ALEKSANDËR MOJSIU POHON ORIGJINËN E TIJ MIRDITORE
Rreth një gjysmëshekulli më parë, në vitin 1954 e 1955, diku qe shkruar se artisti me famë botërore, Aleksandër Mojsiu, ishte me origjinë mirditore. Por, çuditërisht, ato rrjeshta që e pohonin këtë të vërtetë sikur “humbën” dhe në monografinë luksoze kushtuar kësaj figure të madhe, botuar më 1976, kjo e vërtetë nuk u përmend.
Por e vërteta “zhytet e mbytet, po kurrë nuk hup”, siç thonë mirditorët. Dhe u desh të vinte viti 1996, kur poeti dhe studjuesi kosovar – Agim Vinca, ta shpaloste këtë në gazetën “Drita” në shkrimin “Mojsiu i panjohur”.
Në këtë shkrim, duke folur rreth vizitës së Aleksandër Mojsiut në Beograd më 1932, poeti sjell me të vërtetë të dhëna të panjohura rreth jetës së artistit të madh. Duke folur për shfaqjet që jepte ky artist në vijim të një turneu në vendet e Ballkanit, si në Beograd, Athinë, Stamboll e Bukuresht, poeti Agim Vinca jep “Disa të dhëna dhe detaje lidhur me ardhjen dhe shfaqjen e A, Mojsiut në Beograd në vitin 1932, të cilat kanë mbetur të panjohura për publikun shqiptar edhe sot e kësaj dite, pra pas më se 60 vjetësh”. (Gazeta “Drita” 20 shtator 1996).
Një ndër këto “të dhëna” është edhe pohimi, me gojën e tij, i origjinës së artistit me famë botërore, gjatë një interviste të atyre ditëve, botuar në revistën e Beogradit “Pozeriste. Nedelni ilustrovani asopis”. (Teatri. Revistë e përjavshme e Ilustuar).
Dhe në parashtrimin e kësaj interviste theksohej se “Pas ardhjes së tij në Beograd (Mojsiu) u dha gazetarëve deklarata interesante për veten, për artin teatror, për filmin tonik e tjerë.
Ndër të tjera mësuam: Babai i tij është shqiptar, katolik nga fisi Mirdita. Ka qenë tregtar në Durrës. Më vonë erdhi në Trieste dhe u martua me një fiorentinase. Këtu lindi Aleksandër Mojsiu”. (Gazeta “Drita”, 20 shtator 1996).
“Siç e shihni, nga babi edhe unë jam ballkanas” – u drejtohet A. Mojsiu gazetarëve, pasi u ka shpjeguar prejardhjen e tij dhe origjinën mirditore të babait të vet. Dhe ka qenë pikërisht theksimi i këtij fakti, të qënit ballkanas, që e ka shtyrë artistin me famë botërore në imtësi biografike të origjinës së tij, si të thuash, vërtetimi i saj. Ky “deklarim” merr një rëndësi të veçantë sepse, së pari, bëhej diku jo larg vendlindjes së të jatit – Mirditës, dhe së dyti, sepse ishte koha kur kishte jo pak grindje për origjinën e gjeniut që kishte luajtur me sukses të jashtëzakonshëm në shumë skena të Europës e të botës.
Artisti me famë botërore e deklaronte origjinën e tij mirditore në një kohë kur përflitej shpesh për origjinën çifute” të tij. Dhe A. Mojsiu gjen rastin të flasë me krenari për origjinën e tij, por edhe për respektin që kishte për çifutët, në një kohë kur ishte tendenca për t'i denigruar ata. Ndaj pyetjes: “Ju nuk jeni çifut?” Ai i përgjigjet: “Nuk do të turpërohesha për këtë, por nuk jam”. Dhe më tej shtonte: “Ka shumë njerëz që mendojnë se jam çifut, pak për shkak të emrit – edhe pse emrat dhe mbiemrat biblikë janë të shpeshtët te shqiptarët katolikë – pak për shkak se këtë famë e kanë përhapur hakën krajolerët (kryethyesit)”.
