
MIRDITA – VATRA QENDRORE E DUKAGJINËVE
Idea se Mirdita ka qenë vatra qendrore e Dukagjinëve ka dalë, herë direkt, herë indirekt, edhe kur kemi shtruar pyetjen: “Ku shtriheshin Dukagjinët?”, edhe kur kemi folur për “Vatra e hershme e Dukagjinëve”. Por, pasi kjo ide shpesh anashkalohet nga historianët e ditëve tona, siç është anashkaluar edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, e shohim të nevojshme të sjellim edhe pohime të tjera të historianëve e studiuesve të ndryshëm, që e vërtetojnë edhe më mirë këtë ide.
Së pari, duhet mbajtur parasysh se Lezha ishte “kryeqyteti” i parë i Dukagjinëve. 82). Dhe, lidhur me këtë, duhet mbajtur parasysh se, siç thoshte rilindasi Preng Doçi në revistën “Flamuri i Arbërit”. “Lezhë ka bërë pjesë, sikurse edhe sot, në trevën e Mirditës, e cila, në këtë kuptim, “qe cep i derës së Dukagjinëve”. 83).
Së dyti, se Mirdita ishte vatra qëndrore e Dukagjinëve pohon edhe historiani S. Pulaha, kur tregon se “në vitet 1529-1536 në vilajetin e Dukagjinit bënin pjesë, përveç Hasit, “viset e nahijave të Iballës, të Spasit, të Fanit të Madh, të Fanit të Vogël, të Mirditës, të Pukës, të Dibrrit, (njëri nga 5 bajrakët e Mirditës në perëndim dhe veriperëndim të saj) dhe të Klladrës, (treva që duket se i janë bashkangjitur Dibrrit; ndoshta trevat që përfshihen në ditët tona në “bajrakët e Lezhës) gjithësej 108 fshatra”. 84).
Së treti, shkrimtari Pjetër Budi, duke e zgjeruar disi tepër hapësirën ku banonin Dukagjinët, por duke ruajtur thelbin e së vërtetës, shkruan se “Dukagjinët banojnë në malësitë përmbi Lezhë, ndërmjet Shkodrës e Krujës”. Dhe më tej vazhdon: “Popuj të Dukagjinit thirreshin Bendera, Suma, Iballja, fani i Madh, Fani i Vogël, Mirdita”. 85).
Së katërti, në përfundimin se Mirdita përbën vatrën qendrore të Dukagjinëve arrin edhe kur merr në konsideratë pohimin e historianit K. Biçoku. Ai pohon se “në sanxhakun e Dukagjinit, në të tre rregjistrimet e shekulli XVI (1529, 1571, 1591) kishin përkatësisht, 1. Iballë – 253, 331, 413 banorë, 2. Spasi – 197, 352, 470, 3. Fani i Madh – 126, 143, 122, 4. Fani i Vogël – 263, 231, 214, 5. Mirdita – 161, 128, 142, 6. Puka – 284, 235, 421, 7. Dibrri e Klladra – 250, 712, 759, 8. Zadrima – 300, 485, 630 banorë”. 86).
Së pesti, studiuesi S. Popovci, duke folur për familjen e Dukagjinave, sjell pohimin e M, Shuflait, sipas të cilit “Kjo familje e madhe sundonte viset midis Lezhës dhe Fanit, me seli në Lezhë”. 87). Një degë e këtij trungu të Lezhës, siç duket të paslindurit e Tanushit II Dukagjini, birit të Lekës I, përmenden si sundues të fshatit Përlat të Mirditës që më 1442.
Së gjashti, studiuesi S. Popovci, duke gërmuar në historinë e familjes së Dukagjinëve, na kujton një relacion të vitit 1610 të M. Bicit, sipas të cilit “Fshati i Ndërfandës është në Dukagjin kurse fshatrat e Fandës (të Fanit) janë krahinë e Dukagjinit”. 88).
Së shtati, historiani S. Riza, duke folur për Dukagjinin e viteve 1560-1570, na kujton që Gj. Muzaka “përmend emrat e tre vëllezërve: Gjergj Dukagjini – zot i Zadrimës, Tanush Dukagjinin, që kishte Fanin dhe Dukagjin Dukagjinin,… që zotëronte 8 katunde në Zadrimë”. 89).
