MIRDITA
VATER E KASTRIOTEVE
-
TEZA DHE ANTITEZA PER ORIGJINEN E KASTRIOTEVE
Ka një mal të lartë me burime arkivore,me dokumenta, me vepra artistike në prozë e poezi dhe libra të mirëfilltë historie,që kanë për objekt familjen princore te Kastriotëve, origjinën e saj legjendare dhe jetën e luftrat e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Dhe është vështirë t'i ngjitet këtij mali, jo thjeshtë një i moshuar, por edhe një i ri plot energji. Megjithatë, duke u përpjekur për të përshkuar ndonjë shteg në shpatin e këtij mali, shqiptari ndjen dëshiren të thotë diçka për figurën e Gjergj Kastriotit,qe ka përshkuar si nje meteor i fuqishëm qiellin e historisë shqiptare, duke e bërë atë më dritë edhe në vitet më të errëta të robërisë turke. Duke e soditur një copëz te këtij qielli të përflakur, historiani a dashamirësi i historisë e ndjen se dhe ai duhet ta ndezë një qiri në shtigjet e pafundme të malit te historisë. Se, ndoshta, edhe kjo dritë e zbehtë u ndihmon udhëtareve të tjerë për t'u ngjitur më lart në shtigjet e thepisur. Eshtë kjo arsyeja që u ndala në fillim të një shtegu që është konsideruar si një shteg i errët, ku është vështirë të kalohet. Ndoshta kjo e çoi Falmerajerin në konkluzionin, siç pohon F. Noli, se “Të gjesh origjinën e një kreu fisi shqiptar,është një mundim sa i kotë, aq dhe i padobishëm “. 1) Edhe pse F. Noli i madh e ka perifrazuar Falmerajerin, ai përsëri, në të gjitha variantet e veprës për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, u referohet të dhënave të historianëve të ndryshëm mbi origjinën e fisit të Kastriotëve, mbi vendorigjinën e tyre të lashtë. Kështu ai përmend një dokument të Fermenxhin, sipas të cilit “Kastriotët quheshin kështu, sepse ishin nga një katund i quajtur Kastriot në malësinë e Hasit”. 2) Më tej, po ky historian, përmend Lukarin që kishte pohuar se familja e Gjon Kastriotit “doli nga fshati i Kastratit në juridiksionin e Asit (Hasit –shënimi im ) në Shqipëri, jo shumë larg lumit Drin”.3) Duket nga këto të dhëna se kemi të bëjmë me dy teza të ndryshme për origjinën e Kastriotëve : Njëra e Fermenxhinit që i bën Kastriotët nga fshati Kastriot i rrethit të Dibrës dhe tjetra e Lukarit që i bën Kastriotët nga krahina e Kastratit në rrethin e Kukësit.Dhe Fan Noli duket disi kontradiktor kur, pasi i ka përmendur këta historianë, thekson se “Me këto dëshmime parasysh mund të konkludojmë që çështja e llagapit të Kastriotëve mund të quhet e shkoqitur në mënyrë mjaft të kënaqshme”. Dhe kontradikta bie në sy kur ai përmend tezën e historianit më të madh të jetës dhe të veprës së Gjergj Kastriotit – Marin Barletit, i cili thotë se “Gjon Kastrioti ishte nga një shtëpi e vjetër e Matit”. 4) Edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX në historiografinë shqiptare është polemizuar rreth tri tezave themelore mbi vendorigjinën e Kastriotëve. Një pjesë e madhe historianësh, ku hyn edhe më i madhi i kësaj plejade – Aleks Buda, kanë mbrojtur idenë se origjina e Kastriotëve do kërkuar në Kastrat të Hasit ;një grupim tjetër mbron tezën se origjina e Kastriotëve do kërkuar në fshatin Kastriot të rrethit të Dibrës.Dhe janë të paktë historianët që mbështesin tezën e M. Barletit që e kërkon origjinën e Kastriotëve në një fshat të Matit. Prej këndej merret vesh se si argument për dy tezat e para ka shërbyer një Kastrat, që haset dhe në Has dhe në Shkodër dhe emri Kastriot që mban një fshat afër Dibrës.Veçse Fjalori Enciklopedik Shqiptar sikur e mënjanon tezën e dytë, duke argumentuar se Kastriotët “më vonë i shtrinë zotërimet drejt jugut, ku Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, zotëronte fshatrat Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm”. 5) Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore mbi origjinën e Kastriotëve, F.Noli thotë se “Të gjitha dëshmimet e ndryshme që numëruam sipër mund t'i përmbledhim e t'i pajtojmë kështu: Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës, ose nga një fshat i quajtur Kastria, që ndodhej a në Mat a në Mirditë, a në Has a pranë Mazarakut (Mazrekut – shënimi im ) a në Kastrat, sidomos në malësitë afër Drinit”. 6) Dhe pas kësaj duhet pyetur: Vallë i kanë analizuar historianët me kujdes të gjitha këto parashtime? Dhe përgjigjia vjen e menjëhershme : Jo! Janë parashtruar e diskutuar vetëm tre tezat,që janë konsideruar si më të rëndësishmet dhe janë lënë jashtë vëmendjes teza, që mund të argumentohen me shumë të dhëna nga historiografia shqiptare. E tillë është teza e Athanas Gegës, i cili vlereson Kastrin në Vig të Mirditës si vendorigjinën më të mundshme të Kastriotëve. Për të arritur në Kastër të Mirditës do të na duhet të bëjmë një rrugë të gjatë nëpër dokumenta të ndryshme. duke sjellë përsëri teza dhe antiteza mbi vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve. Dhe le ta nisim shtegtimin tonë me pohimin e hitorianit Kasem Biçoku, i cili ka theksuar se “ Ky lumë (Mati–shënimi im ) shërbente si kufi ndarjeje me një tjetër njësi administrative, të ndarë në vilajete, të përfshirë në një regjistër të veçantë të emërtuar “ Defteri i emrit të Gjonit”(Gjon Kastriotit), ku gjendeshin të shënuara edhe fshatrat e vilajetit të Dhimitër Jonimës,që shtrihet nga Lezha në Rubik”.7) Ky pohim sikur na thotë se tokat midis rrjedhjes së mesme e të poshtme të lumit Mat dhe Drinit ishin territore të dy fiseve, disi rivalë midis tyre, Kastriotëve dhe Dukagjinëve. Kesaj ideje i vjen në ndihmë edhe pohimi i historianit Selami Pulaha, i cili kumton se “ në vitin 1431 u vunë për herë të parë nën zotërimin e timarit krahinat e përfshira në zotërimet e Gjon Kastriotit e të Gjergj Aranitit në vilajetin e Dhimitër Jonimës (krahinë midis Rrëshenit e Lezhes). 8) Dhe pas këtij ponimi ai shton: “Ka mundësi që regjistrimi të jetë shtirë më në veri, në krahinat e Tanush Dukagjinit, deri në Danjë “.9) Që në territoret e shtetit të Arbërit, vatra e të cilit ishte Mirdita, banonte edhe fisi i Kastriotëve, na dëshmon edhe akademiku Dh. Shuteriqi, kur na sjell një dokument të përcjellë edhe prej F. Nolit.Sipas këtij dokumeti Gjon Kastrioti “më 1407 pretendon të ketë kasha të cilat …ishin pjesë e peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën Mëria e Ndërfanës. Ai thotë se, që prej 800 vjetësh, peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara … prej tij “.10) Dokumenti pohon kështu se në këto anë i kishin zotërimet e tyre edhe Dukagjinët, edhe Kastriotët edhe Jonimët, edhe Blinishtasit, pa harruar edhe Skurajt, që banonin në krahun e majtë të rrjedhës së mesme të lumit Mat, por që e lanë emrin e tyre edhe në viset e Mirditës, në të djathtë të Matit, duke iu afruar fshatit Fang. Për të shkuar drejt Kastrit,si vendorigjina më e mundshme e Gjergj Kastriotit, na duhet të kujtojme edhe një tezë që hedh historiani Kasem Biçoku, kur kundërshton që Kastrioti i Dibrës të jetë vatra e hershme e Kastriotëve. Dhe, për ta argumentuar tezën e tij kundërshtuese, shkruan: “Nevojat e drejtimit të principatës (së Kastriotëve) kërkon që Gjon Kastrioti dhe familja e tij të mos banonin në viset ekstreme lindore, siç ishin ato të Dibrës, por në një nga qendrat kryesore të saj, prej nga Gjoni mund të drejtonte e administronte principatën e tij, siç u bë Kruja në kohën e Skenderbeut”.11) Kështu, për atë që e njeh sadopak gjeografinë e viseve të Shqipërisë veriore. rezulton se ky historian nuk kundërshton vetëm tezën e Kristo Frashërit, që i bën Kastriotët me origjinë prej fshatit