Duke e sjellë pohimin e artistit të madh për origjinën e tij mirditore, ndjejmë obligimin për të falenderuar poetin dhe studjuesin kosovar A. Vinca për hulumtimin dhe publikimin e kësaj të vërtete, që i bën krenarë mirditorët, për ndihmesën që kanë dhënë edhe të parët e tyre në lëme të ndryshme të jetës në rrjedhën e shekujve, nga lashtësia, deri në kohët moderne. Zbulimi i këtyre të vërtetave nuk ka të bëjë me tendencën për t'u shkuar “në rrënjë” gjërave , për një lavdi të pamerituar, por për të nxitur gjurmime të mëtejshme në fushën e historisë dhe të kulturës shqiptare.
Marrë, me ndonjë ndryshim, nga gazeta “Mirdita”, Nr. 5, qershor 2001.
Me bashkautor poetin dhe studiuesin Ndue Dedaj.
Faqe 83 ka një foto të Aleksandër Moisiut.
KANË SHKRUAR PËR MIRDITËN
1
RISTO SILIQI
O Mirditë! O trimnesh' e dheut,
I Arbnisë fis i kryekreut,
Qysh se mbeti në robni Shqipnia,
Q'se iu kputën fama e fuqia,
Ti gjithherë u mprove e s'u mujte,
Nuk i dhe e nuk u përvujte!
Vuejte prova, por s'i mbete shtegut
Dhe ia mbajte jazin Skandërbegut!
Meç'i yti, si në kohna t'moçme,
Njasi tipi asht dhe n'ditë të soçme;
I arsyeshëm e trim porsi zana,
Arm't e tija janë baba e nana,
Fat e motër – Fishët në kuleta,
Shpi e votër – fush e ‘male t'shkreta…
Jeton i lirë n'ato pyje pishash,
Sytë s'i tremben, ehu! As prej bishash;
Duem shoshojnë porsi trimi trimin,
Si prej t'parve që kanë trashëgimin.
(vepra f. 91)
2
LAZGUSH PORADECI
S'hyn dot ti turk e turçeli,
Në kullat mirditore;
Të pret në pritë e në frëngji
Mirdita pushkëmizore.
S'del dot ti turk e turçeli,
Prej atmes mirditore;
Të shtrin në pritë e në frëngji
Mirdita plumbmizore.
Kështu Mirdita kish adet
Kur turku vjen të ngasë,
Në pritë e në mejdan përvjetë
Nga një pasha ta vrasë!
Vepra, f. 286, 291
3
ELENA GJIKA
“Mirdita është zemra e Shqipërisë, tek e cila gjen strehë shpirti i pavarësisë”.
“La nacionalita albanese”
Kozemcë. 1867, f. 34.
4
ISMAIL QEMALI
“Mirditasit nuk luftojnë për asgjë tjetër, veç për pavarësinë kombëtare”.
AIH, Dosja 22-8-870
5
PROF. DR. JUP KASTRATI
“Mirdita është një histori thesaresh në historinë tonë kombëtare”.
N. Dedaj, Gazeta “Mirdita”, shtator 2003.
6
TOBIAS SVENNINGSEN
(Ish ambasador i Norvegjisë në Shqipëri)
“Mirdita ka qenë qendër e qëndresës popullore shqiptare”.
Gjon Marku, “Mirdita – Intervista”, f. 205.
7
PROF. DR. ISMET ELEZI
“Mirdita ka qenë dhe mbetet në historinë kombëtare “atdheu” i Kanunit të Lekë Dukagjinit”.
Gjon Marku, “Mirdita – Intervista, II, f. 47.
TREGUES I ILUSTRIMEVE
-
Stema e Arbërit mesjetar – Gj. Marku, “NDËRFANDA”.
-
Stema e Dukagjinëve – T. Çobani, “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”
-
Sanxhaqet e Shqipërisë në fillim të shekullit XVI, Historia e Shqipërisë, I, 1967.
-
Sanxhaqet e Shqipërisë në shekullin XVII, Historia e Shqipërisë I, 1967.
-
Stema e Lekë Dukagjinit, Jaho Braho, Flamuri kombëtar shqiptar.
-
Flamuri i Mirditës (Dibrri), Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës.
-
Portreti i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Lekë Dukagjinit.
-
12 bajrakët e Mirditës, Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës.
-
Portreti i Gjergj Kastriotit, Albumi “Rilindja Kombëtare”.
-
Portreti i vërtetë i Skënderbeut të pathyeshëm, Revusta “Kuq e Zi”, Nr. 2 2003
-
Elena Gjika, Albumi “Rilindja Kombëtare”.
-
Aleksandër Moisiu, Vangjel Moisiu, Monografi.
|