Fabian Barcata dhe ditari i tij shqiptar
Ndue Dedaj
Ditari Shqiptar i Fabian Barcatës është i panjohur për lexuesin shqiptar. Botimi i tij në shqip mundësohet vetëm sot, pas njëqind vjetësh nga koha kur u shkrua. Përshkrimi me detaje i njerëzve, i varfërisë, sëmundjeve, bestytnive, por dhe i karakterit dhe virtyteve të tyre përbëjne lëndën e tij origjinale. Hyn në radhën e librave dhe shkrimeve të të huajve që e pasurojnë njohjen dhe dijen shqiptare, që në këto pesëmbëdhjetë vjetët e fundit kanë qenë të shumtë dhe të mirëpritur. Kanë munguar më parë disa burime autentike të shkruara për Shqipërinë, dhe ky ditar, ndonëse i shkurtër, është një nga ato. Shkuarja drejt burimeve është gjithnjë interesante dhe e domosdoshme në lemin e dijeve. Ditari paraqet vlerë të posaçme pse u shkrua nga një i huaj, që jo vetëm e prek, por dhe e përjeton botën shqiptare, jo vetëm e prek, por dhe preket prej saj. Është një dëshmi që nuk buron thjesht nga njohja e sipërfaqshme, me përshkrime të tipit “si e pashë unë Shqipërinë”, por dhe nga humanizmi, dashuria për të. Dhënia e disa ndodhive hap pas hapi ka bërë që Ditari në tërësi të jetë si një roman, ngaqë “personazhet” e tij shpesh të shoqërojnë për një kohë të gjatë, ku tipike është gruaja e sëmurë epileptike Dilë, që arrin të shërohet si me profeci falë ndihmës së frarit dijetar. Njohja e Shqipërisë së kohës nga të huajt kishte rëndësi dhe për krijimin e shtetit shqiptar të 1912-ës dhe përshpejtimin e fundit të perandorisë otomane. Imazhi shqiptar i fillimshekullit XX sigurisht nuk ishte vetëm idealiteti i poetikës romantike të Naim Frashërit dhe as vetëm ai i “Shqipërisë më krye në hi” të Pashko Vasës. Shqipëria ishte e bukur, po dhe primitive, e besës, po dhe e rrezikshme, shqiptari ishte madhështor në virtyte, po dhe pak difektoz në vese etj. “Lule” dhe “Ditari Shqiptar” do të mbetën ndër dëshmitë e kërkuara për Shqipërinë e asaj kohe, për shkak të njohjes së thellë e të gjithanshme të njeriut, psikologjisë, dokeve nga autori, që rroi gjatë mes mirditorëve etj., për frymën humaniste që i karakterizon si vepra, si dhe për profilin prej artisti të Barcatës, i cili i përshkruan mjeshtrisht rrethanat, episodet, karakteret njerëzore etj. Nëse zakonisht realiteti i atyre kohëve është parë me një palë sy, o të vendësit, o të të huajit, në rastin e Barcatës, Nopçës, Durhamit, Valentinit, ai thuajse është parë me dy palë sytë, pasi ata i lidhen më së shumti fatet e tyre dhe si individë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Kështu, Barcata nuk është një princ soditës i një realiteti të vrazhdët, por një banor i prekur nga gjithçka e dhimbshme njerëzore, veladoni i tij stërpiket me gjakun e Ndrekës së sapovrarë nga gjakmarrja, shiu dhe bora e zënë sa herë nëpër të varfërit e famullisë së tij, shpëton nga gremina ku për pak mund të kishte humbur jetën, ndan me fëmijët në skamje copën e bukës dhe drutë e zjarrit, i bën ballë me stoicizëm malaries që e ka zënë dhe atë si gjithë banorët e Kryezezit dhe të Bulgërit, pasi ai është një