Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni: Art-Kulturë -> Pal Doçi

TEMAT

  Arte Figurative

  Mark Tirta

  Ndue Dedaj

  Ndue Kaza

  Pal Doçi

  Personalitete

  Preng Cub Lleshi

  

  Faqe Kryesore


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

3. Vepra e Gjeçovit si burim etnologjik

Asht e ditun për çdo studiues serioz se pa përmbledhjen e Gjeçovit nuk do të mund të kishte sot studime të mirëfillta shkencore për kanunin e maleve shqiptare. Përmbledhja e Gjeçovit asht bazë themelore, burim i mirëfilltë etnologjik, prandaj edhe nuk mund të vihet në një radhë me landë të mbledhun sido kudo. Mirëpo, pa i njohun doket, historinë, si dhe vetë malësitë, në atë shkallë që të mund të dallohen mangësitë, të metat e teperimet e veprës së Gjeçovit, asnji studiues nuk mundet me dhanë gjykim shkencor sado të plotë për këtë vepër, në të cilën asht pasqyrue në një shkallë të gjanë e drejta dokesore, kanuni i maleve shqiptare.

Tue mos njohun mirë kundrajën historike, autorja nuk ka të drejtë kur ndërhymjet administrative osmane i quen kanun. Madje ajo quen të drejtë qendrimin e gabuem të B. Palajt, i cili, ndërhymjet osmane i ka shënue si kanun, ndërsa kritikon qendrimin e drejtë të Gjeçovit që nuk i përmend ato. E vërteta asht se Gjeçovi në këte kandvështrim e ka shoshitun fort mirë punën, ndërsa B. Palaj i ka ra shkurt, nuk e ka mbërritun aspak nivelin e Gjeçovit. Duhet theksue se Gjeçovi ka pasun në këte punë gjithënji ndihmën e Fishtës e Fishta ishte ai që tashma dihet.

Si landë me të vërtetë burimore, si burim i mirëfilltë etnologjik, vepra e Gjeçovit asht regjistrue ashtu si shqiptohej në malësi, kryesisht në Mirditë, plot shprehje figurative lapidare të shqiptuesve të kanunit, të cilat nuk asht lehtë me i kuptue. Formulimet popullore kanë trajtën e nji thëngjilli të mbuluem, prandej mundena me thanë se ato janë të pakapshme, të pakuptueshme për çdo njeri që nuk njeh ecuninë historike të gjendjes së malësive gjatë qindresës kundër pushtimit osman. Shi këtu, ndodhin keqkuptime dhe bahen interpretime të gabueme.

Duhet pasun parasysh edhe fakti se historia e malësive nuk asht trajtue ende në nivelin e duhun shkencor, si vepër e pashkrueme, veç e shqiptueme, e trashigueme brez mbas brezi, duhet me i kuptue frymën e jo vetëm germën si asht botue në përmbledhjet e ndryshme. Për me dishmue këtë po marrim vetëm nji shembull: Me çue në shtek , ose ma saktë e ma drejt për shtek (Neni 20, pika 7, e KLD). Në shtëpi të me dy ose ma shumë barqe, i zoti i shtëpisë caktonte se cilët do të merreshin me bujqësi, blegtori dhe shkëmbim, shitblerje. Pra me çue për shtek ka kuptimin me u marrë me shkëmbime jashtë shtëpie, me ba pazar, me krye shitjen në pazar të prodhimeve të shtëpisë si dhe me ble atje të sendeve të nevojshme dhe sjelljen e tyne në shtëpi. Kjo shprehje ka kuptim të veçantë, madje shumë të gjanë, asht shprehje figurative e nji veprimtarie ekonomike e shoqnore. Këtu duhet kuptue gjykimi popullor i dhanë në formë lapidare, pra fryma e jo gërma.

 

4. Histori apo paragjykime

 

Asht për t'u habitun që në nji botim Akademie, pasaktësitë të vihen re qysh në titull. Edhe në librat e shkollës fillore të Rusisë gjenden portretet e Aleksandër Nevskit e të Dimitër Donskoit, ashtu si në librat e shkollës shqipe, ai i Skënderbeut. Pra ecuria historike e Shqipnisë duhet të gjykohet me paanësi, tue vlerësue drejt periudhën e pushtimit të egër osman e jo tue e quejtun “kohë osmane!”

