Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni: Art-Kulturë -> Ndue Kaza -> Përjetimet në gëzime dhe hidhërime

TEMAT

  Veçoritë psikologjike

  Besimi

  Bujaria

  Përjetimet

  Trimëria

  Besa

  Psikologji

  

  Art-Kulturë


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

PËRJETIMET NË GËZIME DHE HIDHËRIME

I mbyllur në jetën e përditshme, i ekuilibruar në marrëdhëniet sociale, i pajisur me një shpirt të butë, mirditori është tepër i ndjeshëm, prandaj e prek ekstremin e ndjesisë në raste të ndryshme. Një nga momentet kulmore ku shfaqen furishëm dhe në mënyrë eksploduese emocionet është martesa.

Ajo shënon një kulm në jetën e mirditorve. Të rrethuar nga peisazhi i përhershëm gri, nga male buzëvarur, nga pemë degëlënduara, nga tokë shpeshherë shterpë, nga përrenj që pikojnë me lodhje kanë ditur që në këtë ditë ta mundin natyrën. Atë ditë peisazhi ndryshonte koloritin.

Sa herë ngriheshin gotat e malet s'ishin asgjë tjetër veçse pjesë integrale e një korrelacioni tërësor që për një çast zbonte egërsinë veshtullore. Pemët me krahët e tyre degëzuese shfaqeshin si mirazhe ogurmirë gjenealogjish të reja, ndërsa toka shkriftohej.

Dukej që këmba e nuses të mos lodhej e vallja e haresë të lehtësohej, e përrenjtë rridhnin me vrull e gjithë rrëmbim nga “zemra” e gëzimit e lëvronin në arteriet e këtij organi të stërmadh, këtij ansambli natyror perfekt që festonte me sa mundej për gazin e bijve të saj, njerëz... Me të drejtë mund të thuhet se martesa paraqitej si një shkarkim psikoemocional dhe një modul kyç në jetën e njeriut.

Sa u tha për ritet dhe persiatjen e tyre nga koha në kohë ato zënë vend e shfaqen gjatë dasmës, kështu ajo përmban rite të vjetra poli e monoteiste si dhe ato të reja, jashtë ndikimeve të tilla çka përbëjnë element të ardhur si pasojë e formimit të një mentaliteti të ri.

Nje çast shumë i rëndësishëm dhe fazë jetike për çdo lidhje martesore e që rrjedhimisht ka influencuar fort në psikologjinë mirditore ka qenë trashëgimia me përzgjedhje.

Koncepte të tilla të mishëruara në shprehje si: “Bije e sojit” janë bërë kritere të pakapërcyeshme dhe bazë e çdo lidhjeje te re. Jo vetëm është tentuar të lidhej miqësi me “derë të mirë”, jo vetëm është observuar imtësisht çdo detaj interfamiljar për të nxjerrë në pah lidhje sado të largëta gjaku, çka do të eleminonte kategorikisht dhe mundësinë e martesës.

Gjatë shekujsh, në Mirditë, martesa nuk ka prekur as fiset vëllezër, koncept ky i vjetër e ndoshta pa ndonjë bazë të qartë historike.

Aq më tepër që këtu nuk bëhet fjalë për një spektër të ngushtë veprimi të konceptit “fis vëlla” pasi të mos harrojmë se flitet për bajraqe të veçantë, si: Orosh, Spaç e Kushnen të cilët nuk kanë kryer lidhje martesore nën këtë logjikë sipas së cilës këto bajraqe rrjedhin nga tre vëllezër. “... mirditori nuk lidh krushqi as me Shalën as me Shoshin. Kjo për mua është një provë përfundimtare se kemi një prejardhje me “lidhje të afërta gjaku” -thoshte Edit Durham.

Këto tabu deri diku kanë ulur më tej mundësinë e kryqëzimeve të individëve me lidhje gjinore, duke i shtuar kësaj edhe “laboratorët” e tjerë të kërkimeve nëpër të cilat kalonte një lidhje e re.

Mund të thuhet pa frikë se frekuenca e kryqëzimeve të tilla me afërsi gjaku për shekuj me radhë ka qenë tepër e ulët dhe e papërfillshme.

Në interes të kësaj ideje mjafton të përmendim dhe faktin se ishte prifti i cili deklaronte kohë para ceremonisë lidhjen e re që do të kryhej duke shtuar fjalët”...kush të dijë se janë gja të kallxojë...”

Veç këtyre, në konsideratë merrej dhe fakti i pranisë së meshkujve me shumicë në familjen e nuses sipas bindjes se një gjë e tillë do të shkonte në të mirë të një breznie pasardhëse të dominuar nga djemtë.

 

Ekuilibri psiko-emocional

Ajo ç'ka vërehet në një shikim të parë përgjithësues është fakti i një tejmbarsje të cermonialit martesor me mbeturina e rite pagane të hershme ç'ka shpreh më së miri një banim të lashtë të kësaj treve dhe shkon njësh me hullinë e mendimeve te sipërpërmendura mbi autenticitetin dokësor dhe ruajtjen e tyre për një periudhë tej legjendës. Gjithë ç'mund të thuhet ka të bëjë me faktin e ridimensionimit të shumë parametrave.

Pikë së pari psiko-emotiv, të cilët kanë ripozicionuar në një shkallë të lartë shumë ekuilibra të qenësishëm, që për një periudhë të gjatë rregullonin e mbanin të gjalla qoftë raporte interpersonale, qoftë relacione të cilat kanë të bëjnë me stacionimin e saktë të përsonit në lidhje me grupin social a me nje fleksibilitet dinamik të të përceptuarit që lidhet me aktivitetin psikovolitiv a me realitetin rrethonjës...