shtegtar e lajmëtar i maleve tona, ku “legjendë asht edhe lindja, legjendë asht edhe jeta, legjendë asht edhe vdekja”, siç do të shkruante Migjeni. Ai është misionar i vetëdijshëm i ndryshimit të ngadalshëm por të sigurtë, dhe për gjithçka mundi të arrinte, i bën nder jeta e tij. Ai dhe në Austri shërbeu me një përkushtim të pazakontë ndër manastire, noviciate, shtëpi të edukimit, arkiva dhe biblioteka, pse ai ishte një në personalitetin e tij si njeri, misionar dhe artist. Në “Ditari im shqiptar” autori shfaqet vezhguesi i drejtpërdrejtë, përjetuesi i thellë, interpreti i veçansive të një bote njerëzore, ku pamja e mjerimit dhe i mbijetesës është mbizotëruese. Ashtu si te romani i mirënjohur “Lule”, ai shfaqet jo si një kronist i thjeshtë i ngjarjeve dhe rrethanave, por si një shkrimtar, që din me mjeshtri të përdorë rrëfimin, përshkrimin, detajin, portretin, peizazhin, herë duke u frymëzuar nga bota e fëmijëve, herë nga notat intime të vendlindjes së munguar. Bie në sy stili rrëfimtar, konçiz, ku disa nga episodet ngjajnë si skica dhe tregimthe të mirëfillta realiste, si “Një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar”, me elemente befasuese: njeriu që e pret vdekjen duke e parë në sy, i cili cek në bisedën e fundit me fratin vetëm “mëkatet”, anët negative të jetës së vet. Sapo mbaron këtë lloj rrëfimi të çuditshëm, ai shtrihet dhe vdes qetësisht, sikur ta kishte thirrur ai vdekjen e tij fiks në minutin e caktuar dhe jo si ta kishte në dorë vdekja atë. Merita e autorit qendron në psikologjisjen e këtij lloji tipi mirditasi, i denjë për në një sfond klasik teatri evropian. “Pasi folem rreth një gjysëm ore me njëri-tjetrin, ai hoqi cigaren nga goja, u shtri në tokë, më mori dorën dhe pas disa frymëmarrjeve të zgjatura, vdiq”, përmbyll autori historinë e rrëfyer. Ditari e kalon lexuesin nëpër një kronikë, shpesh të trishtë, gjithë detaje jetësore, ndodhi, histori dhe bestytni, duke e njohur me njerëz të varfër e fjalëmatur, që gjithësesi nuk e kanë bjerrur shpresën dhe kuptimin e jetës. Ngjan si një “rregjistër” ku noterizohet gjithçka që përben jetën e Kryezezit në zgrip, ku ka vdekje të shpeshta dhe kërcënojnë epidemitë. Shumica vdisnin nga mungesa e mjekut, ilaçeve dhe kujdesit shëndetësor, ku priftit, të gjendur si në rrethim nga një situatë e tillë, i duhej të jepte zgjidhje për gjithçka, sa ai të befason kur thotë se në dhomën e të vdekurit mora vendimin për t'u bërë vetë mjek. Për të nuk ështe e huaj asgjë që lidhet me fatin e famullisë së tij. Shpesh fretërit, murgeshat bënin dhe punën e mjekut dhe infermierit, si murgeshat e Kallmetit, gjithashtu austriake. Kjo të sjell ndërmend shembullin e papërsëritshëm të fratit të pashallarëve të Shkodrës , At Erasmo Balneo-s, portretizuar me aq mjeshtri nga At Zef Pllumi në një libër të tijin të kohëve të fundit. Në fletën e ditarit të Barcatës të 21 gushtit 1905, zhvillohet një dialog nga më të pabesueshmit mes priftit dhe të vrarit. Prifti e pyet në agoninë e fundit Ndrekën “A do ta falësh vrasësin tënd?” dhe ai