Tashma asht fakt i njohun historik se e drejta dokesore shqiptare nuk u hartue nga autoritetet osmane, por u shqiptue nga ata shqiptarë, të cilët nuk iu nënshtruen atyne autoriteteve, që nuk zbatuen ligjet e shtetit osman. Në histori asht dishmue se megjithë përpjekjet e pareshtuna, shteti osman nuk mundi të vendosë në malet shqiptare nji admistratë të qendrueshme, nuk mundi të zbatojë atje ligjet e veta, sheriatin. Pra duhej theksue se e drejta dokesore e shqiptarëve asht nji përmendore shqiptare e vetëmbrojtjes, e qindresës kundër pushtimit osman. Janë pikërisht qindresa e vetëmbrojtja ata faktorë që kushtëzuen shqiptimin e këtij kanuni e jo ndonji autoritet, kushdo qoftë ai. Vetëmbrojtja, faktori ushtarak, në lamin e kanunit u ka ra në sy me kohë studiuesve. Për origjinën ushtarake të terminologjisë së kanunit ka shkrue qysh në vitin 1943 Zef Valentini 5) . Pra asht nji e vërtetë tashma e njohun prej studiuesve. Historia asht shkencë. Ajo nuk pranon veshje konjunkturale apo “teorike”. Kurrsesi nuk mund të quhet qindrim shkencor, objektiv ngatërrimi i kombeve për hir të konjunkturës. Shuflai ka qenë kroat, e jo serb, veç ka qenë vra prej serbëve. Mark Krasniqi e Syrja Pupovci janë dijetarë shqiptarë e jo jugosllavë, ashtu si Miklluho-Makllai ishte rus e jo gjerman, mbasi dihet se komb jugosllave në Ballkan nuk ka.

Autorja pa mbështetje etnologjike e historike, veç tue mos njohun mirë problemin, vlerëson si “kontribut mjaft serioz në studimin e së drejtës dokesore të shqiptarëve” shkrimet e S. Pupovcit (f.10). E vërteta asht se si në librin “Marrëdhëniet juridiko-civile në KLD” 6) , ashtu edhe në parathanien shumë të gjanë të shkrueme me rastin e ribotimit në Prishtinë më 1972 të përmbledhjes së Gjeçovit 7) , që pothuajse janë e njajta gja, S. Pupovci, ka aq shumë pasaktësi, mungesa, teprime, kundërshti në thelb, ç‘ka pohon në nji faqe e mohon në nji tjetër e anasjelltas, sa vlera e shkrimeve të tij asht shumë e vogël për të mos thanë se me këto shkrime ai sjell vetëm pështjellime 8) . Bie në sy se këta autorë Ivanova e Pupovci referohen shpesh njeni-tjetrit për të mbështetun mendimet e veta.

Meqënëse autorja në parathanie, hymje dhe shënimet sqaruese përmend shpesh bashkësinë fisnore, rendin fisnor, fiset blegtorale endacake, pronën e përbashkët, të cilat gjoja shprehen në kanun, po ndalemi sadopak në disa prej tyne.

Nuk ka dyshim se çashtja e lashtësisë së kanunit të maleve asht nji çashtje historike e konkrete e lidhun me qindresën në male në të gjitha trojet shqiptare e jo vetëm në malësitë e Veriut po edhe në Shqipëninë e Mesme e të Jugut. Kjo çashtje duhet të trajtohet vetëm përkitazi me ato kushte, në të cilat u shqiptue dhe u zbatue kanuni. Edhe shtrimja në shumë fusha e vështirëson, ose thanë ma shkoqun, vetëm e pështjellon, por nuk e zgjidh. Për me u futë në hulli të zgjidhjes duhen kuptue e mbajtun parasysh këto fakte.

E para , kanuni i maleve nuk ka qenë as i Lekë Dukagjinit, as i Skënderbeut, por i maleve shqiptare, të kthyeme në votra qindrese kudër pushtimit osman.