me të njëjtin emër, por edhe tezën e tij, sipas të cilës origjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Kastrat të Hasit. Sepse edhe Hasi, që aso kohe nuk kishte emër, ishte një krahinë po aq e thellë, sa edhe Kastrioti i Dibrës. Dhe, duke ecur sipas kësaj logjike duket se gjurmët na çojnë drejt një caku të ri, drejt një kështjelle të vjetër me emrin Kastër-Kastri, që siç shënojnë disa historianë, është vendorigjina e fisit lavdimadh të Kastriotëve. Gjurmët për në Kastër na çojnë në dritën e të dhënave që sjellin dy historianët më në zë që janë marrë me origjinën e Kastriotëve: F.S.Noli në variantin e vitit 1921 te Historisë së Skënderbeut dhe Athanas Gega në veprën “Arbëria, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Për në Kastër na çojnë edhe parashtrimet e historianëve Skënder Riza e Selami Pulaha me të dhënat që sjellin për territoret ku shtriheshin, sipas tyre, Kastriotët. Për në Kastër na çojnë edhe pohimet e udhëtarit frëng Ami Bue, edhe pohimet e Han-it, të Gavril Dara i Riu e gjer edhe rilindasi Risto Siliqi. Një argument më tepër në favor të tezëz që e konsideron Kastrin si vendorigjinën e Kastriotëve dhe si vendlindjen e Gjergjit zëmadh, sikur gjendet edhe në fushën e dialektologjisë. Për këtë na flet fakti që mbiemri“ Kastrioti ” në të folmen e Mirditës shqiptohej gjer vonë në formën “Kastërioti”, gjë që na e zbulon qartë emrin Kastër në trajtën e pashquar, siç shqiptohet edhe në ditët tona nga mirditorët. Forma “ Kastërioti” duket se ka qënë zotëruese në gjithë Shqipërinë e Veriut, por mbi të duket se kanë vënë dorë herë historianët e herë gjuhëtarët. Apo, ndoshta mbiemri Kastrioti vjen nga trajta e shquar e “ Kastri” plus – iot, siç ka qënë që herët një traditë e shqipes? Sidoqoftë, rezulton se mbiemri “Kastrioti” ka ardhur nga Kastri i Vurgut të Mirditës. LITERATURA
-
F. Noli, vepra 4, f.237
-
Po aty, f. 238
-
Po aty, f. 238
-
F. Noli, Histori e Skënderbeut, 1950, f.16
-
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985, f.460
-
F. Noli, vepra 4, f. 67
-
Revista “ Monumenti” 1, 1982, f.42
-
Konferenca II Kombëtare e Studimeve Albanologjike, 1, f.47
-
Po aty, f. 47
-
Almanaku “ Mirdita”1. f. 41
-
Studime për epokën e Skënderbeut, v. 2. f. 456 – 466
-
MIRDITA – VENDORIGJINA E KASTRIOTEVE
Kur mësojmë se bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit në betejat e tij legjendare kundër turqve në shekullin XV ishin, përveç të tjerëve, edhe Pal, Lekë e Nikollë Dukagjini, që i kishin zotërimet e tyre në trevat e Mirditës, 12), Kojë Zaharia – nipi i Tanush Dukagjinit 13), vëllezërit Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli bij të fshatit Gazull të Mirditës,14), Pjetër, Ndre e Gjon Përlati, nga fshati Përlat i Mirditës,15), Pal e Gjergj Kuka nga fshati Shebe i kësaj krahine,15),mendojmë se se edhe origjina e Kastriotëve, dhe territoret e shtrirjes së tyre duhen kërkuar me shumë në trevat brenda vijave kufizuese: Vau i Dejës, që përbën kufirin veriperëndimor të Mirditës etnografike, Qafë Mali, aty ku ndahet me Tropojën, Kukës, aty ku ndahet me krahinën e Fanit, për të shkuar edhe më larg në histori, Lurë në kufi me Selitën a Kurbneshin, dy brigjet e rrjedhës së mesme të lumit Mat, Skuraj, për t'u kthyer pastaj në Lezhë, që ka qënë edhe kryeqendër e Dukagjinëve, edhe qytetet që i përkiste Mirditës etnografike. Kësaj teze i vinë në ndihmë dy pohime të rëndësishme: Së pari: pohimi i historianit Skender Riza, i cili thotë se “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes të Shkodrës e Lezhës, të cilët, pas vdekjes së Balshës II (1385) u bënë përsëri zotërues të tokave të veta dhe kufinjtë …i shtrinë në drejtim të viseve verilindore të Shkodrës,duke përfshirë një pjesë të