i përgjigjet si një i krishterë i devotshëm: “Oh, me gjithë zemër.” Një ndodhi gjakmarrjeje, e përshkruar me ndjesinë e njeriut të fesë, si një rrëfim artistik, ku syrit dhe lapsit të autorit nuk i shpëton asnjë detaj, por “pikturon” dhe fytyrat e dy bijave të vogla të të vrarit, “që të pikël luara nga dhimbja qendronin të heshtura pranë të atit me një perkushtim absolut.” Syrit vrojtimtar dhe mprehtësisë së tij nuk i rreshqet asgjë pa kuptuar, ndjerë dhe shënuar. Ai shkruan se njerëzit e dinin katekizmin një një mënyrë origjinale, popullore, ndikuar nga rrethanat, përmes këngëve të shenjta, traditë e lënë në këto anë nga priftërinjt e vjetër vendës. Këtë fakt pikant, ai e ka shtjelluar e përshkruar artistikisht, në katundin, kishën dhe figurën popullore të Dom Dodës, në romanin “Lule” Në Ditarin e Barcatës lëviz një gjindje e lodhur, e sëmurë, e varfër dhe pa vese, pleq, fëmijë, gra, supersticiozë, bestytë, ku ai shfaqet i vendosur dhe veprues në luftimin e bestytnive. Për Gjoka, njëri nga rubikasit e vjetër, e ka kapur sensin e ndryshim, të së resë, perspektivës, ndaj arsimimin e të birit e argumenton kështu: “Jam i bindur që pushtimi nga Turqit nuk do të zgjasë shumë. Pastaj do fillojë një etape e re, ku të qenurit i aftë, do të vlerësohet më shumë se sot.” Herë-herë të mrekullojnë pasazhe të karakterit filozofik, shkruar me stilin e esesë, ku Barcata shfaq cilësi të tjera të karakterit të tij prej humanisti dhe artisti. Diku, kur ai bashkëbisedon me vendlindjen, shkruan: “ zemra është një gjë e veçantë. Çfarë ajo ka dhe çfarë ajo zotëron, asaj nuk i vlen aspak. Qëllimi i saj është të arrijë atë çfarë është larg dhe e padepërtueshme.” Edhe më shumë të shtohet admirimi për këtë misionar shembull përshpirtmerie kur mendon se ai i shkroi rreshtat e ditarit të tij shqiptar duke vuajtur dhe vetë nga ethet e malaries, me duart që i dridheshin. Por besimi në Zotin, formimi i tij i shëndoshë, sensi i së vërtetës, filozofia prej frati të sakrificës dhe mundimeve, sfida ndaj së keqes dhe mjerimit që ai e kishte kthyer në qëllim dhe vetëdije, bënë që ai në misionin dhe shkrimet e tij të ishte i panashëm, i drejtë në gjykime, njohes i mjedisit, dokeve dhe riteve, vizatues i rrallë i temperamenteve, i padominuar në asnjë rresht nga emocionet e çastit. Asnjë klithmë apo britmë nuk ka në fletët e shkruara prej tij, asnjë shenjë të humbjes së shpresës e besimit, dhe pse jeta asokohe ishte vetë një klithmë. Ai ishte rregjisor dhe aktor njëherësh në dramat dhe brengat e njerëzve të Kryezezit me të cilët rroi. Ashtu si Migjeni ynë, tridhjetë vjet më vonë, në kohën e një ndërgjegjeje të re shqiptare, që do t'i përcillte malsorët përmes recitalit të tyre piskamë dhe kënges së dhimbës krenare, duke qenë dhe ai i kërcënuar nga një sëmundje, shumë më e pabesë se malaria e Barcatës, dhe nëse atë sëmundja e mushkërive e këputi në 27 vjeç, këtë apostull plak nuk e ndali dot në 86 vitet e jetës së tij prej bohemi. Eshtë rast i lumtuar t'ia leçisësh tashmë në shqip lexuesit fletët e këtij Ditari .
