VEÇORITË PSIKOLOGJIKE 
• Pamja e jashtme pasqyron botën e brendshme
Duke u mbështetur në vëzhgimet tona dhe në përshkrimet që kanë bërë vizitorë vendas dhe të huaj për mirditorët, ne mund të bëjmë afërsisht këto përcaktime mbi botën e brendshme dhe paraqitjen e tyre:
Ata kanë pamje të jashtme të rregullt dhe simetrike kanë trup të lidhur, jo fort të gjatë dhe pak janë me shtat të lartë e të hajthëm, kanë fytyrë krenare, flokë të drejtë me nuanca të errta, gështenjë, kafe- gështenjë, por edhe të kaltër, në ndonjë zonë është për t'u vënë në dukje prania e flokëve të kuqërremtë.
Në vështrimin përmasor të fytyrës dallohet lartësia e saj dhe zhvillimi në gjerësi, sidomos në pjesën e sipërme, e cila vjen për shkak të harqeve mollëzore të dala, konturi trekëndësh është mbizotërues dhe përfundon me një mjekër këndore ose pak të rrumbullakt. Meqenëse fytyra është e hollë dhe gjatë të krijon idenë e një raporti jo të drejtë me kokën. Spikat hapja mesatare rrethore dhe shigjetore e syve, tek të cilët dallohen nuancat kafe, kafe-jeshile dhe e çelët që i përkasin ngjyrimeve të errta. 
Banorët e Mirditës përgjithsisht kanë pamje të dallueshme me supe të gjërë, ndërsa në anësitë e sipërme vërehet njëfarë diference krahasuar me ato të poshtme. Ngjyrat mbizotruese të lëkurës janë e bardha dhe rrallë rozë. “...Qafa e gjatë dukej të qe një karakteristikë e mirditorëve.
Në përgjithësi mirditorët nuk m'u dukën të gjatë aq sa shqiptarët e tjerë, por ata janë jashtëzakonisht të shkathët dhe aktivë, kanë një kafkë koke të mirë dhe fytyrë të shkëlqyer e të mprehtë. Nuk munda të vendos nëse mbizotëronte ngjyra e errët apo e verdhë....” kështu i përshkruante dhe karakterizonte Edit Durhami.
“Mirditori vjen shtatmesëm, fytyrëgjatorë, mustaqeli (Për zotin i thonë burrë një njeriu që ka mustaqe të gjata), hundëhollë, flokëgështenjë, sygështenjë (kemi parë një kategori të madhe me sy të kaltër) mes-hollë dhe përgjithësisht i thatë.
Tjetërsoj është i zgjuar - e rremben fjalën menjëhërë - ka një fytyrë të qeshur ndonëse rron një jetë të mjerë. I pëlqen shakatë, është i shpejtë në llaf, s'ka fjalë shumë, është i nxitueshëm, ka tolerancë, ndrron shpejt pas çarkut, është fanatik, po shpirtin se ka fetar, është luftëtarë i mirë dhe mjaft i shpejtë nga këmbët”, këtë vëzhgim të imët e ka bërë Stavri Frashëri.
Mirditorët perceptojnë e vëzhgojnë me kujdes, flasin pak e ngadalë, janë të përmbajtur, gëzimin dhe hidhërimin si ndjesi fillestare i shprehin me masë. Kjo është pak e çuditshme po të kuptosh se kanë një botë të pasur shpirtërore. Por pasi të vëzhgosh sjelljet e tyre vëren se kjo shprehje disi e ftohtë është veçse një element mbrojtës emotiv i rafinuar nga koha në kohë; sepse siç do të trajtojmë edhe më tej duket se një komportament i tillë vjen në bazë të një gjykimi të përcaktuar nga rrethana të ndryshme ku vlerësohet si cilësi: “të mbajturit e vetes” dhe si dobësi: dorëzimi pa kusht në duart e pasionit. 