Mirditës”16). Së dyti, pohimi i Fan Nolit, i cili tregon se nga 18 mijë forca që dispononte Skenderbeu në betejat antiosmane, “Tri te katërtat e këtyre ishin nga principata arbërore e Skenderbeut, krutanë, matjanë, mirditorë dhe dibranë”.17) dhe jo, ta zëmë, kuksianë, ku shtrihet edhe Hasi i ditëve tona. Idesë se Kastriotët i kishin territoret e tyre aty ku i kishin edhe Dukagjinët, pra diku midis lumejve Mat e Drin, i ndihmojnë edhe dy fakte të rëndësishme: së pari një pohim i historianit Mikel Prenushi, i cili duket se zotëron një dokument interesant, sipas të cilit Gjergj Kastrioti është kurorëzuar në Kastër të Mirditës18). Së dyti, fakti i njohur nga historiografia shqiptare se Skenderbeu u varros në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë dhe jo në Has të Kukësit, në Kastriot të Dibrës, në Mat, apo diku afër kështjellës së Krujës, siç ishte në zakonet dhe besimet e katolikëve. Kjo logjikë na bën për t'i besuar më shumë tezës që sjell historiani Athanas Gega,sipas të cilit “mbiemri Kastrioti,….që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshati –shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit (Dibri si bajrak i mëvonshëm-shënimi im), Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”.19) Dhe kjo tezë duket se mohon prerë origjinën e Gjergj Kastriotit si nga Hasi i Kukësit të sotëm, nga Kastrioti i Dibrës, ose nga trevat e Matit, të cilat janë përmendur si vendorigjina të mundshme të Kastriotëve prej historianëve të ndryshëm. Kjo bëhet e qartë kur mbajmë parasysh se, siç pohon Fan Noli “Emri i Kastriotëve del ne shesh për herë të parë më 1368, kur një Kastriot përmendet si kapedan i Kaninës”. 20) Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe dyshimi që shpreh F.Noli për origjinën e Kastriotëve nga fshati Kastriot kur thotë se “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot,por nuk dihet a ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga Katundi”. 21) Dhe bëhet më bindëse kjo ide kur mbajmë parasysh se edhe para vitit 1385, kur vdiq Balsha II, edhe pas vdekjes se tij,”Kastriotët ishin pronarë të tokave në të mes Shkodrës dhe të Lezhës”.22) Në favor të kësaj teze flet edhe pohimi i A. Gegës, që thotë se “Sipas një dokumenti venecian të vitit 1439,pronat e Kastriotëve ishin fqinj me Shkodrën e Lezhën. 23) Të gjitha këto flasin në favor të tezës që e kërkon origjinën e Kastriotëve diku në trevat e Mirditës etnografike. Dhe për këtë flet jo vetëm etnografia e etnologjia, por edhe fakti i njohur që ky territor ishte tokë e banuar nga të parët e mirditasve, të pukjanëve e të matjanëve – pirustët, parardhës të Arbërorëve dhe të Dukagjinëve, që shkonin gjer përtej Pashtrikut, ku fisi i Pirustëve takohej me fisin e Dardanëve. Kësaj teze i vjen në ndihmë edhe pohimi i M. Shuflait, i cili shkruante se “edhe më 1641 dalloheshin mbi Lezhë, në rrjedhën e poshtme të lumit Mat dhe rreth Kurbinit shqiptarë të maleve –mirditorët, bulgrarët dhe selitasit, të cilët turqit i quanin kryengritës tradhëtarë”. 24) Pukëvil dhe Bue e vendosin Mirditën midis Prizrenit, Drinit, Shkodrës, Lezhës, Krujës e Dibrës, tezë që i zgjeron disi kufijtë e Mirditës etnografike. Prej këndej del konkluzioni se, gjersa sipas burimeve osmane Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes të Shkodrës dhe të Lezhës, gjersa sipas një dokumenti venecian të vitit 1433 pronat e Kastriotëve ishin fqinj me Shkodrën dhe me Lezhën,gjersa,siç thotë F.Noli “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s'ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”,25) atëherë edhe Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit,diku në pronat e babait të tij do të ketë lindur më 1405,të cilat duket se i përkasin qartë