Ditari im Shqiptar Në Kryezez, për t'u shëruar nga ethet e malarjes
30 Prill 1905
Sot jam kthyer me gjithë çfarë kisha nga Alessio (Lezha). Ethet e malaries më kishin lodhur shumë kohët e fundit. Gjatë rrugës m'u desh të ndalesha dhe të pushoja dy herë dhe kur arrita këtu dridhesha aq shumë, saqë nuk e kontrolloja dot veten. Pritje festive! Nga lart ku ndodhej kisha dhe famullia, dëgjoheshin të shtënat me pushkë. Ndërmjet të shtënave dëgjohej dhe zëri i ëmbël i këmbanave të kishës. Të gjithë njerëzit që takoja gjatë rrugës më pershendetnin me respekt. Para dyerve te shtëpive dhe kasolleve qëndronin gratë ndërsa para tyre vraponin fëmijët disi të trembur, që më vrojtonin me gisht në gojë. Një grua e re me një fëmijë në krah, e cila gjatë rrugës qëndronte pranë meje, me tha me zë të lartë: “Zotëri rri tek ne, ajri i Kriezezit do t'ua largojë ethet e sëmundjes.” Edhe unë e besoja këtë. Arqipeshkvi më kishte dërguar këtu për t'u shëruar.
4 Maj 1905
Sa e varfër është famullia. Sigurisht që as Lezha nuk më ka përkëdhelur, madje edhe komforti më i vogël që më kanë dhënë atje, këtu më mungon terësisht. Gjatë natës së sotme ka rënë shi dhe mua m'u desh ta ndërroja katër herë vendin e fjetjes, pasi pikonte në të gjithë dhomën time. Më në fund nuk më mbeti asgjë tjetër, veçse të mbeshtillesha në mushemanë time. Kështu më zuri gjumi dhe kur u çova isha terësisht i lagur. Gjëja më e këndshme është zjarri që ndodhet në kuzhinë dhe që mbahet ndezur gjatë gjithë kohës. Afër zjarrit ulem me orë të tëra në një poltron, veçanarisht kur më kapin ethet e malaries.
5 Maj 1905
Dje u ankova për kushtet në banesën time dhe kjo nuk është aspak e drejtë, pasi Zoti nuk ka falur në Kryezez diçka më të mirë. Sa e varfër është kisha këtu! Katër mure të vjetra dhe mbi to një çati e keqe e papërfunduar me pllaka guri dhe përveç kësaj mungon dhe tavani. Altari është si një kub muri, ku për të hipur tek ai, duhet të kalosh mbi dy shkallë, të murosura dhe këto. Mbi altar në mur është varur një pamje e mjerë, e pikturuar në dru. Ka vetëm dy mbajtëse qirinjsh prej druri, të cilave u mungojnë dhe këmbët. Në vend të këmbëve i kanë vënë gozhda për t'i mbajtur. Qirinjtë e tjerë mbahen në shishe boshe. Të vetmet stoli në kishë janë dy tufa të vjetra me lule letre, të cilat dhe këto kanë humbur formën e tyre. Si mbajtëse vere shërbejnë dy shishe të vogla të bëra nga kungulli. Kur po thoja për herë të parë meshën e shenjtë më ka shtrënguar zemra. E ndjeja se duhej të ndryshoja diçka. Menjëherë kam shkruajtur për ca mbajtëse të reja qirinjsh prej metali dhe u kam kërkuar murgeshave në Kallmet të më bëjnë 4 buqeta të reja lulesh. Kisha ka nevojë edhe per t'u lyer me gelqere, gje që do ta bëj vetë. Përse e kam bërë shkollën e pikturës?
