Nënë Tereza, një vit më pas
Më 19 tetor 2004, u mbush një vit nga fillimi i shenjtërimit të Nënë Terezës, i cili do të pasohet në vitet që vijnë me një ceremoni tjetër që do të shënojë përfundimin e shenjtërimit. Vepra e saj dhe mirësia e saj botërore e ngriti shumë lart shpirtin shqiptar...Ajo i tregoi botës se sa i çmuar është shpirti dhe gjeni shqiptar, sa thesare përmban ai shpirt dhe sa kulturë dhjetra-mijëvjeçare përcjell ai gjen. Në faqen e Vatikanit në internet, www.vatican.va/news_services/liturgy/saints, në jetëshkrimin për të, shkruhet qartë në gjuhën shqipe, anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht, fjalia e saj e virtytshme: “”Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi indiane. Përsa i përket besimit jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Ajo i gjallëroi zemrat dhe e ngriti krenarinë e shqiptarëve kudo ku janë.
Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, rrjedh nga një familje shkodrane e zbritur nga Fani i Mirditës, që pasi u shpërngul në Prizren kaloi në Shkup. Ajo ishte fëmija e tretë e prindërve, Kolë dhe Drane Bojaxhiu. Ajo lindi në Shkup, ku i ati merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e vet artistë dhe atdhetarë shqiptarë. Ditëlindja e saj është 27 gusht 1910. Gjashtë vjet më parë i kishte lindur e motra, Agia dhe tre vjet pas Ages, i vëllai Lazri. Mësimet e para i bëri në një shkollë shqipe të Shkupit, ndërsa gjimnazin po në atë qytet në gjuhën serbo-kroate. Familja e Nënë Terezës zhvendoset në Tiranë, pasi i ati i saj vdes i helmuar nga sllavët gjatë një udhëtimi për në Beograd ku kishte shkuar për të hapur një shkollë shqipe. Dëshirat e saj të rinisë ishin të bëhej mësuese, të shkruante dhe të këndonte poezi, të hartonte dhe të muzikonte. Emrin Tereza e mori në moshën 18-vjeçare kur u bë murgeshë në Institutin “Motrat e Loretos” në Irlandë.
Sipas Artistes së Popullit Marija Kraja dhe njëkohësisht mike e familjes së Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Tereza e ka quajtur ditën më të bukur të jetës së saj, ditën kur për herë të parë pas 50 vjetësh vizitoi Shqipërinë në vitin 1989. Prejardhja e saj shqiptare bëri që të jetë shoqëruese e Papës gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 1993. Fqinjët e shtëpisë së prindërve të saj, që vonë e kishin mësuar emrin e saj, çuditeshin kur shihnin gruan e vogël, por me famë të madhe, që shkelte në rrugicën e tyre me këmbët e zbathura, tregon Marija Kraja. Nënë Tereza haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip, pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Në shkrimet e saj në shqip, përmenden letrat e saj të rinisë, letrat e shkëmbyera me familjen, përshëndetja drejtuar popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobël më 1979, lutja në shqip përcjellur nga Zëri i Amerikës më 17 qershor 1978, etj. Kur ishte e re, ajo ka shkruajtur edhe poezi në gjuhën shqipe dhe për këtë shkrimtari i nderuar Naum Prifti, na jep si shembull poezinë e mëposhtme që ajo e shkruajti gjatë udhës për në Indi kur ishte 22 vjeçe.
* * *
LAMTUMIRË
Po lë shtëpinë zemërfanar
Vendlindje e farefis
Po vete n'Bengalin dergje-vrarë
Atje, në të largtin vis.
Lë të njohurit në mejtime
Të afërmit e vatrën shqim,
Më tërheq zemra ime
T'i shërbej Krishtit tim.
Nënë e dashur, lamtumirë
Ju le shënde'n miq të mi
Më djeg, o, një fuqi e dlirë
Drejt të përflakurës Indi…
Dhe anija lehtë lehtë lundron
Pret valët e detit të trazuar,
Për herë të fundit syri vrojton
Brigjet e Evropës së hakërruar.
Qëndron në anije e galduar
Fytyrë e përvuajtur gjithë hare
E Krishtit flijetarja e vluar
Nuse e njomë e botës së re,
Një kryq hekuri n'dorë shtrëngon
Shpëtimi lëvarshëm kumbon në të,
E shpirti i gatshëm pranon
Baltën e rëndë fli për të,
Pranoje, këtë flijim, o Zot,
Dëshmi e përbetimit që të dashuroj,
Ndihmoi gjallesës Tënde sot
Që emrin do të madhëroj!
Si shpërblim, Të lus o i Hirt',
O Ati ynë plot mirësi
Të më japësh vetëm atë shpirt
Atë shpirt që-veçse Ti e di.