Kështu është e qartë që ndryshimet e ndodhura, sidomos në gjysmën e dytë të këtij shekulli, kanë arritur në një mënyrë shumë të butë të nxjerrin jashtë loje një sërë ritualesh a mendësish.

Atë që s'qe e mundur ta zhbënte një periudhë tepër e gjatë kohore e shkërmoqën me lehtësi një grupth vitesh, pjesë themeltare, ama, e jetës së çdo populli.

Kjo ka prekur, natyrisht, doke të cilat bien ndesh me norma të rivlerësuara në mënyrë eksplicite nga i gjithë opinioni veprues. Në një terren të tillë rishfaqja e tyre ngjan me nxjerrjen në dritë të një materiali të hermetizuar prej shekujsh, kontakti i të cilit me ajrin s'bën asgjë tjetër veçse marramendshëm përshpejton një reaksion kalbëzimi duke sanksionuar parësisht dënimin e tyre me harresë.

Ndaj mentalitete e doke të tilla së bashku me trokthin e largesës së tyre janë një fond eksluziv e i pashtershëm etnografik. Mbeturinat e një psikologjie bashkëshoqëruese të mendësive arkaike nuk gjejnë terren ushqyes brenda një kulture të kultivuar. Ato nuk bëhen pjesë integrale dhe dominante të psikikës së një grupi ndaj dhe janë të destinuara të eleminohen.

ode të hershme dhe të sotme

Të shumta janë bestytnitë me pikënisje mbarësinë, pjellorinë për të lidhurit me martesë, që në caktimin e datës së martesës, e cila duhet të karakterizohet nga hëna e plotë apo në mbushje, por kurrësesi hënë në zvoglim, pikaset forca indulktive e kulteve tej Kristiane.

Ndër personazhet emblematik dhe thuajse qendror të dasmës janë krushqit. Në ditët e sotme koncepti ka evoluar shumë ngaqë janë kapërcyer shumë barriera restriktive me të cilat këta përfaqësues të zgjedhur detyroheshin të përballeshin, të jepnin zgjidhje e njëkohësisht t'i mbronin ato.

Nëse do të mundnim të vendosnim në një tregues shigjetor ekuilibret ndijore të këtij roli, duhet thënë se janë mjegullnajore fijet që ndajnë Perceptimin e tij mes nderit dhe përgjegjësisë.

Këto dy pozicione rrethsillen çuditshëm, ndaj çdo ekspedite e cila është një përzierje e habitshme e jo rrallë disproporcionale e tyre. Kështu nëse referimi bëhet për rreth një shekull më parë rilevohet fakti që ky rol paraqiste rrezikshmëri të jashtëzakonshme herë- herë kjo me pamje të shpallur.

Të veshur hijshëm me sa mund, rreshtuar sipas hierarkisë rreptësisht të përcaktuar, kompaktësuar më fortësisht se çdo aliazh mekanik ata lëviznin si një masë e pakthyeshme brumosur me të vetmin qëllim fiks: Të mos ktheheshin pa nuse, kjo ka qenë dhe mendësia sunduese e mirditorve. Fshehur ikshëm pas shprehjeve si: “krushqit gjallë nuk kthehen dalë”... apo ...”gjallë a dek me nuse vimë”.. ..

Nuk di asnjë rast që krushqit të jenë kthyer pa nuse, por që janë vonue dhe që janë vra, kam dëgjuar të deklarohet nga të moshuar, -është thënie që dëgjon shpesh. Ky koncept proliferues ka infiltruar thellë në koshiencën kolektive duke u bërë element i transmetueshëm ndër breza.

Paraprakisht është me vend të sqarohet se për kohët për të cilat po flitet dasma ka qëndruar në një interpozicion në një meskohe ndërmjet mbeturinave të një psikologjie primitive mbi martesën dhe të një lidhjeje moderne.

Një gjë të tillë e vërtetojnë dy pamje të ndryshme të cilat konfiguroheshin në dasmën e djalit e atë të vajzës.

Kështu gjatë martesës së vajzës kemi një pamje jo dhe aq ekspresive. Pranohet të themi se një ceremoni e tillë kishte një përpjestim anormal mes ngjyresës emotive që mbartnin fjalët, shprehjet, urimet dhe veprimet që transmetoheshin në terren. Hareja dhe gazi çuditërisht njihnin nje cak ç'ka e bënte dasmën e vajzës të mos artikulohej si duhej dhe identifikimi i saj të mbartte ngjyresa emocionale oshilative.

Dukej se viganët që kacagjeloheshin ethshëm e frikshëm në skutat ndërgjegjësore të mirditorëve rroknin duele emotive trandëse të cilat përplasnin mes tyre hidhërimin për largimin e një personi nga familja dhe gazin për një lidhje miqësore të re.

Ekuilibri mes tyre ishte burim i ceremonisë martesore të vajzës, e cila në shumë raste me pamjet ekzagjeruese e që zbatoheshin në bazë të një fonoteke të pasur dokësore, shumë nga këto mendësi ruhen ende dhe sot. Duke thelluar idenë vlen të përmendim faktin që “...ka qenë zakon që nusja të kundërshtonte venien e unazës, ajo shtrëngonte grushtin që të mos vente atë...”. Ky është një tjetër fakt që shpreh një mbeturinë të kundërshtimit të gruas për t'iu nënshtruar marteses.