Mirditës etnografike. Kësaj i shtohet edhe fakti i njohur tanimë nga historiografia shqiptare, që këto treva po shndërroheshin që atëherë në një oaz të katolicizmit në Shqipëri. Ky oaz i katolicizmit është i lidhur pazgjidhshmërisht me ekzistencën dhe veprimtarinë e dy familjeve të fuqishme princore: të Dukagjinëve dhe të Kastriotëve, të cilët, me siguri, kanë,qenë fqinj me njëri tjetrin. Ndoshta kjo do të ketë qenë arsyeja, dhe jo kontradiktat që lidheshin me përpjekjet për zotërim territoresh,që midis tyre nuk janë vërejtur lidhje martesore. Për këtë fqinjësi të Dukagjinëve me Kastriotët na informon edhe historiani A.Gega, i cili shkruan “Kastriotët zotëronin … territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrësdhe të Lezhës e deri në Prizren. Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”. 26) Por, shton më tej historiani, “nuk mund të përcaktojmë me saktësi kufinjtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve”. 27) Të njëjtën ide për fqinjësinë e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve përcjellin edhe gojëdhënat e ndryshme që qarkullojnë në Mirditë në rrjedhën e shekujve. Për këtë etnologu Mark Tirta sjell një gojëdhënë të mbledhur në Pëshqesh të Mirditës, në të cilën pohohet se “Mirdita ka shkuar me zotërimet e Skenderbeut, por këtu ka sunduar Lekë Dukagjini (deri në tre bajrakët eMirditës së fisit). 28) Dhe kjo ndodhte sepse, siç thoshte gojëdhëna, “Kufinjtë midis Dukagjinit e zotnimeve të Skandërbegut nuk ishin të caktuem” Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe konkluzioni i A. Gegës, i cili pohon qartë: “Kështu arrijmë në përfundimin se Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Por nuk duhet harruar që Fani u takonte Dukagjinasve”. 29) LITERATURË
-
A. Harshova, Bashkëluftëtarë të Skënderbeut, f. 118
-
Po aty, f. 118
-
M. Prenushi, Kontribut shqiptar në Rilindjen evropiane, f. 36
-
A. Harshova, vepër e cituar, f. 125
-
S. Riza, Kosova gjatë shekujve XV – XVII, f. 19
-
F. Noli, Historia e Skënderbeut, 1950, f. 42
-
Pohim i studiuesit Gj. Marku, autor i librave “NDËRFANA” dhe “ MIRDITA” – intervista me dy vëllime
-
A. Gega, Arbëria, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, f.44
-
F. Noli, vepra 4, f. 60 – 61
-
Po aty, f. 64
-
S. Riza, vepër e cituar, f. 19
-
A. Gega, vepër e cituar, f. 146
-
M. Shuflai, Serbët dhe shqiptarët, 2002, f. 156
-
F. Noli, vepra 4, f.67
-
A. Gega, vepër e cituar, f. 44
-
Po aty, f. 44
-
M. Tirta, Skënderbeu në gojëdhana popullore të Mirditës, Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, I, f. 509
-
A. Gega, vepër e cituar, f.148
-
NËNA E GJERGJ KASTRIOTIT - BIJË E PRINCIT TE MIRDITASVE!
Duke ecur në gjurmët e origjinës së Kastriotëve dhe të territoreve ku shtriheshin ata, pa i vënë qëllim vetes të gjurmoj autorë e vepra të ndryshme, toponime, gojëdhëna e legjenda, që flasin për lidhjet e Gjergj Kastriotit me Mirditën, të cilat nuk mungojnë edhe për trevat fqinje me të, është e domosdoshme të ndalemi tek një dokument tjetër, për të cilin, çuditërisht, ka heshtur historiografia shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, siç po hesht edhe në ditët tona. Ky dokument na vjen nga përfaqësuesi i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare- Gavril Dara i Riu, i cili në jetëshkrimin e tij, duke folur për të ardhurit në Palac Adriano të Italisë fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, shkruante: “Ndër këta, të parët, prindërit e mi, që emërohen gjer më sot Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj (gjini, fis, gjak- shenimi im) të Kastriotit nga ana e Vojsavës, së jëmës së tij, se biljes (bijës –shënimi im) së Prenkut të Mirditëve”. 