Së teti, edhe studiuesi P. Doçi, duke folur për historinë e Mirditës, na kujton se “M. Shuflai përmend Lidhjen e madhe të Mirditasve në krahinën e Dukagjinit qysh në mesin e shekullit XVI”. I këtij mendimi është edhe studiuesi N. Toma, sipas të cilit”. “Pas shkatërrimit të Principatës së Arbërisë, territori i Mirditës bënte pjesë në territoret e Dukagjinëve dhe vazhdonte të quhej Dukagjin”. 90).
Së nënti, etnografi dhe etnologu Rr. Zojsi, duke folur për nënndarjet krahinore të popullit shqiptar, pohon se “Leknia (treva ku zbatohet Kanuni i lekë Dukagjinit) është mbeturinë e Principatës së Dukagjinëve. Këtë e vërtetojnë përveç emrit, që arriti deri në ditët e sotme, edhe kufijtë e saj, që përputhen, pak a shumë, me ato të Dukagjinit të vjetër”. 91).
Së dhjeti, sipas shënimeve të S. Popovcit, historiani Jastrebov pohonte se “në kohën e osmanëve Dukagjini i Epërm u quajt pjesa në veri të Pukës”. Kjo do të thotë se Dukagjini i Poshtëm do të ishin trevat e Mirditës së sotme etnike. dhe kjo zbulohet kur, po ky autor, duke gabuar në përcaktimin e pozicionit gjeografik, shkruan: “Në Dukagjinin e Epërm (duhej thënë “Poshtëm”) ka pasur pesë fise: Dibrra (Dibrri), Kuzhneni, Oroshi, Spaçi dhe Fandi”, 92). Duket, prej këtij pohimi, se pesë “fiset” që përbënin Dukagjinin e Poshtëm, do të ishin në shekullin XVIII pesë bajrakët e Mirditës.
Së njëmbëdhjeti, duhet mbajtur parasysh se, siç dëshmohet në dokumentet perëndimore, por edhe ato turke, Dukagjinasit janë njohur si ithtarë të katolicizmit. Luftën e dytë kundër sundimit otoman ata e panë jo vetëm si luftë për të mbrojtur lirinë e tyre, por edhe fenë e besimin katolik. Dhe Mirdita duket se i mbeti besnik emrit të vjetër Dukagjin, duke mos e pranuar islamizmin siç e pranuan trevat rreth saj, duke mbetur një ishull i katolicizmit në Shqipëri.
Së dymbëdhjeti, deri sa lumi Mat konsiderohet si “kufiri jugor i Dukagjinëve”, 93), Lezha si kufiri perëndimor i Dukagjinëve (pra edhe i Mirditës etnografike) dhe Vau i Dejës si pika veriperëndimore e Mirditës, (por edhe e Dukagjinit të vjetër) atëherë, po t'i shtrinin drejtëzat që nisen nga këto pika drejt Pashtrikut, trevat midis këtyre drejtëzave do të përbënin pikërisht jo thjeshtë vatrën e Dukagjinëve të vjetër, por edhe Mirditën etnike të ditëve tona.
Së trembëdhjeti, për Mirditën, si vatër e Dukagjinëve, flasin toponimet, gojëdhënat dhe legjendat, që lidhen me përfaqësuesit më me zë të këtij fisi legjendar. Kështu përmendet “Kodra e Dukagjinit” në Ungraj, “Sofra e Lekë Dukagjinit” në Blinisht, “Kalaja e Lekës” në Meshurdh, “Guri i Lekë Dukagjinit në Bisakë të Fanit, Livadhi i Dukagjinit në kufirin midis fshatrave Malaj e Prosek etj. Edhe gojëdhëna e legjenda që na thotë se urën mbi Vaun e Madh të lumit Fan, pranë fshatit Pëshqesh, e ngritën brenda një nate Lekë Dukagjini e Gjergj Kastrioti flet shumë. Ajo tregon se diku në zemër të Dukagjinëve, që në fakt është edhe zemra e trojeve të Mirditës etnografike, ishin bashkë dy luftëtarë të mëdhenj – pishtarë të lirisë në viset e Dukagjinit.
Së katërmbëdhjeti, në një shënim të datës 8 shtator 1614, që bën fjalë për projektin e luftës për çlirimin e Ballkanit nga robëria turke, pasi thuhet se “këta burra të tjerë” janë ata të Matit, të Kurbinit e të tjerë, shkruhet se “pikërisht këta do të dilnin në Krujë, kurse Dukagjini i vërtetë (Mirdita e Lugina e Drinit) do të dilnin në Shkodër”. 94), Dhe kjo dëshmi flet shumë.