Duke shtegtuar në pasuritë dokësore të tërheqin vëmendjen dy momente. I pari ka të bëjë me mbërritjen e krushqve në shtëpinë e nuses, “...sa vijnë krushqit nusja qan tre herë e vetëm pas kësaj krushqit futen brenda...”. Momenti i dytë ka të bëjë me çastin e përcjelljes së nuses”. Nusen e nxirrte nga shtëpia vellai, xhaxhai a daja.

Ajo kundërshtonte, qante me zë të lartë, kapej pas dyerve të shtëpisë, pas copave të rrobave, tentonte të shkonte në dhoma të tjera, madje dhe në kasollen e bagëtive, por nuk e linin....

Gjithë sa u citua më sipër veçse plotëson dhe shkon njësh me idenë se trajtimi i dasmës së vajzës është bërë i ndikuar fuqishëm nga paralele fantastike të padukshme, duke e lidhur qoftë dhe padashje, me zakonin e hershëm të grabitjes së grave i cili ku më shumë e ku më pak shfaqej në të gjitha trevat shqiptare ndonëse me mënyra e ngjyresa të ndryshme.

Një psikologji e tillë si një aurelacion fantazmagorik amplifikuar nga mendësi predominuese që e shohin evenimentin në fjale si një “... ndarje të gjakut nga gjaku për së gjalli...” janë të afta të implantojnë inskenime emocionale të tilla shoqëruar nga një ansambël skenografik i patjetërsueshëm.

 

Është “detyrë”me tanue krushqit

 

Pikërisht ky impakt frustrues bëhej shkas i bllokimit të “lidhjeve sinaptike haresjellëse”. Nga ana tjetër ky koncept elektrizon pak a shumë atmosferën dhe është në bazë të diskomfortit dhe ngacmimit pasues të krushqeve duke u bërë shkak në raste tepër të rralla situatash komplekse, por që dhe këto në asnjë rast nuk kalojnë normat ritualistiko-kanunore.

Bashkëbisedimi ngacmues dhe humori joshës janë në fakt një tryezë ku mendimi i zgjuar, zgjidhja e situatave të ndryshme kërkon e kalit në shkallë të lartë të menduarit dhe fantazinë abstraguese.

Procesi evolutiv i “fjalës” dhe të të konceptuarit nxit fuqishëm aftësitë krijuese, lidhur kjo me kushte specifike e rrethana të ndryshme që krijohen hap pas hapi me bazë deduksionin e veçorive specifike të vazhdës së mendimit oponent. Kjo shkollë e rrahjes së mendimit të lirë popullor gjithmonë ka qenë burim i pazëvendesueshëm perlash, fjalësh a zgjidhjesh të cilat më tej janë ruajtur e bërë pjesë e mendimit të përgjithshëm duke mbetur nën mantelin e atij që e tha a duke marrë petkun e anonimatit.

Nga ana tjetër këto rrethana kanë determinuar dhe ato cilësi e fakultete vlerësimi të cilat zbatoheshin në procesin e zgjedhjes së krushqve. Më sipër u tha që krushqit rreshtoheshin sipas një hierarkie krejtësisht të percaktuar.

Hierarkia rregullohej nga norma të njohura që i kanë rrënjët në kohëra të lashta. Kjo ndikonte pak në cilësinë përfaqësuese, pasi spektri përzgjedhës rrokte hapësira të tilla aq sa rigide ishte norma në përcaktimin hierarkik aq kritere kufizuese dhe tolerance përjashtuese njihte në përzgjedhjen e individualiteteve.

Me fjalë të tjera i zgjedhuri duhej të zotëronte cilësi të njohura, si: trimëri e mençuri, pasi vetë situatat me të cilat ai duhej të përballej kërkonin posedimin e kualiteteve të tilla.

Si një person i zgjedhur e përfaqësues i pajisur me cilësi të mirënjohura supremacia e autoritetit dhe e ndikimit të tij u bë një nga elementet bazë, një pikë referimi absolute që shumë shpejt zuri vend në psikologjinë mirditore si një shkallë e kriter vlerësues për të cilin superlativat ishin të shumta, krahasimi “si krushk”, s'është asgjë tjetër veçse maja e ajzbergut admironjës.

Shumë ngjarje e legjenda i atribuohen krushqve te cilët mbi gjithçka vendosin sjelljen e nuses. Pasi caktohej dita e pasi niseshin krushqit, asnjë motiv e as dhe vdekja nuk e ndalte marrshimin e krushqve e ardhjen e nuses.

Kjo tregon më së miri se dasma përveçse një eveniment social është një mit që i kundërvihet të keqes e që në një mënyrë a në një tjetër fiton mbi të.

Nusja duhej nisur pavarsisht nëse s'ndjehej mirë, ishte sëmurë, kujtojmë legjenden e Shtufit, përjashto ato raste kur egzistonte një pëlqim i mëparshëm dypalësh.

Koncepti “dasëm” e shtyrë ishte i rëndë dhe trandte bazat e jetës së mirditorit ndaj dhe ishte i vështirë për t'u kapërdirë. Fare pak dasma shtyheshin duke i tejkaluar ndjesitë e buta njerëzore e duke iu dorëzuar ndoshta për të disatën herë një force konceptuale të idolizuar. Një mendësi e tillë ka çuar jo në pak raste në situata ilarizuese privuar nga sensi.

Një histori më vete përfaqësojnë numrat në ceremoninë martesore. Krushqit mund të ishin: tre, pesë, shtatë, nëntë, njëmbëdhjetë, trembëdhjetë e lidhur kjo me mundësitë financiare të familjeve të interesuara, por dhe me karakteristikat cilësore të lidhjes.

