GJERGJ FISHTA 
1871-1940
Mjaft dëshmi shkrimore kanë pohuar origjinën e Fishtës nga Mirdita, ndërsa dëshmitë gojore të qojnë tek “kulla” e të parëve të tij në Domgjon të Fanit të Mirditës. Familja e tij ishte shpërngulur në Zadrimë ashtu si mjaft familje mirditase asokohe. Fëmijëria e poetit që fshihte brenda gjeniun e ardhshëm u përkund duke u mëkuar me folklorin karakteristik të Mirditës. Si të mos mrekullohej shpirti i tij nga ajo materie e çuditshme që rrëshqiste mbi telat e lahutës e të çiftelisë, herë në trajtën e lirikës elegjiake, herë në formën e satirës origjinale? Por nuk do të ishin vetëm origjina, fëmijëria apo folklori që do t'a shpinte poetin e madh vazhdimisht te vendlindja e të parëve të tij, te Mirdita krenare.
Thuajse menjëherë pas përfundimit të arsimit të lartë, aty nga viti 1893, Gjergj Fishta do të caktohej famullitar në Gomsiqe, ku do t'u printe punimeve për ndërtimin e një pjese të kishës. Aty fillojnë lidhja, miqësia, bashkëpunimi me Abatin e Mirditës Prend Doçi, i cili qe ndër të parët që parandjeu tek Fishta poetin e madh të kombit. Dihet nxitja që ai i bëri Fishtës të vazhdonte të shkruarit e Lahutës, duke kënduar si një rapsod homerian i maleve shqiptare. 
Si e përcjellin studiuesit kohëqëndrimin e Fishtës në Gomsiqe të Mirditës?
Karl Gurakuqi shkruan se “Fishta në Gomsiqe të Mirditës në përpjekje të përditshme me popullin e maleve, gurrë e pastër gjuhe dhe jete shqiptare, nxori ato visare të çmueshme frazeologjike, gojëdhënash, dokesh, kanuni, mendësie dhe natyre arbnore, që me aq mjeshtëri e natyrsi dijti t'i gërshetonte ndër veprat e ndryshme të veta e sidomos në kryeveprën “Lahuta e Malësisë”.
Namik Resuli shton se “kohëqëndrimi i Fishtës në Mirditë, në një nga krahinat më konservatore të Shqipërisë, ku tabiatet dhe doket ishin njësh, qe një faktor përcaktues në formimin e poetit të ardhshëm, ngaqë tashmë ai qe në lidhje të drejtëpërdrejtë me kulturën e Malësisë, e vetmja ndoshta Mirdita, që kishte mbetur e pacënuar dhe rrezatonte karakteristikat më thelbësore të malësorëve shqiptarë në gjëndjen e tyre natyrore… vlera që pati qëndrimi i Fishtës në Mirditë shihet qartë ne kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” .
Edhe Ëngjëll Sedaj pohon se “qëndrimi në këto krahina të veriut, në fillim si famullitar i ri në Gomsiqe, do të jetë një faktor vendimtar në përgatitjen e poetit të ardhshëm, në njohjen më të drejtëpërdrejtë të këngës popullore, të lahutarit shqiptar”.