Së pesëmbëdhjeti, që Mirdita ishte vatra qëndrore e Dukagjinëve dëshmon edhe autori i poemës së madhe epike “Lahuta e Malësisë” – Gjergj Fishta, kur, duke folur për Kanunin e Lekë Dukagjinit, pohon: “Dukagjini në kohë të kalueme përfshihte Shalë e Shosh, Pukë e Iballë, Mirditë, Kthellë e Selitë (të dy bajrakë të Mirditës) e zhubë (Malësinë) e Lezhës”, 95), ku bëjnë pjesë katër bajrakët e Mirditës: Bulgër, i kryezës, Manati, Velë.
Së gjashtëmbëdhjeti, një provë se Mirdita ka qenë vatra qëndrore e Dukagjinëve përbën edhe fakti që kanë vënë re shumë studiues, që Kanuni i Lekë Dukagjinit u mblodh pikërisht në trevat e Mirditës etnologjike, në Gomsiqe e fshatra të tjera dhe pikërisht nga një personalitet i madh i kulturës shqiptare me origjinë nga Mirdita – Shtjefën Gjeçovi. Këtë e pohon edhe poeti e studiuesi Ndue Dedaj, kur përmend se sipas Dom Nikoll Kimzës, kanunin e Lekë Dukagjinit “Gjeçovi e mblodhi dhe e përbani prej të vjetërve të Mirditës”. 96).
Së fundi, por jo nga rëndësia, lidhet me ngjashmërinë midis stemës a emblemës së Lekë Dukagjinit me flamurin e Mirditës. Kjo stemë dhe ky flamur kanë të përbashkët shqiponjën me dy krerë; dhe ngjashmëria thellohet kur sheh mbi kokat e dy shqiponjave shenjën e kurorës princore. Dhe shqiponja dykrenore, me dy shenja kurore në ballë, që duket se është krijuar pas vdekjes së Skqnderbeut, simbolizon jo Arbërit e Dukagjinët, siç mendon ndonjë studiues, (se Arbërit dhe Dukagjinët ishin e njëjta derë princore), por dy familjet e famshme: Dukagjinët dhe Kastriotët.
Kjo kuptohet lehtë kur mbahet parasysh fakti që stema e Dukagjinëve të parë, si edhe ajo e Arbërit mesjetar, kanë në bazë të tyre një shqiponjë që sheh djathtas: e para e gdhendur në gur dhe zbuluar në katedralen e Gëziqit dhe e dyta si vizatim. Edhe më shumë bindet studiuesi serioz për këtë, kur sheh se këto dy shqiponja nuk e kanë shenjën e kurorës, siç e kanë si stema e Lekë Dukagjinit, ashtu edhe flamuri i Mirditës, që nga ndonjë historian konsiderohet si flamuri i bajrakut të Dibrrit.
Të gjitha këto vërtetojnë se trevat e Mirditës së sotme etnologjike ishin djepi i Dukagjinëve legjendarë. Dhe kjo i bën krenarë mirditorët që janë pasardhësit e familjes më të vjetër princore në Shqipëri, pasardhës të atij fisi që ngriti shtetin e parë të Arbërit, pasardhës të atij fisi që u bë zemra e Principatës së Dukagjinit dhe e sanxhakut me të njëjtin emër, pasardhës të fisit që nxori nga gjiri i vet figura që i bëjnë nder jo vetëm Mirditës, por gjithë Shqipërisë.
LITERATURA
6
A, Gega, vepër e cituar, f. 29.
J. de Rada, Flamuri i Arbërit, f. 114.
S. Pulaha, Pronësia feudale në tokat shqiptare, f. 188.
Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, III, f. 380 dhe 387.
Studime për epokën e Skënderbeut, 1, f. 151.
S. Popovci, vepër e cituar, f. 152.
Po aty, f. 166.
Konferenca II e Studimeve Albanologjike, f. 122
Mirdita, Artikuj dhe studime, 1997, f. 23.
Rrok Zojsi, Nënndarjet e vjetra krahinore të popullit shqiptar, Shqiptarët dhe trojet e tyre, f. 510.
S. Popovci, vepër e cituar, f. 167.
Rr. Zojsi, Ndarja e krahinave të popullit shqiptar, f. 33.
Dokumenta të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, shënimi 6, f. 305.
Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Ndue Dedaj, Toka e katedraleve f. 138 |