Kështu një grua e martuar rishtas privohej nga numri i krushqve. Vetë numri përbën në thelb një vlerësim cilësor e duke qenë i tillë vlen të theksohet se shtimi i numrit të tyre ishte një tjetër atribut i një dasme të madhe.

Kufizimi i këtij numri në rastet e martesave të vejushave të reja ishte fryt i një mendësie sipas të cilës kjo martesë ishte “ nga halli ” e duhej bërë në oskuritet. Duke iu rikthyer numrit të krushqëve i çuditshëm mbetet fakti i përdorimit të një numri tek dhe vetëm tek të tyre ( 3, 5, 7, 9, 11, 13 ).

Nëse do të mbetemi skeptik në atë ç'ka teoria psikologjike ofron për çdo mit duke besuar verbërisht se në themel të çdo miti qëndron një besim a një lidhje sado e fshehtë me mentalitete të ndryshme, të njejtin pohim, do të na duhej të bënim dhe për ritin në fjalë. Por përveç pohimeve që vënë mbarësinë në krye, janë të pakta shpjegimet që lidhin rregullin në fjale me koncepte të tjera.

Me marrjen e nuses dhe nënës së saj numri i krushqve rimbetej tek. I njëjti rregull na rikthehet sërish në një etapë të dytë dhe pikërisht në rastin kur nusja do të kthehet në gjini. Në këtë rast ajo mund të qëndroje tek prindërit një, tre, pesë apo shtatë a më shumë ditë. Rëndësi ka që të rrijë një numër tek syresh. Forca hyjnore e çiftimit

 

Një tjetër moment i veçantë e domethënës është dhe fakti i thirrjes në dasëm i hasmit (kjo nuk ngjet rëndom). Kështu ka ndodhur që hasmi të jetë i pranishëm në dasëm si dhe në ceremonitë mortore. Kjo është një tjetër e dhënë që nxjerr në pah forcën mbinjerëzore që kodet e pashkruara kanë ushtruar mbi psikologjinë e mirditorve.

Porse nga një këndvështrim tjetër ky element bën të dukshëm një ekuilibër psiko-spiritual perfekt i cili është i aftë të përballojë shfaqje kaq afër njëra tjetrës, me një përmbajtje kaq të largët e një ngarkesë krejt të kundërt.

Gjithashtu përforcohet ideja se dasma nuk përbënte thjesht një ngjarje sociale dhe nuk ishte thjeshtë një çiftim i radhës.

Ajo dilte në më të shumtën jashtë rrafshit njerëzor duke u vrojtuar si ditë me shenjë, pra si ditë e një feste me një karakter paksa religjioz, ku dhëndri e nusja janë thjesht aktorët bazë të një skenari, radhët e të cilit janë shkruar diku tjetër.

Vetëm e mbarsur me këtë fuqi tejnatyrore dasma si eveniment social tashmë mund të shfaqte ato elemente aq të spikatur e domethënës, mund të kishte atë forcë aq të thjeshtë në realizim, por aq madhështore në ide, mund të induktonte atë adhurim aq hyjnizues në terren, por aq kalorsiak për këta njerëz kryeneç ndaj gjithçkaje.

Kjo së fundmi shpjegon shumë probleme e ju jep përgjigje shumë “pse-ve” të cilat dalin gjatë studimit etnografik dhe hulumtimit të ritualeve martesore duke i dhënë dasmës vendin e vet që i takon dhe duke e kuptuar atë pikë së pari si dukuri psikologjike e më pas si një ngjarje shoqërore.

Në këtë kontekst kuptohet shkarkimi i fuqishëm emocional gjatë dasmës që njeh kulmin e vet, kur arrin nusja, ardhja e së cilës shënon jo vetëm thjesht realizimin e çiftimit, por së pari përmbushjen e një “ profecie ”. Ardhja e nuses përbën çastin solemn ku mbisundohet e keqja, mundet qoftë dhe natyra. Ky fakt padyshim shihet si një “ çlirim ” dhe krushqit natyrshëm si liberatorë.

Këto lidhje të dukshme e të fshehta besytnish të vjetra e të reja janë të afta të gjenerojnë kurdoherë percepsione të tilla ku loti e gazi humbasin tek njeri-tjetri për të vërtetuar dhe një herë se njeriu është një “ bir ” i lashtë i natyrës, endja e të cilit nëpër kohë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gëzimet e hidhërimet e tij.

Këtë moment, këtë kulminacion, këtë “ vetëçlirim ” se ka penguar asgjë, ndonëse nganjeherë pjelloria në fatalitet ka qenë e pandalshme.

 

Në emër të jetës..

 

Jeta me të papriturat e saj ka vënë përballë pamje të ngopura emocionalisht në mënyrë ekstreme duke afruar skena me një koefiçient ndjesor supërpragor.

Gjithë këto e kanë kthyer këtë tokë në një amfiteatër antik, ku tragjizmi ka skalitur fort në sipërfaqet e shkëmbinjëve shfaqjet e tij më tipike e kohën e ka ajrosur me përzierje, tejngopur me emocion po nga ana tjetër këto vise janë zhuritur për jetë e dashuria për të ka hasur piedestalin më të lartë që mund të mendohet. Të shtunën në mbrëmje vdes babai i vajzës, e cila të dielën do të dilte nuse. Krushqit erdhën ta merrnin, ... u mblodhën të gjithë fiset e Rrasfikut e pasi e pleqnuen, vendosën: krushqit të mos marrin vesh ç'ka ndodhur, të priteshin e përcilleshin me të gjithë nderet që kërkonte kjo ditë dhe të përcillej nusja, pastaj të fillojë mortja... të respektohet më parë i gjalli në ditën e tij e pastaj... i vdekuri.