E dyta , në përgjithësi ai asht nji në të gjitha malet shqiptare. Në studimin krahasues të Prof. Ismet Elezit dëshmohet çiltaz se kanuni i Labërisë përkon gjithsesi me atë të Mirditës. Shqiptarët, tue pasë pasun nji shtrat të përbashkët kulturor paraosman, kanuni i tyne asht i njajtë prej veriu në jug e anasjelltas 9)

E treta, nuk qëndron koncepti antihistorik e antishkencor se gjoja kanuni asht ligj i bashkësisë fisnore të blegtorëve endecake. E vërteta asht se kanuni ka qenë ligj i bashkësive fqinjësore, territoriale, malësore të nguluna e të bashkueme për qëllime vetëmbrojtëse.

E katërta , pohimi se malësitë qeveriseshin “tërthorazi” nga administrata osmane nuk qëndron, pra nuk mund të përgjithësohet. Ç‘asht e vërteta qeveria osmane ka ba përpjekje të shumta, por në sajë të qëndresës, arritjet kanë qenë të pakta, të kufizueme dhe shumë të rralla e të paqëndrueshme.

Asht thanë prej kohësh se disa historianë: “S'kanë dashur të shohin në historinë tonë mesjetare, madje edhe në të renë, gjë tjetër veçse lëvizje fisesh nomade që s'arritën kurrë formacione ekonomike dhe politike më të larta, që s'formuan kurrë ndonjë shtet të tyrin, tek të cilët shteti ka qenë kurdoherë i sjellë nga jashtë e imponuar nga perëndimi këtyre turmave barbare që zbresin nga malet në valë të pafrenuara dhe shkatërrimtare”. Për këta historianë, “historia jonë nuk është veçse një përtëritje dhe zhdukje fisesh një kriter që u shërben atyre dhe për periodizimin e historisë sonë” 10). rej këtij rrethi historianësh nuk mund të përjashtohet as edhe Ivanova. Pse sllavët e osmanët banorët e maleve shqiptare i quejnë turma barijsh endacakë, fise, bashkësi fisnore që zbresin nga malet etj? Ka nji arsye, madje të fortë. Dijetari gjerman Prof. Dr. F. Hueppe shkruen: “Vetëm në malet shqiptare u zmbraps furia e valës sllave” 11). Meqënëse sllavët nuk mundën t'i nënshtrojnë dot malësitë shqiptare, malet i quejtën “Prokletia” të namuna të mallkueme (sepse nuk e shqiptonin e as nuk e shkruenin dot fjalën “Gerdhatë” 12) si i quenin vendasit Bjeshkët e Namuna) dhe malësorët “endacakë” dhe vendbanimet e tyne “Katune”, pra stane barijsh. Janë shkrue me qindra e ma shumë artikuj, studime e vepra “shkencore”, në të cilat Kelmendi paraqitet si fis blegtorësh endacakë. Mirëpo ka ndonji rast që harrojnë. Tue shkrue për Pultin në shek. XIV shënohet: “Edhe Vermoshi me të njajtin emën ndodhet edhe sot në Shqipëri.... Në Zetë ndodhej katundi Selcë, i cili edhe tash me të njajtin emën asht në rrjedhën e sipërme të lumit Cem ” .13)

Nga zelli i madh për me tregue aftësinë fisformuese të shqiptarëve, ndonji autor sllav ka mbërritun të shkruej se “fiset u krijuen edhe me serb e shqiptarë së bashku” 14). Ka disa vjet që spekullohet pa masë me “Defterin e Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës” të vjetit 1485 dhe 1496 15) , në të cilin ka disa emërtime vendesh në Kelmend që fill pas B. Gjurgjevit edhe S. Pulaha i ka “interpetue” si “katune pra stane barijsh ose organizata blegtorale endacake” 16) . E vërteta asht se në atë regjistër sqarohen diku më tej ato gjana që mund të keqkuptohen. 17) Por meqënëse ajo punë nuk asht ba po e sqarojmë. Dihet se kisha nuk ndërtohet pa pasun banorë të ngulun përreth. Kisha famullitare e Kelmendit me seli në Shpaja të Vuklit asht ndërtue në vjetin 1080, pra ma se 400 vjet përpara hartimit të regjistrit osman!