30) Kjo e dhënë, që është me shumë rëndësi për zbulimin e të vërtetave historike,që kanë te bëjnë me origjinën e Kastriotëve, në një variant tjetër na paraqitet në këtë mënyrë : “Midis tyre ndër më të parët ( që erdhën në Palaco – Adriano - shënimi im) ishin gjyshërit e mi, që përmenden gjer më sot Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj të Kastriotit nga ana e Vojsavës, së jëmës së tij, që ishte e bija e princit të Mirditasve”31) –variant që nuk ndryshon esencialisht nga varianti i parë e që kërkon të studiohet me vëmendje nga gjithë ata që merren me çështjen e origjinës së familjes princore të Kastriotëve. Ky pohim, që është një fragment i autobiografisë së Rilindasit Gavril Dara i Riu, flet shumë. Ai dëshmon, së pari, se të parët e poetit të madh ishin shpërngulur që herët nga trevat e Mirditës, pikërisht pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, pasi invadoret turq kishin pushtuar qytetin e Shkodrës – portën veriperëndimore të Mirditës e po suleshin drejt maleve të saj, duke djegur e shkatërruar gjithçka. Së dyti, duke treguar se të parët e Gavril Dara i Riu kishin zbritur në Palac-Adriano më 1482,32) ai bëhet më i besueshëm se historianët e tjerë që merren me origjinën e Kastriotëve dhe territoret ku shtriheshin ata; sepse kemi të bëjmë me një njeri të ditur, që na rezulton pinjoll i lavdishëm i një dere princore të Mirditës, i cili duhet të ketë pasur të dhëna të sakta për fisin e vet, krahasuar me të tjerët. Kështu Gavril Dara i Riu bëhet më i besueshëm se Barleti, i cili e bën Vojsavën – nënën e Gjergjit, “ bijë të princit të tribalëve”, 33) – fis që, siç shënon përkthyesi S. Prifti, Barleti i quante “banorë në trevat e Maqedonisë dhe të Bullgarisë së sotme”, “banorë sllavë të këtyre vendeve”34). Pohimi i Gavril Dara i Riu për origjinën mirditore të Vojsavës, nënës së Gjergj Kastriotit, duket më i besueshëm edhe se pohimi i Fan Nolit, i cili thotë se Gjon Kastrioti “ishte martuar me Vojsavën, të bijën e kryezotit të Pollogut, afër Tetovës”.35) Dhe po aty, shtonte me dyshim: “ Kjo krahinë dukej se ishte pjesë e principatës së Balshës dhe hynte nën influencën e Kastriotëve”.-36). Dhe është më i besueshëm Gavril Dara i Riu se historianët e tjerë kur na përmend edhe faktin tjetër se të parët e tij kishin zbritur nga viset e Mirditës në Palac Adriano më 1842, vit që përkon me të dhënat e historiografisë shqiptare për emigrimin e madh të Dukagjinëve dhe Kastriotëve pikërisht në këtë mot, e dhënë që, ndoshta as F. Noli, as M. Barleti nuk e dispononin. Çështja pra, duhet kuptuar thellë. Pohimi i rilindasit të madh Gavril Dara i Riu nuk mund e nuk duhet anashkaluar, sepse kemi të bëjmë jo thjeshtë me një njeri të ditur, por edhe me një njeri të përgjegjshëm që, me siguri, thotë gjëra të vërteta për fisin e tij. Askush nuk ka të drejtë të thotë se një njeri kaq i ditur dhe kaq i interesuar për fatet e kombit të vet, mund të ketë fantazuar për ta paraqitur Vojsavën si bijë të një princi mirditas, siç bën poeti në shënimet autobiografike në hyrje të poemës madhore “ Kënga e Sprasme e Balës”. Ca më tepër duhet theksuar kjo kur mbajmë parasysh se emri Mirditë në ato mote shpesh fshihej pas emrit Dukagjin, vatër e të cilit ishte që nga shekulli VII e më herët. Origjina mirditore e Vojsavës, që është vështirë të kundërshtohet pa sjellë dokumente më të besueshme se të dhënat që sjell Gavril Dara i Riu, do ta nxirte Gjergj Kastriotin vetëm nip mirdite; ca më tepër po t'i besohet prerë tezës që e redukton Mirditën fillestare në një zonë të ngushtë, siç mund të ishte Grykë-Oroshi dhe Kodra e Mashtërkorëve. Por, për të shkuar më tej në kërkim të së vërtetës, për të zbuluar pemën gjenealogjike të Kastriotëve, na vijnë në ndihmë edhe pohime të historianëve të ndryshëm