Ka pasë shumë raste thonë më të vjetrit që gjatë dasmës të ndodh një vdekje. I zoti i shtëpisë e ka mbajtur të fshehur me njerëzit më të afërt këtë fakt për të mos e prish gëzimin e dasmës dhe pasi është mbyllur ka filluar mortja.

Sot shumë gjëra kanë ndryshuar, shumë ujëra kanë rrjedhur e gjaku sikur është “embëlsuar”. Jo pak rite janë lënë në harrese ca nga nonsensi i tyre, e kjo është një gjë e mirë dhe ca si pasojë e një qytetërimi civilizues absurd, e kjo s'është dhe aq e mirë.

Ndryshimi ideor, mentaliteti gjithnjë e më elastik ka diktuar krisjen pa rropamë e shformimin shpërfytyrues të idoleve të paqena duke e bërë mirditorin përherë e më realist, vleresues i saktë i situatave e koshiencën e tij gjithnjë e më reaktive ndaj dukurive e të rejave vepruese.

Megjithatë, keto shkarje kanë prekur ato pjesë anësore themelet e të cilave bëheshin përditë e më solide, ç'ka do të thotë se dasma në krye ka mbetur e njëjtë.

Sharmi i saj intrigues e joshës skajshmërisht ka mbetur i virgjër si në fillim. Tharmi aktiv i ceremonisë dhe i përcepsionit të saj nuk është ndikuar nga koha e as nga teknika. Të njëjta kanë ngelur ndjesitë e nderimit e të përgjëgjësisë e ajo ç'ka është më e rëndësishme i njëjtë, i paprekur, i pastër ka mbetur gazi, hareja paqtimi turbullonjës që kjo ditë transmeton.

Kjo ka ndodhur se të njëjtë kanë mbetur njerëzit në shpirt, rafineritë zhurmuese, kryqëzimet labirintike shumëdritëshe, industritë marramendëse të hipokrizisë s'e kanë ndotur “ kristalthin brendor ” të shpirtit mirditor.

Ndaj martesa ka vijuar të ndijohet ndër këto anë hyjnore, e paprekshme, si me parë, ku rrudhat e senilitetit shekullor humbasin hijshëm tek këta njerëz në shpirt kurdoherë të ri...

 

Amplituda e dhimbjes

 

Ndarja përfundimtare nga njeriu i afërt i shkundte fort trarët psiko-emocional të mirditorit, dhimbja ngjiste rrufeshëm shkallët termometral të saj ndërsa amplituda e pezmit shpërhapej frikshëm. Vdekja si një ndarje definitive është kundruar gjithnjë si një moment kritik, por duhet thënë se mos- et apo ritualet që kryheshin kundër saj jo se kishin të bënin dhe aq me një frikë.

Kështu nga ana psikologjike vdekja është trajtuar si një pjesë normale e jetës ndaj ideja për të nuk ka ushtruar një presion stresant të papërballueshëm.

Nëse shumë anë të punës e jetës së mirditorit janë hyjnizuar e janë larguar disi nga trualli jetësor e kundërta ka ndodhur me vdekjen si dukuri e cila i ka bërë njerëzit më realistë dhe karshi saj mentalitetet kanë qenë të mirëstacionuara.

Filozofimet rreth saj kanë munguar. Ajo sikur është ënë mënjane nga “ punët ” e shumta që mbushin ditët e mirditorit ndaj dhe mendimi fiks për të nuk i është shtuar listës së gjatë të barrierave destruktive të jetës së njeriut.

Mund dhe të themi se mirditorët nuk i ka munduar idea e vdekjes kështu përshembull të vdekurit e një familjeje pra të parët e saj janë inkluduar në një mënyrë jo shtypëse të zhvillimit psikik të pasardhësve. Të të njëjtës hulli janë mentalitetet sipas të cilave fantazma ( hija ) e të vdekurit sillet rreth shtëpisë për dymbëdhjetë muaj apo ajo lajmëron për të papriturat etj.

Sa më i pastër një entitet a një komb aq më i çlirët në ndjesi është, aq më shpejt bie pre e emocionit. Kështu skenat tragjike të ndarjeve mortore që haseshin kohë më parë përngjajnë fuqishëm në ngarkesat e tyre dhe me ekspresionet fizike, në vdekje legjendash të denja për skenaret e tragjikeve greke.

Një gjë të tillë konstaton Frang Bardhi i cili vërente “...i qajnë me gjithë zemër njerëzit e gjakut të vet sa të gjithë shkyhen rrobash, burrat gërvishin fytyrën dhe e presin mjekrën e nuk rruhen gjithë vitin në shenjë trishtimi të madh dhe gratë shkurtojne flokët e rrahin gjokset...”.

Ndërsa M. Barleti thekson se si u soll Lekë Dukagjini i cili duke “... çkulur mjekrën dhe flokët” tregoi pikëllimin e madh për vdekjen e Skënderbeut.

Me kalimin e kohës u vendos ai fill mbajtës drejtpeshues që karakterizon dhe sot ceremoninë mortore. Një udhërrëfyes interesant që flakron sadopak lidhjet emotive me vdekjen është dhe materiali i përgatitjes së “ teshave te dekës ” së një personi, të cilat zakonisht ishin rrobat më të mira, kështu nusja kur vinte në pajë i sillte me vete edhe ato rroba...

