Prifti martir i Oroshit, Dom Mark Gjani
(sipas kujtimeve të Gjon Mark Ndojit) Lindur në Gjan të Planit të Dukagjinit në vitin 1909. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet në Seminarin Papnuer të Shkodrës, ndërsa të lartat për teologji në Gjenovë të Italisë, ku dhe shugurohet meshtar. Zakonisht proftërinjtë e rinj të Mirditës e fillonin udhën e meshtarisë së parit pranë Ipeshkëvit në Orosh ku ishte dhe selia e tij abaciale.
Duhet të ketë qenë mesi i viteve '30 kur Dom Marku vjen në Orosh. Emri i tij del në disa kronika të “Kumbonës së Diellës” si organizator i disa proçesioneve dhe festimeve fetare në Orosh, ku vihet në dukje sqima, talenti dhe aftësia e këtij meshtari të ri në zbukurimin e mjediseve fetare të ditëve të shënuara, që kremtoheshin me madhështi e devocion nga kleri dhe besimtarët. Qe i paraqitshëm, shumë tërheqës, mbahej pastër e elegant. I ri, i qeshur, i shkueshëm dhe i thjeshtë. Në komunikimin me njerëzit e famullisë fliste rrjedhshëm e qartë jo vetëm si famullitar, por edhe si misionar. Kulturën e kishte të spikatur, gojtarinë të pëlqyeshme. Me një za të ambël, të shtruem, thue se ishte mirditas, fliste për fenë e krishtenë, kulturën e problemet shoqërore të trevës së Mirditës e të mbarë vendit. Shpesh e kalonte cakun e përmbajtjes, se kishte filluar dhuna, aq sa shumë oroshas që filluan me u njoftë me të thonin: “Ky prift asht trim”.
Kur u vendos pushteti komunist ai ishte i ri, por mjaft i pjekur. Ndërkohë që “kuadro të rrethit” që vinin në Orosh e ngacmonin famullitarin, ndonjëherë dhe duke e fyer, por ai me durim e argumente, pa u zemërue, i detyronte me hesht të mundun. Shpesh herë Monsinjor Gjini e këshillonte famullitarin e ri të ishte ma i kujdesshëm. Priftin e Kalivares Dom Nikoll Kimzën e kishin arrestue. Imzot Gjini në vend të tij çon Dom Mark Gjanin kurse në vend të tij në Orosh vjen Dom Luigj Kolaj dalë së fundi meshtar.
Pati shumë dashamirë në Orosh, kryesisht njerëz me shkollë e antikomunistë, që ashtu si Abati i banin vërejtje Dom Markut të ekspozohej ma pak, e të ishte ma i kujdesshëm pasi bisha komuniste po e survejonte. Por Dom Mark Gjani njeri kurajoz e me formim të plotë tue buzëqeshë ua kthente: “Jam prift katolik, jam përfaqsues i fesë së Krishtit, përhapës e dalzotës i saj”. Kujtimet për këtë prift janë të veçanta e të paharrueshme për të gjithë ata që e njohën. Pa e teprue mund të thuhet se ai për kulturën, përkushtimin, guximin fetar e qytetar ishte i dalluem e në shenj jo vetëm në klerikët e Mirditës, shumica e të cilëve ishin të motmotuem e shumë kohë të ambientuem në mjedisin e vorfën, po dhe po ta krahasojmë me mbarë klerin katolik të kohës në Shqipni, ai do të kishte vendin e vet ndër ma të mirët.
S'kishte si të mos binte në sy të komunistëve ky kundërshtar i vendosur i tyre, i aftë dhe i përgatitur në shkollën e fesë dhe të jetës së popullit të vet. Prandaj ndër arrestimet e hershme, përpara shumë të tjerëve, do të ishte dhe arrestimi i tij. Nga njerëzit që kanë qenë në atë kohë në birucat e burgut të Shpalit thuhet se asht torturue mizorisht e ka qëndrue si martir. Është thënë se arrestimi i tij ka ngjarë në fillim të vjetit 1945, por mundësia më e madhe asht që ai të ketë dhanë shpirt në vitin 1947, i vjerrun për shpatullash e i munduem aty në burgun e Shpalit. Mbi trupin e tij u ushtruen tortura nga ma gjakataret e ç'njerëzoret por ai se hoqi nga goja fenë e Krishtit për asnjë çast. Nuk kalon pa lënë gjurmë në popull fundi tragjik i priftit të ri e të virtytshëm, që kishte qenë nxanës i Ndre Mjedës, mik e bashkëpunëtor i ngushtë i Imzot Frano Gjinit, Abatit Ipeshkëv. Nuk kishte ndodhur ma parë një mbytje e tillë e një prifti nga dhuna shtetrore e pashembullt, vetëm pse ai mendonte ndryshe nga njerëzit e regjimit komunist që kishin ardhur në fuqi pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse kaluen vite oroshasit dhe mirditasit e tjerë që ia kishin dëgjue zanin e ia kishin ndie punët e mira, nuk e harruan Dom Markun e ri, njenin prej dëshmorëve të parë të krishtënimit në Shqipni. Gjithmonë vazhdonin me pyet njëri-tjetrin a veten, pse e torturuen aq fort Mark Gjanin, aq sa ai të vdiste nga mundimet pa mund me dal as në gjyq? Ata nuk mund t'i nxirrnin prej mendje fjalët e tij plot gojëtari të zgjedhun e të matun, predikimet në meshë, shijen prej artisti në kremtimet fetar, këshillat për çështjet sociale, pajtimin e gjaqeve, kulturën e progresin njerëzor. I humbi varri por jo kujtimi.
Pas viti 1990, me ardhjen e demokracisë, zu të përmendej edhe emni i ndritun i meshtarit martir Dom Mark Gjani në biseda, përkujtime e botime. Por pa mundun gjer më tash me dhanë një portret të plotë të tij. E evokon shembullin e tij Imzot Frano Ilia me rastin e përurimit të Kishës së restaurume të Ndërfanës me 1995, me fjalë gjithë nderim e përkushtim. E përmend Prof. Dr. Zef Mirdita në veprën e mirënjohur “Krishtenizimi ndër Shqiptarë” si martir të fesë. Famullitari shenjt i Oroshit të kohëve kritike del edhe në libra të tjerë, ku shkruhet për kishën dhe klerin e Mirditës, në revista etj. Portreti i tij i kthjelltë vështrohet edhe në ndonjë fotografi të ruajtun prej shumë vitesh, ku ai ka dalë bashkë me Dom Rrok Friskun, kur shërbente në Kalivare.
Vitet do të kalojnë e Dom Mark Gjani veçse ma tepër do të dalë në dritë e shkëlqim. Brezat që do të vijnë gjithmonë do të kthejnë kryet prapa për me pa lavdinë e martirëve të fesë e aty do të jetë, fisnik, i paepun, misionar i përjetshëm Dom Mark Gjani. Në Tplan të Dukagjinit, në Shkodër e në Mirditë me siguri ka me pasë buste apo vende që kanë me mbajt emnin e tij. Biografi të tilla i bajnë nder vetë kombit shqiptar. Përgatiti Ndue Dedaj
|