në trajtën e legjendave ose të supozimeve. Kështu K. Frashëri përmend se “…udhëtari frëng Ami Bue, shkruante se kishte dëgjuar që Skënderbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës,…gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig”.37). Këtë pohim na e kujton edhe albanologu gjerman Johan Von Hahn kur flet për “zbulimin” e “një vendlindje të re të Skënderbeut” 38) diku afër një kështjelle të vjetër, në fshatin Kastër të Mirditës. Po këtë të vërtetë e pohon edhe A. Gega kur shkruan: “Duhet pranuar se mbiemri Kastrioti vjen nga Kastri me origjinë romake..”39). Edhe F. Noli, si pa dashur, në këtë përfundim vjen kur shkruan se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën Zwei Urkunden aus Nordalbanien – shënimi im) e quajnë përrallë skllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre….tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”. 40). Në këtë përfundim sikur vjen F. Noli edhe kur kundërshton, si dhe historianë të tjerë, që mbiemri Kastriot të ketë ardhur nga një Kastrat, qoftë ky i Hasit apo i Shkodrës, kur thotë: “ Etimologjikisht është shumë e rëndë që të dalë llagapi Kastriot nga Kastrati”.41). Në përfundimin se Kastri i Mirditës është vendlindja e Gjergj Kastriotit arrin kur t'i analizosh me ndjenjë të lartë përgjegjësije gjithë shënimet që bën F. Noli në variantin e Historisë së Skënderbeut të vitit 1921. Në këtë përfundim vjen kur mban parasysh se ky historian e ka vënë në dyshim origjinën e Kastriotëve nga fshati Kastri i Dibrës, kur ka shkruar se “ nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”. 42). Dhe bindja se Kastri është vendlindja e Gjergj Kastritit na krijohet kur F. Noli na thotë se “fshatra me emrin Kastri ka sot në Shqipëri një në Çamëri dhe një në Mirditë, afër Drinit”. 43) Dhe kurorën këtij mendimi sikur ia vë përsëri F. Noli kur thotë: “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s'ua përmend emrat, dhe i përmbledh me emrin Aemathia”. 449 Duket, pra, se Prenku i Mirditës, që nga historianë të ndryshëm quhet princi i kësaj treve, e martoi të bijën Vojsava me një kastriotas të fshatit Kastër, pra po në Mirditë, tek një derë tjetër princore, siç ishte e modës në atë shekull, por siç ishte edhe në zakonet e kësaj treve. Dhe, duke i bashkuar natyrshëm të dhënat që sjell Gavril Dara i Riu për Vojsavën dhe fisin e vet, me pohimin e A. Gegës, sipas të cilit mbiemri Kastriot, që ka mbijetuar në histori lidhet më shumë me lokalitetin e Kastrit në Mirditë, ... se sa me lokalitete të tjera që kanë të njëjtin emër”, 45) bindemi se Mirdita – vendorigjina e përfaqësuesve të Rilindjes Evropiane – Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli 46) e artistit me famë botërore Aleksandër Moisiu, 47) e gruas me famë botërore Elena Gjika, 48) e rilindasve tanë të mëdhenj Pashko Vaso, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Preng Doçi e tjerë është edhe vendlindja e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, emër i mbuluar me lavdi të përjetshme. Rrjedha e mëvonshme e historisë së Shqipërisë, veçanërisht e historisë së trevës së Mirditës, e vërteton tezën sipas së cilës Gjergj Kastrioti duhet të ketë lindur në Kastër, afër Vigut. Për këtë flet edhe fakti që Mirdita jo vetëm e trashëgoi, por dhe e përdori si flamur të saj flamurin e Gjergj Kastriotit edhe në periudhën e rëndë të robërisë turke, deri edhe si duvak për nuset mirditore. Mbi këtë çështje hedh dritë edhe historiani Pal Doçi, kur kujton se udhëtari frëng Ami Bue shkruante: “Flamujt e tij (të Skënderbeut) ishin të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë, sikundër e kanë edhe mirditasit” 79). Edhe pohimi i kryengritësve mirditorë në protestën drejtuar Valiut të Shkodrës në vitin 1901, ku shkruhet se “Flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit, që, prej kohësh, valëvitet në majat e zbardhura nga bora e Shën-palit”, 50) të njëjtën gjë dëshmon. Ndoshta këto të vërteta i ka ditur poeti i Rilindjes Kombëtare – R. Siliqi, kur e ka quajtur Mirditën “trimnesh' e dheut”, që ishte “I Arbërisë fis i kryekreut”, e cila vuajti prova, por s'i mbeti shtegut “Dhe ia mbajti jazin Skënderbeut”. 