Do të analizojmë e shohim dhe pika kulmore të këtij dueli duke ravijëzuar dhe më mirë këtë kontrast mes kesaj paraqitjeje mbrojtëse për hir të vetëkontrollit aq të vlerësuar dhe ndjesive të brendshme të mbarsura me emotivitet vullkanik të papërmbajtshëm. Ashtu siç do të bindemi për botën e pasur shpirtërore që mirditorët posedojnë duke i hulumtuar ata në pikun e gëzimit a hidhërimit ku emocioni le të themi është legjitim.
Mirditorët janë luftëtarë të lindur, lëvizin shpejt e me shkathtësi, janë besnikë të fjalës së dhënë, vital, të qëndrueshëm, të pamposhtur dhe të gatshëm për t'u flijuar për të realizuar qëllimet e vëna. Ata janë fjalëpakët edhe kur qajnë duket se këndojnë, janë të dashur, të mprehtë e me paraqitje të kulturuar, manifestojnë sens humori, janë jo lehtësisht të zbërthyeshëm dhe kanë saktësi në të shprehur.
Imzot Zef Simoni është shprehur se.... “Nuk gjejshe miq ma të mirë se ata (mirditorët) nga zemra, nga fjala, nga besa e thjeshtësia e jetës, të urtë e të matun”.
..”veçanërisht mirditorit janë liridashës, krenarë dhe mikpritës” kështu i portretizon ata Vantelli.
Mirditorët janë të hapur. Nuk e njohin dyfytyrësinë, prapaskenën qoftë për probleme të vogla e të parëndësishme, apo për episode madhore e thonë fjalën e tyre hapur, pa mëdyshje e pa prapaqëllime. Ata kanë një prekshmëri të madhe, janë të urtë, trima, të ndershëm, mikpritës e me cilësi morale të spikatura; janë të zgjuar e intiligjentë, me mendje të hollë dhe më parë se dora gjithnjë u ka punuar mendja.
Nuk janë të lëvizshëm, të shtirur dhe pak të manipulueshëm. Kjo cilësi është rrënjosur thellë brez pas brezi, prandaj mirditori nuk di të bëhet zëdhënësi i dikujt tjetër, dhe në këto rrethana gjendet i paaftë të ndërtojë a t'iu përshtatet klaneve. Për të ka më shumë vlerë ruajtja e identitetit se përfitimet e çastit.
Gjenetikisht nuk janë hakmarrës, por vendosin shpejt dhe mjaft rreptë, prandaj ka ndodhur që jo në pak raste të kapërcehet masa. Kjo dukuri rrjedh sepse kalojnë shpejt nga një gjendje ekstreme në tjetrën, kështu gëzimi e pezmi, paqja dhe lufta, jeta dhe vdekja në situata të veçanta kanë kufinj të papërcaktuar.
Mirditorët shquhen për origjinalitet, paraqiten pak konservatorë brenda familjes e krahinës, ndërsa jashtë saj përshtaten natyrshëm.
Ideali më i madh i tyre është mbrojtja e lirisë dhe kjo ndjenjë në momente të veçanta është shoqëruar me anarki.
Manifestohen në disa momente mendjemadhësia dhe elementë të grabitjes, veçse këto nuk janë tipare të karakterit, por më tepër produkte të forcës së zakonit dhe varfërisë së tejskajshme.Tregohen edhe tani ngjarje se si uleshin në fushë e plaçkisnin dhen e lopë dhe këto faje që bënin ndaj fusharakëve i vlerësonin. Individët që dalloheshin në kësi punësh i konsideronin burra të idhët e cuba të mëdhenj.
Ndonjë studiues i huaj apo vendas që i përgjithëson këto raste dhe i paraqet mirditorët si plaçkitës, gabon , pasi fenomene që përmendëm më lart, kanë qenë të kufizuara dhe janë shfaqur në individë të veçantë.
Ndoshta analizën dhe shpjegimin më të saktë për këtë problem e gjejmë në fjalën e imzot Bumçit, në Konferencën e Paqes në Paris , i cili ka thënë: “.. si duhet me i quejt perëndimorët a lindorët kur vidhen jo një lopë a një dele, por mija e mija për të mos thënë miluj e miluj frangash liretash, stërlinash a markash..”.