Ne realitet ky rit erdhi si pasojë e një rrethane ekonomike restriktive e cila kërkonte që çdokush të ishte i përgatitur për gjithçka. Kështu në fakt mbivlerësohej dhe i jepej rëndësi cilësisë së vdekjes e nga ana tjetër në një farë mënyre e largon frikën e terrorin e saj.

Kjo bashkegzistencë me këtë ide kaliti dhe rishikoi shumë aspekte të veçanta që kanë të bëjnë qoftë me vdekjen si koncept, qoftë me vdekjen si një fakt psiko-emocional i mbingopur.

Në të vërtetë respekti dhe dashuria për jetën në kushtet në fjalë, lidhej dhe me artikulimin e saktë dhe vendosjen e drejtë të aspekteve të veçanta cilësore të ceremonialit mortor. Ceremoniali në fjalë përshkohet nga rituale të vjetra.

Duhet theksuar se mirditori në këtë rast është treguar e tregohet më fanatik në kryerjen e tyre krahasuar kjo me elasticitetin që ka karakterizuar ceremonialin martesor. Kjo ka të bëjë me faktin që çdo gjë që bëhet në këtë dite sillet përreth nderimit të të vdekurit, ndaj dhe stoicizmi që vërehet është më se i kuptueshëm.

 

Vajet e shpirtit

 

Në mortje gjithçka është e kufizuar e fjala në radhë të parë kuvendimet thuajse bëhen nën zë; thua pesha e vuajtjes i pengon ato të dalin lirisht. Personazhet me simbolike të cilët ruhen akoma dhe sot të ceremonisë mortore janë vajtimoret, të cilat të thirrura ndryshe dhe gjamtorët.

Ato përfaqësojnë një zemër popullore në kryekulmin e dhimbjes shtrëngatat e së cilës mbushin zgavrat e pezmit e furishëm përplasen në çdo qelizë të organizmit; që i shtrënguar nga pikëllimi pikon e mbush lumin e gjatë të mërzisë shkatërruese; që dhe një burrë sa mali dhe një burrë si guri dhe një burrë pa sy; pa shpirt e mbledh heshturazi në një pikë loti më të vyer se çdo margaritar, më të fortë se çdo shkëmb i moçëm, më të përpjetshëm se çdo katarakt flutronjës.

Fjalët e tyre nuk është se thjesht “ thuhen ”, por gjëmojnë. Ato nuk janë thjeshtë vaj, por një britmë, një gjamë e ethshme kundër vdekjes, kundër motit, natyrës, malit që rrufeshëm ua shkëputi njeriun e afërt nga sytë që ndjejnë, nga duart që prekin, por që kurrë nuk do të mund tua ndajnë nga zemra që qan, nga shpirti që dridhet për të e nga truri që lehtas s'harron.

Piskama e tyre duket se edhe diellin e çan më dysh. Me të vërtetë vajtimoret janë pjesa më sinjifikative e një ceremonie mortore. Britja e tyre e drejtuar motit thuajse është një stampë që nuk mungon në çdo vaj.

 

“Drita e diellit fut e zezë

Rrezja e diellit gur le të qesë

Toka qitte bolla e gjarpninj

Era fryfte zjarr e thninj

Bora n'bjeshkë e zezë u ngriftë

Lulja n'fushë e thatë u biftë

Asaj kurrë mos i ardhtë era

M'sa për loken del pranvera”.

 

Kjo shpreh qartë mendësinë e trajtimit të vdekjes në koncept si një grabitqar i pashpirt, sulmi i të cilit godet njeriun. Në këtë rast shumë bukur i transmetohet dhimbja përbërësve natyral me të cilët njeriu rroket t'i bëjë pjesmarrës në dhimbjen e tij duke iu mveshur cilësi që përpiqen të “ ndjejnë ” brengën e njerëzve e të vajtojnë dhe ato. Në këtë bosht rrëshqet dhe ideja e hasur rëndom në raste të tilla si “ për te qau edhe moti ”, lidhur kjo me karakteristika klimaterike krejtësisht rastësore.

Por nga ana tjetër nuk janë të pakta rastet, kur zemërimi shprehet ndaj vetë natyrës duke e fajësuar për humbjen e personit të dashur.

Gjatë përballjes me fenomene të ndryshme historia e zhvillimit njerëzor seleksionoi cilësi të veçanta të cilat mbivlerësoheshin më shumë se të tjerat.

Është e kuptueshme se dhe vdekja (përderisa vetë jeta e bënte një gjë të tillë) do të ndikohej fuqishëm nga situata të tilla. Ky tip të menduari njeh dhe kulminacionet e veta, që e trajtojnë vdekjen si dukuri sekondare dhe nxjerrin cilësinë shkakësore si element primar.

Kështu mirditori është rritur me shprehje të tilla si: “ deka për ner a jetë m'veti ”, “ me dek për ner a si me jetu përher ” ndaj dhe postulate të tilla kanë qenë bosht egzistence i palëkundshëm i jetës se tij.

Përpara situatave ku vihet në pikpyetje nderi, mirditori se ka konsideruar jetën një luks ndaj dhe se ka kursyer atë, kështu për vdekjen në mbrojtje të nderit, atdheut dhimbja ka njohur vlera të tilla amortizimi që janë të habitshme.

Natyrshëm kjo ka shkuar njësh me rritjen e nderimit dhe adhurimit për të ndjerin dhe aktin e tij kuptimplotë. Një motiv të tillë shpreh vaji i poshtëshënuar: “Per ty s'qaj o djali em

M'thanë se je diftue trem

Plumbi t'ka marrë në ballë

Ta kam ba qumështin hallall”.