Tue mos përmendun Selcën, e cila njihet si katund i ngulun edhe në dokumentet sllave, të paktën qysh në shekullin XIV, 18) e qendër famullije, në nji lagje të Vermoshit, në vendin e quajtun Reshnicë gjenden rrënojat e nji katundi, që kishte edhe kishën e varret përreth. Aty asht gjetun nji kryq guri me mbishkrimin 1093, datë kjo, që përkon afërsisht me ndërtimin e kishës në Shpaja të Vuklit 19) . Emnat e vendeve të shënueme në atë regjistër si “katune” janë edhe sot toponime të rrënojave të vendbanimeve të vjetra në Vukël e Selcë, natyrisht të shkatërrueme nga turqit, sepse njihet historia e qindresës së Kelmendit. Se Kelmendi ka qenë i banuem me banorë të ngulun i përforcojnë dëshmitë e sipërme edhe rrënojat që shihen në vendin e quajtur Peshtan në breg të Cemit 20). Madje edhe ura e Tomares asht jo e re. Lidhun me kuptimin e fjalës shqip katund, nuk po zgjatemi se e kanë sqarue N. Jokli, E. Çabej, D. Moutzos 21) etj.

Të ndodhun përpara trysnive të të huejve, katundet shqiptare, aty këtu lëvizën për me zanë pozita sa ma të mira vetëmbrojtëse, ku njiherit të siguronin edhe minimumin e kushteve të përshtatshme ekonomike. Këto bashkësi fqinjësore e territoriale, natyrisht, jo fisnore, të krijueme për qëllime vetëmbrojtje u quejtën male. Kështu, njisi bazë etnologjike ku ushtrohej në masë të plotë pushteti ushtarak e gjyqësor i vetëqeverisjes simbas dokeve ishte mali 22 ). Me këtë emën ne e gjejmë qysh në periudhën fillestare të pushtimit osman. Më 1416 përmendet Mali i Hotit 23), më 1459 Mali i Tomadhesë 24) , më 1469 Mali i Bendës 25 ) , ndërsa në shekujt e mavonshëm malin e ndeshim rëndom në të gjitha malësitë e vetqeverisura 23) ). Si çdo dukuni tjetër historike edhe mali përmendet gjithandej në kangët popullore.


Haziz Neli ‘i plak i ri

Mbledh miletin e bje në Dri

Se s'bahen malet topallti

(Dibër)

 

Te nand' malet kuvendojnë

Ç‘ kan ' kto prroska qi gjëmojnë

Dy sokola po luftojnë

(Kthellë)

 

Mirash Luca i Lucë Shkjepanit

Paska ken' e zeza e malit

E zeza e malit, ksaj malësie...

(Malësi e Madhe)

 

Ket vergjinë s'und e bajnë t'rand'

Na le male si kem'qanë.

(Mat)

 

Nuk janë të rastit, të pathemelta dhe pakuptim historik e shoqnor termet e njohuna në popull e në histori si “Kanuni i Maleve”, “Krenët e maleve”, “Lidhja e maleve”, “Besa e maleve”, “U ulën malet në Shkodër” e të tjera. Janë ruejtun në traditë “Nandë malet e Dibrës” dhe shprehjet “Në këto malet tona” e prej këndej emnat Malësi e Shkodrës, Malësi e Gjakovës, Malësi e Lezhës etj.

Termi shqip mal në kuptimin e njisisë administrative, dokesore shqiptare u shpreh në terminologjinë zyrtare osmane me fjalën turke bajrak , kështu që hyni në qarkullim historik e letrar me këtë emën, e prej andej u përhap edhe në popull. Por, pamvarësisht se prania e malit dishmohet si nga doket e vendit ashtu, edhe nga burimet e ndryshme dokumentare lindore e perëndimore, midis historianëve tonë bashkëkohës nuk ka ende për këtë çashtje nji pikëpamje të njajtë plotësisht të pranueme.

