Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni: Art-Kulturë -> Preng Cub Lleshi - Elena Gjika dhe Mirdita

TEMAT

  Kongresi i Gjuhës Shqipe

  Visari Leksikor i Mirditës

  Mirdita,qendra e Dukagjinit

  Mirdita, djepi i Kastriotëve

  Elena Gjika dhe Mirdita

  Aleksandër Moisiu, Mirditor


  Art-Kulturë


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

ELENA GJIKA

STËRMBESË MIRDITORE

Për Elena Gjikën, e njohur edhe me pseudonimin Dora d'Istria, njerëzit tanë kanë mësuar, përveç artikujve të shumtë të shtypit tonë, edhe nëpërmjet monografisë së Vehbi Balës, kushtuar kësaj figure të shquar. Ajo përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare, veçanërisht në vitet e Lidhjes së Prizërenit. Duke marrë parasysh se gjithë jetën e saj ajo ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare, na duket se nuk është e drejtë ta quajmë “shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune”, siç thuhet në Fjalorin Filozofik Shqiptar, por një figurë e ndritur e kulturës kombëtare shqiptare, siç bëjmë me Marin Barletin, Aleksandër Moisiun e ndonjë tjetër.

Duke gërmuar në origjinën e saj shqiptare, autorë të ndryshëm e bëjnë atë stërmbesë, kryesisht, të zonave të Shqipërisë Jugore, dikush stërmbesë të Çamërisë, dikush të Përmetit e të tjerë. Dhe për këtë sjellin si argument, përveç të tjerave, edhe mbiemrin “Gjika”, i cili, vërtetë, është i përhapur në këto vise, siç është i njohur edhe në Shqipërinë Veriore, veçanërisht në trevat e Mirditës etnografike. Por duke e kërkuar origjinën e Elena Gjikës vetëm duke u nisur nga përhapja e fisit “Gjika”, do të ishte e vështirë të zbulohej e vërteta për këtë çështje me rëndësi në historinë e kulturës shqiptare.

Për ta zbuluar më mirë të vërtetën mbi origjinën e saj, na ndihmon vetë Elena Gjika me pohimet që parashtron në veprën “Gratë në Lindje”, botuar në Zyrih më 1859 në gjuhën frënge. Këtu ajo, midis të tjerave, shkruan: “Mirdita është vendi ku linden dy familje, njëra prej të cilave ka luajtur një rol të madh në Turqi dhe tjetra në Moldavi – Vllahi (Rumani). Nga Kyprili ka dalë një vezir i madh dhe katër breza ministrash janë dalluar. (Familjes së Kyprilinjëve - Preng C. Lleshi). Familja tjetër, ajo me emrin “Gjika”, është, gjithashtu me origjinë nga Kypriliu, ku lindi në shekullin e XVII-të Gjergji i Parë që hypi në fron më 1658” 1)

Pohimi i Elena Gjikës është i qartë: Kyprilinjët dhe Gjikajt ishin dy familje të njohura në Mirditë, duket nga një fshat me emrin Kypril, që ndeshet ndonjëherë në formën Kiptil. Pinjollët e këtyre dy familjeve, aty nga fundi i shekullit XVI ose fillimi i shekullit XVII, u larguan nga vendlindja e tyre: Kyprillinjët për në Turqi, kurse Gjikajt për në Moldavi – Vllahi të Rumanisë, të cilat bënë emër atje ku shkuan – gjë që dëshmon për një shkallë të lartë zhvillimi të trevave nga u shpërngulën. Dhe dokumentet historike hedhin dritë në pohimet e Elena Gjikës: I miratojnë ato, por, sigurisht, lënë edhe vend për diskutime, saktësinë e thellime, veçanërisht për lokalizimin e fshatit Kyprill, nga u larguan dy familjet e përmendura jo vetëm në historinë e Mirditës, por edhe të Shqipërisë.

