Gazullorët e rinj
 Gazullorët përbëjnë një univers. Duke gërmuar në rrjedhat e 500 vjetëve, bindesh se mund të flitet jo vetëm për një trini unikale vëllezërish të shquar Gazulli (Gjoni, Pali, Ndreu) - “Yllësi” shqiptare në botën perendimore Europiane në shek XV, por për një dinasti të tërë Gazullorësh që në vetvete përbëjnë ende një Enciklopedi të pandriçuar. Brezi i dytë i Gazujve janë klerikët katolikë, ndryshe Gazullorët e Rinj. Universi Gazullian mundet të zërë fill me një meshtar të thjeshtë Dom Mat Gazulli nga Barbullushi që përmendet shkarazi në një dokument se kishte blerë një Bibël të çmuar me shumën e madhe prej 60 dukatësh nga Arqipeshkvi i Tivarit në vitin 1404 dhe të “mbyllet” në shek. XX me Dom Jak Gazullin famullitar i Kçirës i cili në vitin 1952 e më pas kryen shërbesa fetare dhe në Qafë Mali e Korthpulë të Mirditës. Prej më se pesë shekujsh gjendet i paprishur mbiemri Gazulli, ashtu si dhe më parë vazhdon të mbahet dhe sot e kësaj dite si mbiemër në disa fshatra të Zonës së Ulët të Shkodrës. Gazujt përmenden së pari më 1301 në “Libër Reformatorium” të Raguzës, më pas në Kadastrën Veneciane të një shekulli më vonë 1416, ku dalin 4 shtëpi me mbiemrin Gazulli në një katund të Bregut të Bunës. 
Vini re! Katër shtëpi, jo një fshat i tërë, çka nënkupton në një farë mënyre se ishin të ardhur nga diku brenda vendit. Vihemi kështu në kërkim të origjinës së tyre të hershme. Si shumë bashkohës e të tjerë të mëvonshëm shpërngulen nga Mirdita e vendosen në fushë për një jetë më të mirë. Për të mos humbur identitetin, siç ndodhte rëndom me të shpërngulurit morën me vete emrin e fshatit si mbiemër të tyre.
Origjina e hershme e Gazullorëve ishte Mirdita ku deri vonë janë ruajtur disa mbishkrime me këtë emër ndër varreza. Të tilla janë gjetur në Ndërfanë e gjetkë.
Dom Gaspër Gurakuqi i vendos ata në Kashnjet të Mirditës, “Ku gjinden edhe sot (1938) dy lagjesh: Kuqaj dhe Lalaj. Prej Kuqajve u shkëputën tre vëllazën nuk dihet kur, njëri shkoi në Lezhë dy të tjerët u ngulën këtu në Dajç (Zadrimë), ku u shumuen e sot gjinden 16 familje me 125 pjesëtar pos atyre që kanë dalë prej këndej”.
Pikërisht në Kashnjet duhen kërkuar rrënjët e këtij fisi bujar. Kuqajt dhe Lalajt i përkasin fshatit Gjazujt-Sukagji, më pak se tre orë nga Ndërfana në Veriperëndim të saj. Emri Gjazuj del vetëm atje dhe askund tjetër, në trajtën e shumësit, kurse të shpërngulurit e kanë mbajtur në trajtën e butë të njëjësit – Gazull. Është fshat i vjetër me pamjen tipike të një vendbanimi të hershëm në të dy anët e luginës që formon përroi i Gjazujve. Kemi Gjazujn e Epërm dhe Gjazujn e Poshtëm. Në Kodër Gjazuj gjenden rrënojat e një objekti fortifikues mesjetar dhe ato të kishës së Shën Ilisë që nuk mbahet mend nga banorët e sotëm, por që del nga relacionet e fillimit të shekullit XVII vetëm si emër. Prej këtej janë shpërngulur gazullorët në Zadrimë, Dajç, Barbullush, Kukël duke i dhënë emrin e tyre dhe një fshati të vogël në afërsi të Velipojës, siç gjendet në kadastrat e vjetra të shekullit XV. “Kemi pas tokat bashkë, kemi pas mort e darzëm me njëri - tjetrin”, tregojnë sot në Gazuj të Kashnjetit. Edhe Gazullorët e Dajçit njohin Gazujt e Kashnjetit për vendorigjinën e të parëve të tyre. Kjo tezë e origjinës së kësaj familjeje me emër mbështetet nga disa studiues, sipas të cilëve “djepi i parë i gazullorëve ka qenë lagjja Gjazuj e Kashnjetit të Mirditës”. Lidhjet mes gazullorëve vendas dhe të shpërngulur i japin dhe disa gojëdhëna, sipas së cilave, ata dhe në ditë të vështira i janë gjetur njëri tjetrit, madje dhe jashtë Shqipërisë.