Meqënëse për me tregue njisinë etnologjike themelore të malësive tona asht përdorun në libra fjala turke bajrak disa historianë dyshojnë se mos i tanë sistemi i vetqeverisjes së malësive tona qe nji organizim osman. 27)

Njisitë dokesore të malësive tona mali , dheu ose ma vonë flamuri apo bajraku, megjithëse kanë organizim të tipit ushtarak, janë rrjedhim logjik i vetëmbrojtjes e jo i aftësisë administrative osmane, apo i farefisnisë.

Edhe studjues të përmendun të historisë së ndikimit të shoqënisë islame në Europë, H. Gibb, H. Bowen 28), B. Cvetkova 29) apo historiani turk H. Inalçik 30) , nuk sjellin ndonji dishmi të mirëfilltë burimore për me provue se vetëqeverisja e malësive tona ishte krijesë e administratës osmane.

Në të kundërtën se ky organizim, si e ka vu fort mirë në dukje Gjergj Fishta, asht vendas dishmohet nga vetë malësorët, nga qindrimi i tyne ndaj tij. Fishta shkruen: “Qindrimi relativ i shqiptarit ndaj rendit e organizimit qytetar duhet vlerësue jo aq nga sistemi shoqnor i mbarë Shqipnisë, por nga ndërtimi politik e shoqëror i bajrakut i cili asht shteti i vërtetë i shqiptarit. Në idenë e shtetit (tek malësorë shqiptarë-P.Doçi) qindrojnë tre elementë të qenësishëm: pamvarësia, pluralizmi i shtëpive dhe autarkia si qëllim imediat për me u mbërritun”. 31)

Simbas Sami Frashërit fjala bajrak që në gjuhën turke veç kuptimit flamur, si term i vjetër ushtarak osman, i marrë nga kurdët, 32) ka edhe kuptimin e nji reparti ushtarak përafërsisht me batalionin (turqe tabor). Rreth fjalës bajrak ai jep edhe këto shpjegime: Bajrak açmak = me hapë (epalas) (flamur), me mbledhë ushtarë, me ngritun krye, bajrak askeri=ushtri bajraku, ushtri e formueme nga i gjithë populli për me luftue kundër anmikut 33) . Në malësitë shqiptare gjenden dishmi që vërtetojnë se bajraku mund të krahasohet dhe asht afërsisht i barazvlefshëm me nji repart ushtarak, por edhe kjo nuk do të thotë se ai ishte krijue nga osmanët. Përkundrazi. Domosdoshmëria e vetëmbrojtjes i kishte çue malësorët tonë në këtë organizim.

Puna asht se pushtuesit turq nuk mund të organizonin as të riogranizonin administratën e malësive, të cilat nuk kishin mundun t'i mbanin të nënshtrueme. Aq ma pak nuk ka mundësi të kenë shpikun për malësitë tona nji sistem të veçantë administrimi. Asht fakt i njohtun në histori se turqit kanë qenë të shtrënguem me ndjekë shpesh herë politikën e njohjes së administrimit vendës, si bie fjala në principatat Danubiane, në krahinën e Manit në Greqi, të kurdëve në Azi, etj. Nuk dëshmohet as se si për malësitë tona se ata shpikën, krijuen apo zbatuen nji sistem të veçantë administrimi, por vetëm e njohën dhe e pranuen sistemin ekzistues, por përdorën termin e vet bajrak për me tregue njisinë shqiptare që quhej mal .

Termi bajrak e shprehte me mjaft përafërsi e vërtetësi karakterin e administrimit dhe gjendjen e malësive tona, të cilat gjatë gjithë periudhës së pushtimit osman të Shqipënisë ishin me të vërtetë ushtri popullore, përherë kryengritëse që kishin shpalosun flamurin e qindresës, tue u kthye në votra të fuqishme lirie.