51) Se nuk mund të jetë rastësi që një krahinë e tillë, krahas Himarës në Jug, të mbetej në shekuj vatër e qëndresës kundër turqve dhe një ishull i rallë i katolicizmit në një popull, 75% e të cilit ishte islamizuar. Për rrjedhojë nuk është qyteti i Shkodrës “Kryeqytet i katolicizmit” në Shqipëri, siç ka pohuar ndonjë studiues, por Mirdita. Dhe kështjellë e lirisë, kështjellë e katolicizmit në këto anë, nuk qenë thjeshtë malet, por zemrat e mirditorëve, ku rridhte gjaku i kuq i Dukagjinëve dhe i Kastriotëve legjendarë! * * * Për këtë të vërtetë duket se bën fjalë, disi në formë fluide, edhe studiuesi e poeti Moikom Zeqo – Mjeshtër i Madh i Punës – në një shkrim kushtuar papës me origjinë shqiptare Klementi XI – Albani, ku flet për Kuvendin e Arbërit, i cili u mblodh në fshatin Mërçi të rrethit të Lezhës më 14-15 janar të vitit 1703, pikërisht në një fshat të banuar edhe sot e kësaj dite nga mirditorët. Dhe, pasi e vlerëson këtë kuvend si një nga ngjarjet më të mëdha të historisë kulturore të Shqipërisë në shekullin XVIII, shtron ca pyetje që tingëllojnë edhe si teza, të cilat duket se “miratojnë” parashtrimet tona për familjet legjendare të Dukagjinëve dhe të Kastriotëve. “Përse u zgjodh pikërisht fshati Mërçi pranë Lezhës – pyet autori, si vendi më i përshtatshëm për Kuvendin e Arbërit? Pse pikërisht ky vend dhe jo ndonjë vend tjetër? – shton më tej ai. A ka të bëjë zgjedhja e këtij vendi historik – vazhdon përsëri studiuesi – me revokimin e mrekullueshëm dhe të paharruar të Atletit të Krishtit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që mbylli sytë pikërisht në Lezhë?” 52) Dhe përgjigjet nënkuptohen: Kuvendi i Arbërit u mblodh pikërisht afër kryeqendrës së vjetër të Dukagjinëve – Lezhës, por edhe pranë qendrës tjetër të hershme të Dukagjinëve – Kastrit, që na rezulton, siç pohojnë historianët, edhe si vendlindja e Gjergj Kastriotit. Kuvendi i Arbërit u mblodh pikërisht brenda atyre territoreve që njiheshin si territoret e Arbërit mesjetar, të cilat shtriheshin midis lumejve Mat e Drin e që shkonin gjer përtej Pashtrikut, territore që u përkisnin dy familjeve: Dukagjinëve dhe Kastriotëve; dhe të gjitha këto bëheshin për të ripërtërirë epokën skënderbejane pikërisht në ato troje, ku lindi kryetrimi, ku u kurorëzua, ku organizoi besëlidhjen shqiptare dhe ku mbylli sytë përjetë, duke mbetur një yll i pashuar në qiellin e historisë së kombit shqiptar!. LITERATURA 3
-
Shkrimtarë shqiptarë, 1941, f. 312.
-
Gavril Dara i Riu, Kënga e Sprasme e Balës, 1961, f. 20.
-
Shkrimtarë shqiptarë, vepër e ciituar. F. 312.
-
M. Barleti, Historia e Skënderbeut, 1964, f. 50.
-
Po aty, f. 50.
-
F. Noli, Historia e Skënderbeut, 1950, f. 16-18.
-
Po aty, f. 17-18.
-
K. Frashëri, studime për epokën e Skënderbeut, III, f. 466.
-
Johan von Hahn, Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardanit, f. 108.
-
A. Gega, vepër e cituar, f. 147.
-
F. Noli, vepra 4, f. 64.
-
Po aty, f. 66
-
Po aty, f. 64.
-
Po aty, f. 64.
-
Po aty, f. 67.
-
A. Gega, vepër e cituar, f. 44.
-
M. Prenushi, vepër e cituar, f. 36.
-
Gazeta “Drita”, 20.09. 1996 dhe gazeta “Mirdita”. 05.06.2001.
-
Gazeta “Mirdita”, 17.02.1991.
-
P. Doçi, Vetëqeverisja e Mirditës, f. 62.
-
Po aty, f. 63.
-
R. Siliqi, vepra, f. 91.
-
M. Zeqo, Gazeta “Shekulli”, 21.03.2004.
|