Të dhënat që sjell E. Gjika për origjinën e saj nga Mirdita, ndriçohen fort edhe nga disa të dhëna që parashtron historiani Selami Pulaha në veprën “Lufta shqiptare – turke në shekullin XV”. Në këtë vepër ai pohon se në vilajetin e Urakës (Selita ose Kurbneshi i sotëm), në vitin 1467 kishte tre fshatra ku haseshin mbiemrat Gjika: Kiptil (ndoshta duhet të jetë Kypril), Selitë, ku duket se Gjikajt janë fort të përhapur. Këtu del se në fshatin Gjikë, ku kishte 21 shtëpi, ishin edhe këto familje: Budin Gjika, Andrea Gjika, Gjon Gjika, Shtjefën Gjika. Po këtu, sipas dokumenteve që sillen, del se në fshatin Selitë në 16 shtëpi që kishte, figuronin edhe dy familje që kishin mbiemrat Gjika: Kol Gjergj Gjika e Lazër Gjika, si edhe një farë Gjon Mirditi. 2)

Historiani S. Pulaha, në revistën “Studime Historike”, viti 1973, afirmon se Gjikajt i hasin edhe në zonën e Oroshit në të njëjtën periudhë me Gjikajt e Urakës. Ky fakt, por dhe fakti tjetër që Gjikajt i kemi prezentë në Mirditë edhe pas pesë shekujsh, por edhe vetë pohimi i Elena Gjikës, sikur të bindin se kjo përfaqësuese e madhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare është stërmbesë mirditore. Dhe për këtë mund të dëshmojë ekzistenca edhe në ditët tona e fiseve në fshatrat Kuzhnen, Shebë, por dhe Macukull, i cili administrativisht i takon rrethit të Matit, por që është si vazhdim i Selitës së vjetër.

Një tezë tjetër, ndoshta më shumë e pranueshme, për vendburimin e Gjikajve dhe të Kyprillinjëve, është mendimi se fshati Kyprill lidhet me emrin e fshatit Kpruell, ngjitur me fshatrat Spiten, Zejmen të rrethit të Lezhës dhe Katundi i Vjetër i rrethit të Mirditës. Emri i këtij fshati, në shtegtimin e tij shekullor do të ketë pësuar ndryshime që nuk kanë arritur të ndryshojnë rrënjën e Kprol e Kpruell, që duhet të kenë ardhur nga një “Kaproll” a “Kapruell”, të cilat janë edhe sot të gjallë në të folmen e Mirditës. Në ndryshimet fonetike që mund të ketë pasuar ky emër mund të ketë ndikuar edhe përdorimi i gjuhës turke në rregjistrimet që kanë bërë zyrtarët turq. Edhe gërmadhat e një manastiri të hershëm, edhe gojëdhënat për një qytezë të hershme në këtë vend, por dhe gërmadhat e kishës së vjetër në Katundin e Vjetër, të bëjnë të mendosh se këtu duhet kërkuar vendorigjina e Kyprillinjëve dhe e Gjikajve.

Pavarësisht se ku do të lokalizohet në të ardhmen fshati Kyprill, aty ku duken gërmadhat e tij, në Kuzhnen, Shebe apo Selitë, një gjë është e vërtetë: Elena Gjika, siç e ka pohuar qartë në librin “Gratë në lindje”, është stërmbesë e Mirditës, e trevës që nuk iu nënshtrua për pesë shekuj perandorisë osmane. Fakti që pinjollët e Kyprillinjëve i kemi prezentë edhe në ditët tona në Turqi dhe fakti që Gjikajt i kemi prezentë edhe në Kuzhnen e Shebe të Mirditës, por edhe në Macukull të Matit do t'i ndihmojë historianët që t'i afrohen më shumë të vërtetës shkencore për vendorigjinën e Elena Gjikës.

 

•  Gratë në lindje. Zyrih 1859, f. 271.

•  S. Pulaha: Lufta ruso-turke f. 332

“Mirdita”, 17.02.1991.