Përsa i përket vendit të lindjes së Gjon Gazullit (figurë e madhe poliedrike e shek. XV), studiuesi Mikel Prenushi e lë evaziv, kur shkruan se për shumë arsye mund të mendohet se ai ka lindur në Zadrimë apo në Mirditë nga e kishte origjinën familja e tij. Nuk përjashtohet mundësia që Gjin Gazulli i ati i tre vëllezërve të shquar humanistë, (Gjon, Pal, Ndre) të ketë qenë një malësor me qeleshe që priste e përcillte dashamirë të tij në kullën e tij në Gjazuj të Mirditës, siç mund të ketë qenë një arhond i njohur i Arbërisë po në këtë trevë.
Madhështia e derës së Gazullorëve sintetizohet te njeriu simbol, Gjon Gazulli, i lindur në vitin 1400, shkolluar në Padova, marrë doktoratën në shkencat e lira, atdhetar i madh, politikan, diplomat, profesor, orator, figurë poliedrike e një shkencëtar brilant, astronom e matematikan, posedues i një biblioteke të madhe.
Gjoni dhe dy vëllezërit e tij patën lidhje të ngushta me Gjergj Kastriotin. Raguza u bë atdheu i tyre i dytë, prej nga lidheshin me Shqipërinë, Italinë, Hungarinë etj.
“Pal Gazulli ishte besniku i të madhit Skandërbeg, të cilin herë e shoqëronte, herë shkonte në emër të tij te Papa i Romës. Papa i dorëzonte 2000 dukatë për Skandërbegun, si ndihmë për luftë kundra Turqisë”.
Mirëpo a do të kishte një vazhdimësi Gazullore apo gjithçka do të mbyllej në qarkun e tyre të lavdisë së shekullit XV? Fatmirësisht ky gen i fortë nuk u shuajt. Fisi i Gazullit rron, luton e meshon për fe, atdhe e kombësi: shumëfishohet përballë barbarisë që dyndet nga larg për të tjetërsuar tokën, njeriun, katoliçizmin, traditat. Është një radhë e çmuar priftërinjsh katolikë që së bashku në “polifoto” historike i japin një dimension të ri dimensionit Gazullian.
Nuk është e rastit që “brezi i dytë” i Gazullorëve, ai i klerikëve, që ende mund të konsiderohet si një brez i humbur, bën emër në rradhën e ndritur të përpjekjeve për liri e pavarsi, si dhe për mbrojtjen e katoliçizmit
Nga fisi priftëror i Gazullorëve rreshtojmë: Dom Mate Gazulli, prifti domenikan katolik Gjon Gazulli që së bashku me Palin, Abatin e Ndërfanës, është ndër ambasadorët e Gjergj Kastriotit në Europë, krahas Pal Ëngjëllit, Arqipeshkvit të Durrësit; dhe 200 vjet pas tij Dom Pal Gazulli që më 1671 është famullitar në Gjunalë dhe më pas në Kashnjet. Në shekullin XVIII është imzot Gjon Gazulli, Arqipeshkvi i Shkupit i pasuar nga Dom Ndre Gazulli apo Gazullori, Abat i Mirditës.
Vijnë më pas Dom Mëhill Gazulli, Dom Shtjefën Gazulli, Dom Simon Gazulli, Dom Zef Gazulli, Dom Gjon Gazulli (i vjetri), Dom Gjon Gazulli (i riu) me të vëllanë Dom Nikoll Gazullin dhe së fundi Dom Jak Gazulli. Janë të paktën 12 meshtarë Gazullorë në gjashtë shekuj, sa nga asnjë derë tjetër shqiptare.
“Gazullorët e Rinj” (siç e kemi cilësuar brezin e klerikëve për t'i dalluar nga “Gazullorët e Vjetër” humanistë të shek XV) bëjnë emër në mënyrë të veçantë në shekullin XVIII e më pas.
IMZOT GJON GAZULLI, ARQIPESHKËV I SHKUPIT
Në shkrimet për klerikët Gazulli përmenden dy me këtë emër. Këta i përkasin shekujve XIX e XX. Gjon Gazulli i parë (që e kemi cilësuar i vjetri) ishte nip i Dom Zef Gazullit nga Dajçi. Kur ky i fundit vdes në vitin 1872 i shkruan një epitaf mbi rrasën e varrit xhaxhait, teksa ishte nxënës-xhakue në kolegjin Loteran. Më vonë do të kemi Gjon Gazullin e dytë (i riu) i cili ekzkutohet më 1927 për motive politike. Kurse Gjon Gazulli (1702-1753), Arqipeshkëv i Shkupit në shek. XVIII është përmendur ndër ne vetëm tash së voni, “kosovar nga Gjakova”, “doktor në teologji e filozofi” që ka botuar në Romë në vitin 1743 librin e tij shqip në dialektin e Gjakovës.