Meqënëse jetesa dhe liria lidheshin me qindresën në male edhe pamja e terrenit u ba element që kushtëzoi në nji farë mase e kohe njisitë katund e mal 34) . Por mali ishte edhe bashkësi ekonomike, prandaj dora-dorës, me kalimin në përdorimin e armëve personale të zjarrit dhe me përhapjen e kulturës së misrit, dukuni këto që përkojnë në kohë, kryesisht për shkaqe ekonomike, banorët e malësive u përhapën. Kështu me shtimin e aftësive mbrojtëse dhe me ndryshimin e kushteve ekonomike, mali e humbi atë element të vjetër lidhës, i cili kishte kushtëzue krijimin e tij. Si rrjedhim, mali si njisi administrative nuk përputhej ma me malin fizik në kuptimin administrativ e ushtarak të fjalës. Përhapja e popullsisë çoi në copëtimin e njisive të vjetra e krijimin e njisive të reja me nji ekonomi ma të larmishme e ma të zhvillueme. Kjo dukuni vihet re, të paktën si synim, edhe në fund të shekullit XIX 35) .

Por në këtë mes ka ndodhun edhe diçka tjetër. Në dokumentet zyrtare, në shej mospërfilljet dhe për me tregue përpara Europës se qindresa e malësive tona ishte rrjedhim i mbrapambetjes, osmanët kanë përdorun termin fis. Këtë e kapën historianët e huej dhe e përdorën gjithandej. Pa farë kriteri historik e shkencor, veç më trokem, iu veshën malësive shqiptare cilësimet tribu, clan, Stamm, rod, plemja, pleme.

Termi fis asht përdorun rëndom për me cilësue banorët e malësive tona nga studiuesit e huej, diku për plogështi, diku për dashakeqësi vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XIX e këndej, ndërsa në shekujt XV-XVIII përdoreshin termet male ose popuj , ose emni i krahinës si Kelmend Mirditë etj. 36) .

 

5. Rreth kuptimit të kanunit

 

Meqënëse u pa sado shkurt kundraja historike e votrave të qëndresës ku u shqiptue e u zbatue kanuni, le të ndalemi në disa çashtje të ngrituna nga dr. Ivanova në parathanie e hymje. Duhet thanë se pasaktësi vihen re që në parathanie. Tue synue të japë shpjegime të hollësishme për kanunin, pa pasun njohunitë e duhuna, hynë në shteg të verbët.

Kanuni nuk asht nji me doke, zakone e adet si e shpjegon në parathanie (f.3). Doke ka kuptimin e traditës, me të shprehet kundraja morale e jetës shoqnore në malësi, ndërsa kanuni asht ligj i lindun në këtë kundrajë. Termet, zakon e adet janë futun, si ndikime të hueja në gjuhën shqipe për të zavendësue, mundësisht, termin doke, por kanë përdorim ma të pakët, ma të kufizuem, madje assesi të barabartë me doke.

Studimin e vet që i paraprinë përkthimit të Kanunit e quen: “Kanuni -e drejta dokesore e Shqipënisë së Sipërme” (f. 5), pohim ky që nuk asht i saktë. Si e thotë vetë pak më tej (f.7), kanune ka pasun edhe në malësitë e Shqipënisë së Mesme e të Jugut. Sidoqoftë, vihet re lehtë kundërshtia në thelb e shprehjes së saj kur shkruen: “Në gjysmën e dytë të shek. XIX-XX organizimi fisnor i shoqnisë edhe në rajonet e Shqipënisë së Sipërme ndodhej në krizë (f.14). Credo cuia absurdum! Simbas kësaj shprehje del qartë se organizimi fisnor ka qenë i pranishëm edhe në Shqipninë e Poshtme.

Asht për të ardhun keq, por fisi e rendi fisnor madje edhe “katuni” si organizatë blegtorale nomade kanë gjetun strehë edhe në shkrimet e autorëve tanë.

S. Pulaha tue u mbështetun në shkrimet e B. Gjurgjevit dhe “interpretimet” e gabueme të “Defterit të Sanxhakut të Shkodrës” të vjetit 1485 dhe 1496, i ka përdorun gjanësisht si të qenë termet: “organizim shoqëror mbi bazën e fisit, ose katunit, mbisundimin e pronës së përbashkët, ruajtja e vllazërive, fiseve e katuneve, lidhjet e gjakut nuk ishin shfuqizuar, spahinjtë nuk depërtuan në bashkësitë fshatare dhe në organizata blegtorale ta katuneve” 37) .