Pal Dukagjini vëren se “kontakti i përditshëm i Fishtës me mirditasit, e shtyni famullitarin ta kundronte shqiptarin ma për së afërmi… ai si psikolog i vërtetë depërtoi në shpirtin fisnik të fshatarit. Aty, syni i tij i mprehtë pau e lexoi, me një pëlhurë të endun në vegë ilirase, se bujaria, ndera, besnikëria, trimnia, urtia, zotnimi i vetes, squetsia e deri krenaria e fisit, ashtu porsi drejtësia kanunore, ndonjëherë e vrazhdë kryqëzoheshin e laracoheshin me vuajtje, vorfni e pashkollim…”
Fytyra e tij e hijshme dhe e mbushun, me një ballë të gjërë, pak flokë të bukur, të krehur me një vijë në anë, ata sy që nuk të lëshojshin lehtë, kur të shikojshin ëmbël, butë e fort, kur e donte puna, paraqisnin forcën e mendimit fishtian e mprehtësinë e çështjeve që i kapte koka gjeniale e tij. Katundar me origjinë nga Fani i Mirditës e lindje në Fishtë të Zadrimës, klerik formuar në shkollat e perëndimit, një intelektual me potencë të madhe kulture, marrë në ato vende ku jepet dija, Patër Gjergj Fishta asht krejt shqiptar, me medje e me zemër, asht meshtar e c'do ditë nuk ia pritonte t'a luftonte të keqen me guxim, të mbrojë c'do shejtni të fesë e të kombit përballë armiqve të ndryshëm e fanatizmit që qe i përditshëm asokohe. Kur nxori revistën “Hylli i dritës” më 1913-kemi,tha tashti,- një tribunë ku mbrohen të drejtat tona. Dyzet vjet të jetës së komplikuar të Shqipërisë prej viteve 1900 e gjer në dhjetor të vitit 1940, kur do të pushonte një ditë dimri zemra e mendja e “Poetit Kombëtar”, krejt kjo periudhë historike, shoqërore, morale, politike, letrare e kulturore nuk mund të kuptohet pa Patër Gjergj Fishtën e të analizohet pa figurën e tij. Anëtar i shoqërisë letrare “bashkimi”, kryetar i Komisionit të alfabetit në Kongresin e Manastirit, më 1908, anëtar Komisionit Letrar në Shkodër më 1916, themelues i liceut “Iliricum”, deputet i flaktë i opozitës me Fan Nolin, Gurakuqin, Patër Ambroz Marlaskajn e Dom Ndre Mjedën, përfaqsues i Shqipërisë në sa e sa mbledhje e kongrese, të gjitha këto e të tjera vepra kanë qenë punë e atdhedashurisë dhe karakterit të tij liridashës. Fishta ka shumë merita dhe ndër to ka dhe meritën se ka ngritur në artin e poezisë e të prozës klasike vetitë e racës, energjitë e kombit, karakterin e shqiptarit me të mirat e dobësitë e tij. Ka bërë të marrë pjesë në jetën shqiptare përmes vargut simbolik natyra, fushat, ujrat ndër male orët e zanat e me nje gjuhë flakë e barot ka dashur dhe ia ka arritur t'i thotë botës se ka akoma Shqipëri. Më 1935 Fishta propozohet për cmimin Nobël nga shoqata botërore e poetëve në New York .
Frati vigan shqiptar, me rreth 23 mijë fjalë në veprën e tij përaf ërsisht sa Shekspiri dhe Pushkini, kishte gjetur një “armë” tjetër për të zëvendësuar ashpërsinë shqiptare, forcën përmes sarkazmës që e përdori për të goditur jo vetëm veset, por dhe vestarët, gënjeshtarët, megallomanët, mediokrit. Si vlerësim të gjithë kësaj vepre madhore në shërbim të fesë, e të kombit shqiptar komunizmi e dënon Fishtën me harresë, nënvlerësim, e përbalt me shpifje gjithçfarësh duke dënuar e mohuar në fakt një pjesë themelore të historisë shqiptare. Koha për antivlerën po perëndon përditë e me shumë, ndërsa koha për vlerësimin e Fishtës sa ka trokitur…
VEPRAT
-Veprat epike
Lahuta e Malsisë
Mois Golemi i Dibers e Deli Cena
-Veprat satirike
Anzat e Parnasit
Gomari i Babatasit
Taralloqja e Ballkanit
-Veprat lirike
Mrizi i zanavet
Vallja e Parrizit
Pika veset
-Veprat dramatike
Shën Françesku i Asizit
Shën Luigji Gonzaga
Baritë e Betlemit
Juda Makabe
Odisea
Shqyptari i gjytetnuem
Shqyptarja e gjytetnueme
Ifigenija n'aulli
Jerina ase Mretnesha e lulevet
-Vepra të tjera
Parathania e kanunit
Gjuha shqype
Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjáma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu á' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; á' e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubimit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'ameshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
shi prej djepit na kanë thánun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhánun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn k'ta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' má para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp má s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë k'ta për dhé t'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xúni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kenë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për té gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
N'per gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali , bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!
|