Ky pasardhës i denjë i Budit, Bogdanit, Hasit e të tjerë del të ketë qenë njëherësh dhe një njeri i spikatur i dijes e letrave. Shkrimi më i plotë për Gazullorët, ai i Dom Gaspër Gurakuqit, kufizohet vetëm në ata me prejardhje nga Dajçi i Zadrimës- “kjenë dhe janë të gjithë Gazullorë të Dajçit” – dhe vetëm për periudhën 1783-1938, duke mos përmendur jo vetëm Dom Mate Gazullin, por as Dom Pal Gazullin e shek. XVII le pastaj Imzot Gjon Gazullin, Arqipeshkëv i Shkupit, me të cilin gjeografia Gazullore shtrihet dhe në një hapësirë tjetër shqiptare në Gjakovë e në Shkup. Për origjinën e tij mund të thuhet ose ai ishte nga Gazullorët e shpërngulur në Zadrimë dhe për nevojat e shërbimit fetar ishte dërguar në Kosovë, ose (çka ka më tepër gjasë), një degëzim i Gazullorëve të Mirditës ishte vendosur me banim në Gjakovë e prej tij kishte rrjedhur edhe Imzot Gjon Gazulli, gjë që e përforcon edhe libri i tij i shkruar në “dialektin e Gjakovës”.
DOM NDRE GAZULLI, ABAT I MIRDITËS
Rridhte nga trungu Gazullor i Dajçit të Zadrimës. Qe doktoruar për filozofi e teologji në Universitetin e Propagandës Fide në Romë në vitin 1766. Më 1790 vjen në krye të Abacisë së Mirditës me seli në Orosh (pas Dom Pal Dodës), ku duhet të ketë qëndruar gjatë pasi vetëm pas 23 vjetësh, në vitin 1813 përmendet si abat apo administrator Dom Mark Negri.
Më parë, për një periudhë 5-vjeçare (1783-1788) kishte shërbyer si famullitar në vendlindje. Deri në vitin 1938 në famullinë e Dajçit është ruajtur një libër mbi veprimtarinë e përditëshme të asaj famullie i plotësuar nga ai vetë dhe më vonë nga të tjerë.
Atë vit muzeut kishtar të Dekanatit Priftëror të Dajçit i qenë dhuruar dy objekte (relike) të përdorura nga Dom Ndreu, “nji David e nji Tyrbi”, nga zoti i një shpie patriarkale të atyshme, Luku i Zekë Ejll Pal Gazullit.
Abat Gazulli “ia pat rritur shumë namin si Mirditës, ashtu edhe Abacisë”, ai pati vendosur marrëdhënie dhe me Ali Pashë Tepelenën duke i dërguar të kushëririn Ndrekë Gazullin me një tubë luftëtarësh.
DOM GJON GAZULLI (1893-1927)
Ishte dhe ai nga Dajçi i Zadrimës. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë ku laureohet për teologji. Nga viti 1919-1927 shërben si famullitar në dioqezën e Sapës. Shquhet jo vetëm si meshtar i devotshëm, por dhe si një figurë politike aktive e kohës.
Për meritat e tij zgjidhet deputet në Kuvendin Kombëtar në krahun e opozitës. Merr pjesë në organizimin e kryengritjes së Mirditës dhe Pukës. Ahmet Zogu hakmerret ndaj tij duke e varur më 5 mars 1927 në Fushën e Druve në Shkodër. Kjo figurë pak e njohur përmban në vetvete një atdhetar të madh, një nga dëshmorët e krishtërimit dhe me sa dimë i pari i fisit priftëror Gazulli, pasi më vonë i tillë do të jetë edhe vëllai i tij Nikolla.
DOM NIKOLL GAZULLI (1891-1946)
Rreshtohet ndër dijetarët e spikatur të gjysmës së parë të këtij shekulli, më së shumti gjuhëtar. I shkolluar dhe ai në Insbruk si i vëllai Gjoni. I pajisur me kulturë Gjermane. Qe një shkenctar me fizionomi të plotë; i vlerësuar dhe i mirëpritur në rrethet shkencore dhe intelektuale të viteve '30, me një vepër të shpërndarë në periodikët e kohës. Hartoi dy vepra origjinale leksikografike që i botoi në “Visaret e Kombit” dhe “Hylli i Dritës” , përkatësisht: “Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore” dhe “Fjalori toponomastik” . Si leksikograf solli ndihmesë të shquar në gjuhësi. Nikoll Gazulli ishte i dhënë edhe pas folklorit dhe historisë, fusha në të cilat boton shkrime, këngë të moçme etj. Për të Iliria ka një histori fetare me atë të Italisë, me dëshmorë, me selina ipeshkvnore, me Etën të vet, kurse “ndë Shkodër tanë kemi një Romë të dytë në Ballkan: Këtu fillimi i krishtnimit nis me kohëna apostolike e vazhdon me një seli ipeshkvnore që ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona”.
Gjen një rast të argumentojë mbi historinë e Mirditës, duke kundërshtuar ndonjë tezë të pasaktë e të diskutueshme mbi prejardhjen e saj. Sjell dhe ndonjë dokument të panjohur për shqyrtim në këtë rrafsh dhe arrin në përfundimin e rëndësishëm se “mirditasit nuk janë një fis i huej”.
Vritet në befasi për shkak të bindjeve antikomuniste.
* * *
Universi Gazullian është një nga margaritarët më të çmuar të historisë dhe kulturës tonë kombëtare. |