 

Girokastër 04.05.69

Shoku i dashur Frenk! Gëzohem të jeni shëndosh e mirë. Do të më falni për vonesën e zgjatur, por kam kërkuar të më vinte edhe një material nga jashtë, i cili më erdhi në film nëpërmjet Biblotekës Kombetare, por nuk kishte gjë nga ato që unë prisja për Elena Gjikën, prandaj këtë radhë po ju dërgoj vetëm këto shënime të pakta.

 

Ju ngjatjetsoj

Lefter Dilo

 

Elena Gjika (Dora d'Istria) për Mirditën.

 

Në librin e saj “Gratë në lindje” shkruar frëngjisht, Elena Gjika, lidhur me origjinën e saj shkruan midis të tjerave:

“Mirdita është vendi ku lindën dy familje, njëra prej të cilave ka luajtur një rol të madh në Turqi dhe tjetra në Moldavi-Vllahi (të Rumanisë). Nga Kyprili ka dalë një vezir i madh dhe katër breza ministrash janë dalluar prej saj.

Familja tjetër, ajo me emrin Gjika, është gjithashtu me origjinë nga Kyprili, ku lindi, në shek. XVII, Gjergji i parë që hypi në fron më 1658, (fq. 271) i librit “Gratë në lindje”)

 

Shënim: Kyprili, Elena Gjika e përmend si fshat në Mirditë, prandaj do shikuar kjo. Me fjalë të tjera ajo thotë se familja e Qyprillinjve dhe e Gjikajve ishin prej Mirdite, si origjinë.

Lefter Dilo

Libri i Elena Gjikës është botuar në Zyrih , më 1859.

 

Me rastin e 145-vjetorit të lindjes

 

ELENA GJIKA (DORA D'ISTRIA)

VAJZA JETIME NGA ÇAMËRIA

 

Gjer më sot, u tha dhe u shkrua se Elena Gjika e kishte origjinën nga Përmeti buzë Vjosës, duke mbetur në heshtje origjina e saj e vërtetë dhe shumë gjëra të tjera interesante të jetës dhe sidomos vizita që bëri ajo në Shqipëri gjatë okupacionit turk. Atë që nuk e treguan të tjerët për të, e shkruan ajo vetë në veprat e saj me vlerë:

“Jam lindur – shkruan Elena Gjika në brigjet e Shqipërisë jugore, jo larg maleve të dëgjuara të Sulit, në qytetin e Pargës…”

Duke kujtuar ditët e hidhura të dorëzimit të qytetit, Elena Gjika shkruan: “Parga ime e dashur iu dorëzua vezirit të pamëshirshëm të Janinës, i cili nuk donte të falte qytetarët e Pargës për arsye të ndiente këtë udhëtim, megjithëse kishte disa “që qeshnin për këmbënguljen e saj patriotike”.

Çamërinë, vendlindjen e saj, ajo e cilëson një nga krahinat më të qeshura të lindjes. “Nuk e them këtë – shkruan Elena Gjiak – nga entuziazmi patriotik”. Duke kujtuar bukurinë e vajzave të Çamërisë, ajo shton: “..Njeriu adhuron bukurinë e këtyre virgjëreshave me sy të zes, flokët e këndëshme të së cilave, me një ngjyrë gështenje, zbresin gjer në thembrat e këmbës, Sot, përkundrazi, çdo gjë ka ndryshuar! Zemra pikon gjak, duke soditur jetën e mjeruar, që bëjnë këta njerëz… luftëtarë të shkëlqyer që i takonin dikur të ngarkuar me armë plot me re që ajo dëgjoi nga goja e një gruaje.

Shkodrën Dora D'Istria e përshkruan me ngjyra të bukura. Duke folur për Rozafatin ajo thotë: “Pazaret dhe xhamitë me kubera ngrihen si amfiteatra gjer në kështjellën e Rozafatit, e cila qëndron në ajër në një lartësi prej 115 metrash”. Pazarin e Shkodrës e përshkruan si një “ballo me lloj lloj kostume”.

Duke folur për veriun e atdheut tonë Dora d'Istria na informon se familjet Gjika dhe Qyprili janë nga krahina e Mirditës duke dhënë edhe hollësira të tjera për to.

Lefter Dilo

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net