 

Por dhe për vdekjet natyrale përbërësi cilësor merr rëndësi të veçantë. Kështu vlerësohen cilësi të cilat gjatë jetës së përditshme kondicionojnë veti karakteriale të çmuara. Kjo çonte në evokimin e cilësive të tilla si trimëria, bujaria, besa, luftërat (për burrat) apo bujare, e ndershme, punëtore, e ndoshta për herë të parë në mënyrë të hapur bukuria për gratë.

Në realitet përmendja dhe dhënia rëndësi bukurisë fizike qoftë në këtë rast, qoftë në këngët e dasmave shpreh më së miri idenë që mirditorët nuk kanë qenë asnjëherë indiferente karshi një elementi të tillë; porse mekanizma të tjerë psiko-konstriktore që vepruan në kohë të ndryshme me forcë të ndryshme e që shpjegojnë një sjellje disi të ftohtë e rigide kundrejt femrës.

Nga ana tjetër, meqë gjithçka që thuhet në raste ceremonish kortezie ka qëllimin e vetëm e final nderimin në shkallën më të lartë të të vdekurit, dhënia e një roli qëndror bukurisë fizike tregon që një element i tillë vlerësohej shumë, madje më tepër nga sa shprehej. Kjo në fund të fundit flet për një shpirt të ndjeshëm e sensibël që vlerëson njerëzoren e që polarizohet shpejt ndaj së bukurës.

Nga të gjithë këto mund të konkludohet se bukuria ishte një element përbërës i rëndësishëm i jetës dhe induktonte sjellje e qëndrime që binin ndesh me një tip të menduari klasik të përftuar sipas një aktiviteti psikik dominant egzistent, përbërësi afektiv i të cilit rregullonte caqet strikte të veprimeve, që transkriptoheshin në terren të cilat limitoheshin nga norma e kode të përpunuara gjatë shekujsh.

Vlera e të përmbajturit

 

Pa harruar se çfarë u tha më sipër duhet sqaruar se mirditori është dalluar për një ekuilibër gati-gati të pashpjegueshëm e herë-herë të çuditshëm.

Duke iu referuar fondit të artë popullor vlen të përmendet një rast i veçantë dhe tragjik nga përmbajtja. Bëhet fjalë për vrasjen e një burri bashkë me të birin. Karvani i gjatë i dhembjes dhe pluhuri i baltisur që nxjerrin këmbët të cilat s'duan të ecin për të arritur moskundin, të thonë atë që buzet s'duan ta thonë ushtrojnë ngadalë por pandalshëm një shtypje tej të durueshmes.

Ndërsa gruaja-nënë idhshëm do të tregonte: “... kur pashë që po vinin dy gjenazet deshta me u dal përpara e me u hedh mbi trupin e djalit, por nuk e dija se cili ishte përpara burri a djali. Kishem frikë se mos shkoj te gjenazja e burrit e koritem se më thonë i paska ardh ma keq për burrin se per djalin, kështu ndejta ...”.

Komentet do të ishin krejt pa forcë përballë një ndodhie të tillë. Një ngjarje si kjo e fshehur heshturazi nën zhgunin e zbehtë të një rasti të veçantë në fakt shpreh sa zhurmshëm mundet një proçes psikik të zhvilluar rëndshëm e që ku me shumë e ku me pak haset thuajse për çdo rast. Një frenim i tillë jashtë normales është një sprovë e qartë e një ekuilibri të habitshëm shpirtëror e tepër solid një e dhënë e mjaftueshme për një zhvillim asnjanësues të sistemit nervor që neutralizon ngacmime kaq të fuqishme me një përgjigje komplementare krejt të kundërt e së fundmi ky është një akt shprehës i një zemre të mësuar me tragjizmin e thellë që fatkeqësisht s'ishte i rrallë, por ditor në tokën mirditore.

Pa as me të voglin dyshim pranohet se fryt i një mendësie të tillë dhe të ngarkuar me një elaboracion psikik iden shfaqin shprehjet si: “ u mbajt fort ”, a “ u ba dru ” që rrekin të shprehin kontrastin egzistues ndërmjet një aktiviteti ndjesor thuajse sizmik dhe një inekspresiviteti akullnajor përballës.

Kur një plaku të vjetër pas vdekjes së djalit të parë në krye të motmotit i vdes dhe djali i dytë, lajmësit kokulur e të trishtuar që i jep kumtin e zi i drejton pyetjen: “ Prej Zotit a prej njerit ”, e kur lajmësi i përgjigjet prej Zotit plaku shprehet: “ asgja s'asht …”.

Mbajtje të tilla të ardhura dhe si shfaqje e një ligji rregulluar nga norma të njohura kushtëzoi me domosdo ruajtjen dhe kalitjen cilësore të një sistemi të ekuilibruar ndijor. E veçanta dhe cilësia më madhore që vihet re në raste vdekjesh e që ka lidhje me ato ç'ka u shkrua më sipër ka të bëjë me fillin e pashkëputshëm të jetës, megjithatë... jeta vazhdon.

Ky koncept i mirëformuar është në fakt idea që haset rëndom dhe që cirkulon çdo moment, çdo rit, çdo ngushëllim të rastit. Kështu ritet e kësaj ceremonie kryhen me qëllimin e vetëm të largimit të së keqes dhe ndjelljes së mbarësisë në kontinuitetin e jetës.

