka udhëhequr Mirditën në kuvendet e kohës, në kryengritje kundër tukut dhe në pajtimin e gjaqeve. Pas shpalljes së Pavarësisë do të ishte nje emër me peshë në politikën shqiptare. Në vitin l9l8 merr pjesë në Kongresin e Durrësit dhe zgjidhet nënkryetar i Qeverisë së Durrësit. Vdes në vitin 19l9 në një pritë në afërsi të Lezhes.
Në historinë e Mirditës për një periudhë të gjatë kohe kanë luajtur rol të dorës së parë dhe kapidanë të tjerë të Derës së Gjomarkajve, si Lleshi i Zi, Preng Lleshi, Bib Dodë Pasha, Marka Gjoni, i cili është në krye të krerëve të vilajetit të Shkodrës në vitin l908 në një nga nismat kombëtare të Shpalljes së Pavarësisë etj. Gjon Marka Gjoni është kapidani i fundit që e ushtron pushtetin e tij tradicional deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. |