Dhe t'imtë, të pastër si n'ag vere vesojnë
Të valët lot rjedhin qetë, me mall,
Që betimin për Ty prore e madhërojnë
Për të madhin blatim që tani u shpall.
* * *
Nënë Terezës për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tri letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Një tjetër letër ia kishte nisur ish-presidentit të Republikës në vitin 1989, të cilit i theksonte se: për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim. Kurse letrën e tretë ia kishte drejtuar kryetares së Frontit Demokratik, të cilës i lutej që ta ndihmonte për të ardhur në Shqipëri pasi donte të shihte varrin e nënës së saj. Më në fund, e para pashaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhënë për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë më 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pashaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pashaportën shqiptare ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pashaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty”. Kur mori çmimin Nobël në vitin 1979, shteti amerikan i ofroi nënshtetësinë amerikane dhe pashaportën, por ajo nuk pranoi. Në vitin 1991, presidenca shqiptare krijoi dekoratat me titujt Urdhri Nënë Tereza e Artë dhe Nënë Tereza e Argjendtë. Ky urdhër u synua t'i jepej veprimtarëve, të cilët do të jepnin ndihmesë të veçantë në shërbimet njerëzore. R. Alia e ligjëroi një urdhër të tillë, por nuk e dha ndonjëherë, ndoshta me nënarësyen se në Shqipëri nuk kishte të varfër e nuk kishte vend për shërbime bamirësie. S. Berisha pas tij e dha aq shumë këtë urdhër sa e shpërdoroi fare. R. Meidani gati e harroi. Sot nuk dihet nëse ekziston apo jo.
Në çastin e marrjes së çmimit Nobël më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo foli hapur dhe qartë: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Gazeta Uashington Post, 16 tetor 2003, shkruante qartë se Nënë Tereza ka lindur në Shkup në kohën kur nuk kishte IRJM dhe Shkupi asokohe ishte qytet i perandorisë Otomane. Më tej, artikulli vazhdonte me fjalën e Nënë Terezës që sipas gjakut ajo është shqiptare. Madje artikulli përmendte edhe një përpjekje të kotë atë verë, të një skulptori sllavo-maqedonas që kishte krijuar një shtatore të Nënë Terezës me mbishkrimin “Një bijë e Maqedonisë” (IRMJ) me synimin për ta dërguar në Romë me rastin e lumturimit të saj.
Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë. Duke qenë një shqiptare trupvogël, por një legjendë e madhe, ajo i kaloi kufinjtë shqiptarë duke u bërë përkatësi dhe qytetare e botës, e popujve, e feve dhe qytetërimeve. Në vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë që i shërbejnë tërësisht të varfërve. Vetëm sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960000 të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë. Sot, Urdhri i saj ka më shumë se 700 streha në 132 vende. Presidenti Bill Klinton u shpreh hapur në qershor 2002 se: “Nënë Tereza ishte e para ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Ndër titujt që i janë nderuar Nënë Terezës rrjeshtohen: Pamada Shir, Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi vetë Papa Pali VI, Samaritani i Mirë në Boston, Shpërblimi Ndërkombëtar Xhon Kenedi në Uashington, Nëna e të Gjithë Nënave, Balzan, Çmimi Nobël për Paqen, Medalja e Lirisë si shpërblimi më i lartë i Amerikës, Medalja e Paqes si shpërblimi më i lartë i Rusisë, etj.
Nënë Tereza ndërroi jetë në Kalkuta të Indisë më 5 shtator 1997. Një komision dioqezian u krijua në korrik 1999, kur Papa Gjon Pali II dha leje të posaçme që kjo murgeshë me origjinë shqiptare të hynte në rrugën e shenjtërimit të saj. Një raport prej 35000 faqesh për jetën e Nënë Terezës iu dërgua Vatikanit nga Kalkuta si pjesë e procesit të shenjtërimit. Fillimi i shenjtërimit të Nënë Terezës u bë më 19 tetor 2003, në sheshin e “Shën Pjetrit” në Vatikan dhe u ndoq nga mbi 250 000 njerëz, pa llogaritur filmimet e drejtpërdrejta nga të gjitha televizionet e botës. Paralelisht me atë ceremoni madhështore dhe të rrallë u organizuan veprimtari nderuese në Tiranë, Prishtinë, Shkup, etj. Më 17 mars 2004, piktori i talentuar shqiptar, Artan Shabani, i dhuroi Papa Gjon Palit II portretin e Nënë Terezës. Nga ana tjetër, për Nënë Terezën po ngrihen përmendore në Tiranë, Prishtinë, Bratislavë (Sllovaki), Strasburg (Evropë), Tenenerife (Madagaskar), Johanesburg (Afrika e Jugut), etj. Qoftë i lëvduem shpirti i saj!
Saimir Lolja
|