E përmendëm ma nalt se si qëndronte puna në Kelmend, por S. Pulaha quen fis jo vetëm Kelmendin, po edhe Kthellën e Selitën 38) , ndërsa J. V. Ivanova shkon edhe ma tej. Të tre bajrakët e Ohrit i quen fis, e si u shtuen u ndanë në tri vllazni 39) .

Për të mos u zgjatun në lidhje me “fisin” po përmendim se në vjetin 1977 ka qenë organizue nji diskutim i gjallë shkencor, në të cilin qenë vu në pah rrumbullak “interpretimet” e gabueme të S. Pulahës. Mirëpo edhe 14 vjet ma vonë pohohet: “Edhe përsa i përket zonave të vetëqeverisuara malore dhe organizimit të brendshëm shoqëror të tyre.... S. Pulaha i mbështetur edhe në të dhënat e defterëve osmane të regjistrimit jo vetëm që jep një pamje më të plotë të tyre, por falë një “interpretimi ” të drejtë arrin në përfundime bindëse 40) . Ne sipër i përmendëm pikëpamjet e S. Pulahës dhe “interpretimet” e tij alla Gjurgjev dhe S. Pollo ishte në diskutim. Veç kësaj po në atë numër të “Studimeve historike” botohet artikulli tepër skandaloz i një farë K. Kazer, në të cilin flitet për lindjen e shoqënisë farefisnore, të njësive gjinore e farefisnore etj., ku Dibra quhet fis dhe dibranët i barazon me sarakacenët 41) etj. Botimi i këtij artikulli pa ndonji shënim të redaksisë, dishmon se redaksia edhe më 1991 asht nji mendje me autorët e huej se Shqipnia jo vetëm ka qenë, por edhe asht votër lindjeje e zhdukjeje fisesh si u tha në fillim.

Tue i mbyllë këto shënime do të thoja se Ivanova, megjithëse asht mbështetun në autorë të huej e kryesisht sllavë, në çashtjen e fiseve e të rendit fisnor, ka kolegë edhe midis nesh. Sidoqoftë, etnologët e historianët tonë duhet ta kuptojnë se “Zgjidhja që mendojmë ne se është vërtetuar sot nga studimet historike dhe etnologjike, është se këtu s'kemi të bëjmë me “fise” me kuptim të plotë dmth me bashkësi të një gjaku, por me bashkësi territoriale, të formuara në kushtet e pushtimit osman si vende strehimi. Ç‘ka i bashkoi, ishte në radhë të parë nevoja e vetëmbrojtjes 42) .

Se ka ardhun koha të vihet në vend kjo zgjidhje nuk ka pikë dyshimi. Mbase jemi jo pak të vonuem.

 

1. Hylli i Dritës, Shkodër 1939, nr. 8-10, fq. 502

2. B. Palaj, Kanuja e Lekë Dukagjinit mas shqiptimit të Mark Sadikut “Studime e tekste” dega juridike nr.1, Romë 1944, fq. 270-279.

3. V. Bogishiq, Zakon Leki Dukagjina, në “Anali pravnog fakulteta” u Beogradu, 1956 okt-dec, nr. 4, f. 466-474.

4. R. Kosmajac, “Leka-Kanum” në Godishnica Nikole Cupica, izdaje njegoca Zaduzhbina kniga XXI, Beograd 1901.

5. G. Valentini, Sulle orgini militari della terminilogia del Kanun, në “Rivista d'Albania” anno IV, fashic, 2 giugio 1943 f. 79-82.

6. S. Pupovci, Marrëdhaniet juridiko civile në KLD, Prishtinë 1971.

7. S. Pupovci, KLD përmbledhur e kodifikuar nga Sh. K. Gjeçov, me biografi dhe parathanie të Prof. Dr. S. Pupovcit, Prishtinë 1972.

8. Shih reçensionin në “Studime historike” Tiranë 1975, nr. 1, fq. 229-240.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net