• Ndjesia e dinjitetit të barabartë
Mirditorët kanë një botë të pasur shpirtërore me tipare fisnikërie, ndaj dhe ndryshimi midis krerëve më të lartë dhe fshatarit më të thjeshtë, midis atij që kishte me bollëk dhe atij që s'kishte bukën e gojës bie nga ndjesia e dinjitetit të barabartë. Ata komunikojnë lirshëm, por shquhen për të qenë protagonistë e përfaqësues.
Sigurimi i mëvehtësisë nga koloret e ndryshme pushtuese, natyrisht që u ka kushtuar shtrenjtë, por nga ana tjetër, u ka dhënë në dorë një kartë të fortë krenarie, që dalngadalë është bërë pjesë e karakterit të tyre. Qenia i papushtuar, i pacenuar në fe, i panënshtruar ndaj askujt, përveçse një sakrificë tejnjerëzores në një mënyrë krejt normale në terren është përceptuar si privilegj dhe është shoqëruar me zhvillimin e disa prej cilësive që shfaqen dhe në kohën e re.
Protagonizmi në kuvend është njëra syresh, mirditorët flasin ngadalë dhe duan t'u dëgjohet fjala. Edhe ideja për të qenë përfaqësues të zonës është fryt i këtij mentaliteti. Ata e kanë të vështirë të kuptojë se izolimet shumëngjyrëshe që atakuan Mirditën pollën një mosnjohje “in extremis” për traditat, cilësitë, e meritat e saj.
Prandaj krenaria e dikurshme që kishte në bazë privilegjin e të qenit që në krye shqiptar i kulluar, pa ndotje të asnjë forme nga baltrat e ndryshme që iu ngjitën këtij vendi gjatë shekujsh pushtimi ç'ekuilibrues, sot manifestohet nga shenja kryeneçësie dhe zemërimi ndaj mosnjohjes.
Por në raste të veçanta kjo ka ushtruar forcën e vet mbi mirditorët duke i tulatur, duke zhbërë e lëkundur ëndrrën, identitetin e historisë së tyre, e cila përbën edhe dukurinë më negative që solli shekulli i kaluar. Që këtu kërkohet të fillojë ringritja shpirtërore që mosnjohja të mos numërojë ditët e apokalipsit të sotëm.
Mirdita për vetë kushtet natyrore, me reliev te thyer e tokë jopjellore apo për shkak të izolimit ç'ka vështirësonte mjaft lidhjet e ndryshme ekonomiko-tregtare, ka qenë një vend i varfër.
Ndryshimet në gjendjen ekonomike të familjeve ishin të vogla, vetëm një pakicë gëzontë një gjendje të mirë. Gjithësesi me sa duket postulati: “pasuria nxjerr vesin e varfëria virtutin” në Mirditë ka zënë mjaft vend, ndonëse të vuajtur për bukën e gojës pasurimi nuk ka qenë në thelb një ndër çeshtjet egzistenciale te mirditorëve.
Mbi pasurinë gjithmonë janë vlerësuar cilësi të tjera te karakterit ç'ka vihet mjaft mirë në dukje edhe nga shprehja “pasuria shkon e vjen, nderi shkon e s'kthehet”. Kjo ka bërë që pasuria të mos ndikojë dhe aq në pozicionin hierarkik të familjeve dhe nga ana tjetër ka ndikuar në atë që familjet e varfëra të mos nëpërkëmben, të mos ndihen inferiore në debate, kuvende etj.
Princesha e Mirditës, pyetjes se cili ishte ndryshimi që mendonte ajo, pas martesës midis familjes së saj dhe asaj të burrit, i përgjigjet: “Ajo që kam vërejt dhe që e dallonte familjen time me atë të burrit ishte se te kjo e fundit mungonte pasuria, gjëja e gjallë, bulmeti, ndryshim tjetër mua nuk më ka bërë përshtypje”. |