“Një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar”
15 Maj 1905
Sot kam bërë vizitën time të parë pranë një të sëmuri. Me thirren tek një burrë i vjetër që po vdiste. Shkova me kalë deri tek kasollja. Aty ma mori kalin një burrë. më shpetojë përveç se zemërgjerësisë suaj.” Unë e dëgjova rrëfimin e tij dhe m'u duk sikur kësaj here kisha bërë mjaft. Ai donte që unë t'i bëja dhe vajimin e fundit. E kundërshtova me vendosmëri, pasi ky sakrament bëhej vetëm për njerëzit që ishin duke vdekur. “Zotëri, më beso, do të vdes së shpejti.” Gjatë kësaj kohe erdhen në dhomë dhe të afërmit e burrit, të cilët iu bashkuan lutjes së tij. Edhe ato mendonin se ai do vdiste së shpejti. Nuk isha i bindur, por i shtyrë nga lutjet e njerëzve, i bëra këtij burri vajimin e fundit. Pas ceremonisë më përgatiten kafe dhe unë qëndrova ca kohë duke biseduar me këtë burrë. Ai më tregoi për kohët e shkuara dhe me dukej se i kishte venë qëllim vetes të më tregonte vetëm gjërat negative që kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij. Por qëllimi që i kishte venë vetes nuk pati sukses. Pas çdo fjalie që ai thonte, fshihej një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar. Pasi folem rreth një gjysëm ore me njëri-tjetrin, ai hoqi cigaren nga goja, u shtri në tokë, më mori dorën dhe pas disa frymëmarrjeve të zgjatura, vdiq.
17. Maj 1905
Prekem shpirtërisht kur shoh se si përkujdesen njerëzit për mua. Më sjellin çdo gjë që mund të më ofrojnë nga varfëria e tyre, si djathë, vezë dhe gjalp. Javën e kaluar më ishin mbaruar rezervat e miellit, që kishim sjellur me vete nga Alessio. Komshinjtë mësuan për këtë nga shërbëtorët dhe po atë ditë më erdhen burra e gra dhe më sollën miell. Ato mësuan se unë kafenë në mëngjes e pi vetëm me qumësht dhe duke qenë se unë nuk kisha një lopë, i kishin venë dëtyrë vetes të më sillnin rregullisht qumësht.
“Ishte një përvojë e rrallë për mua”
21. Maj 1905
Përsëri një vizitë tek një i sëmurë. Këtë herë ishte një djalë i ri, i cili vuante nga një infeksion akut i mushkërive dhe nuk kishte asnjë shpresë për t'u shëruar. Edhe kjo ishte një përvojë e rrallë për mua. Po përgatitesha t'i bëja vajimin e fundit. Ai po më vështronte i trishtuar dhe m'u lut: “Jam kaq i ri. Të lutem mos e bëj.” Në fillim nuk e kuptova, përse ky burrë kaq besimtar, po kundërshtonte këtë sakrament. Vetëm nga bisedat e mëpasshme e kuptova, se ai kishte frikë se mos shërohej përsëri. Shqiptarët besojnë se kur marrin vajimin e fundit janë të destinuar për të shkuar në qiell dhe për këtë nuk lejohet të bëjnë mekate të tjera. Vetëm pas kësaj kuptova përgjigjet që më jepeshin nganjëherë gjatë rrëfimeve kur unë e pyesja si për shembull: “A ke vjedhur?”, ato më përgjigjeshin: “O Zot, kam marrë vajimin e fundit, si mund të bëj një mekat të tillë?” Për këtë arsye kishte aq frikë nga ky sakrament ky djalë i ri, pasi ai mendonte qe po të kishte një jetë të gjatë, do ta kishte të vështirë t'u rezistonte të gjitha tundimeve të jetës.“Në dhomën e të vdekurit, mora vendimin... që të bëhesha vetë mjek”
26. Maj 1905
Ai djali i ri, tek i cili kam qenë dje për vizitë, ka vdekur. Oh, sa më dhemb shpirti, kur shoh se si vdes një gjak i ri. Sigurisht që ai do të kishte shpëtuar, po të kishte pasur mjek dhe ilaçe. Në dhomën e të vdekurit, mora vendimin që të zëvendësoja atë që mungonte dhe të behesha vetë mjek. Sikur këto letra të bien një ditë në duar të huaja do të qeshin për optimizmin me të cilin po shkruaj, në lidhje me këtë qëllim që i kam venë vetes. Të bëhem mjek, kur nuk kam as shkollë, as dije, as përvoje. Nuk do të guxoj të shëroj sëmundjet e komplikuara, por sëmundjet e zakonshme që shërohen me mjete të thjeshta. Këtë do ta bëj. Uroj që për mjetet që na mungojnë, të na japë Zoti i madh, bekimin e tij. Ajo çka forcon bindjen time, është besimi që kanë kur vijnë e më pyesin herë pas here për sëmundjet që kanë.