Në pikat e lotëve pasqyrohet e ardhmja

 

Gjithë këto ndjesi nuk kanë si të mos pasqyrohen në vajet, një syresh shprehet:

“Për ty kena ardh me qa

E të gjallët me ti pa

Që më gëzim të tanë gëzofshin

Djelm e cuca këtu martofshin”

 

Aq i fortë është mendimi për vazhdimësinë, aq fort e ardhmja kufizon dhimbjen e sotme, saqë ky u bë një mendim fiks i pandryshueshëm tashmë pjesë përbërse e aktivitetit normal psikik.

Falë një aktiviteti të tillë të jashtëzakonshëm mund të adaptohen situata të tilla si ajo e vdekjes së një djali të ri disa ditë para martesës, gjatë vajit mortor gjamtorja shprehet:

 

“Këta dasmore që kemi dasht me qu

T'tanë kanë ardh bir me t'vorru

Me dhimbe t'zemrës të qajnë si djalë

T'gjithë më qofshin faqebardhë

Që po kanë gjithë këtë dëshpërim

Na ua kthefshim “dasëm e n'gëzim”

 

Pa dyshim e fortë zemra qe s'plaset, i fortë mishi që s'këputet, e fortë kocka që s'thyhet, i fortë gjiri që s'thahet, por i fortë tepër i fortë truri që mban një dhimbje të tillë, një goditje kaq të pamëshirshme e që për më tepër gjen forca të flasë, falënderojë e të urojë gëzime të mëpastajme.

Nuk do të reshtin se na çudituri kontraste dhe rrëfenja me fuqi legjendash që Mirdita ashtu si e gjithë Shqipëria i ka pjellë me shumicë. Janë momente të tilla, që hasen në këto çaste kaq kyçe të jetës që, përcaktojnë larmishmërinë dhe specificitetin natyral të përsonalitetit mirditor.

Këto ndjenja të ndërthurura sipas situatash të ndryshme që shprehen herë fort e herë lehtazi, që shtypen herë gjithësisht e herë cektazi, janë prova e sigurtë edhe e qartë e një shpirti plot jetë, i aftë të përballojë dhe të kapërcejë në mënyrën më të mirë të mundshme gjithë sfidat e jetës.

Janë këto që e bëjnë mirditorin kaq të sigurt në vete, kaq të pathyeshëm në besim, kaq të pagabueshëm në gjykim e të patjetersueshëm në tradita. Janë të tilla mentalitete që e bëjnë kaq të thellë e krejtësisht të veçantë. Janë të tilla fije të padukshme, udhëkryqe ndjesish që nganjëherë të bëjnë të besosh në shprehjet naive, absurde, primitive të dijetarëve të lashtë të cilët mendonin se nervat janë tela hapësinor e ndër ta rrjedh një lëng magjik, lëvizja e të cilit përcakton gjendje të veçanta psiko-emocionale.

Të bëhet të afrohesh me një absurd të tillë pasi çuditesh se, si një aktivitet bioelektrik normal, se si alterime normale të neurotransmetuesve nervorë të mund të jenë në bazë të gjithë këtyre labirinthesh, sjelljesh njerëzore.

Por forca e jetës është e atillë që kapërcen çdo pengesë sado e fortë qoftë ajo, sado e pakalueshme, sado e rreptë, e ashpër mosmëshironjëse qoftë. Është ky hov, ky vrull, ky vullnet që karakterizon vitalitetin e një populli e gjithçka tjetër; ritet, doket e natyrisht edhe psikologjia bashkëshoqëruese që është thjesht një koperturë fine, një rrugë e butë, një element lehtësues i këtij përcaktuesi të shenjtë...

Thellësia e mendimit dhe qëndrimi kritik ndaj të keqes shfaqet mjaft idhët përmes krahasimeve dhe ironisë therëse dhe pa asnjë element mëshire :

“Qaje ulët e përdhe, motër ke,

Na ka vra e na ka pre, motër ke”

Nuk thuhet vajtoje siç vajtohen të njerëzit, por qaje me zë të ulët, fare për tokë se i tillë qe, edhe për së gjalli s'qe i denjë edhe tani në të vdekur nuk i meriton nderet, përveçse një zvarritje me fjalë të tilla.

“Qenka veni krep e shkallë

Qenka zor me rrit nana djalë”

Edhe vetëm me këto dy vargje shihet forca krahasuese me të cilën paraqitet, vështirësia e terrenit dhe ajo e jetës për të rritur jetima. Pra vajtohet ai që shkoi, por në kulmin e pikëllimit orientimi ruhet, vëmendja përqëndrohet, ndjesitë dhe dhimbja janë shumë të mëdha edhe për të gjallët mbi të cilët bien tronditje disaballëshe.

Vërtetë vaji i grave ështe i çuditshëm, ai përmban në ato fjalë vuajtjet, gëzimet dhe hidhërimet e gjithë jetës.

Nëpërmjet figuracioneve lartësohen cilësitë individuale, vetitë e karakterit dhe me aftësi bëhet lidhja e jetës së përditshme me atë irealen, duke krijuar një atmosferë sentimentale që rrëmben të gjithë pjesmarrësit pavarësisht nga ndjesitë që kanë.

Hapësira dhe vendi i ngjarjeve dhe ndodhive janë mjaft të gjera, por edhe aktorët e tyre janë njerëz të thjeshtë e princër, të cilët të gjithë kanë fisnikëri të lartë, por ama zmadhimi i vetive nuk është i pamasë. Ai bëhet me kujdes dhe jo larg objektivitetit e realitetit.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net