“Ndrekë, a do e falësh vrasësin tend?”
21 Gusht 1905
Sa shpesh kam menduar me frikë dhe ankth, për herën e parë që do të më duhej t'i bëja ritin e fundit fetar, një të vrari. Dhe diçka tjetër është të kesh përpara syve, një burrë të lodhur e të zbehur, të cilin e kërcënon ngadalë vdekja, derisa t'i dalë shpirti dhe më e keqja, një trup gjithë plagë të gjakosura, jeta e të cilit përpëlitet në goditjet e dhunshme të plagëve. Çfarë do të ndodhë me mua, nëse do më thërrasin për ndonjë të tillë që është duke vdekur? Vështrimi mbi gjakun që rrjedh do më debulonte dhe do ta përmbushja dëtyren time me shumë veshtirësi. Kjo gjë më linte në ankth. Dhe pikerisht sot, ndodhi një rast i tillë dhe gjithçka ishte ndryshe nga ç'kisha menduar. Ndodhi në orën 13.00. Njerëzit, të cilët kishin ardhur për meshën e së dielës, tashme kishin ikur. Unë kisha pirë kafenë dhe isha kthyer në dhomën time për të shkruajtur. Aty dëgjova një krismë, por nuk mendova me gjatë. Pothuajse pas një ore u fut brenda një shërbetor dhe më tha: “Ndrekën e gjuajtën!” Dola nga shtëpia dhe aty pashë të qendronte një djalë i ri, i cili me zor ngopej me frymë. Ai kishte vrapuar aq shumë për të më treguar: Qe sipër nga ana tjeter e luginës, aty ku kufijt e Kriezezit bashkoheshin me ato të Bulgërit, kishin gjuajtur Ndrekën pas një debati të shkurtër mes tij dhe njërit nga Bulgëri. Tashmë Ndreka po më kërkonte mua. Unë renda në dhomën time, mora shishen me vajin e bekuar, e futa në xhep, vura kapelën dhe i thashe djaloshit: “Pas meje!” dhe pa u ndalur aspak vrapova mes pyllit dhe shkurreve ne luginen e pjerrët. Duke rrëshqitur dhe duke u rrëzuar nga shkapërcimet e rrezikshme, më në fund arritëm poshtë. Tashmë e lashë djaloshin të më udhëhiqte dhe u nisëm menjëherë pa frymë. Na u deshën tre çerekë ore derisa mbërritem në vendin e ngjarjes. Ne fillim s'arrita ta shikoja të plagosurin, ngaqë rrethohej nga një grup burrash. Pasi u afrova, rrethi u hap dhe para syve te mi u shfaq një pamje shumë prekëse. Në tokë shtrihej Ndreka i mjerë. Pjesa e sipërme e trupit te tij ishte e mbështetur tek një vajzë pothuajse 15-vjeçare, e bija, e cila ishte gjunjëzuar pas tij dhe e mbante fort me të dyja duart e saj; bluza e saj e bardhë si dëbora ishte njollosur me gjak, të njollosura ishin dhe duart e saj të vogla, gjak kishte në rrobat e të plagosurit, me gjak ishte spërkatur dhe myshku i tokës. Dhe pranë babait që po vdiste, qendronte dhe një vajzë tjetër akoma më e vogël, duke e ledhatuar lehtë me dorën e saj të zbehtë. Rrallë kam parë një pamje kaq ekspresive të një perkushtimi kaq te dashur... |