Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni: Art-Kulturë -> Ndue Kaza -> Bujaria

TEMAT

  Veçoritë psikologjike

  Besimi

  Bujaria

  Përjetimet

  Trimëria

  Besa

  Psikologji

  

  Art-Kulturë


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Aty ku hyn miku, zoti shton bukën e nderin...

Është traditë e mirditorit bujaria dhe zemërgjerësia dhe kjo bëhet për njerëz të njohur e të panjohur, me pasë e të papasun e në kushte krejt të vështira. E thirrura në derë të shtëpisë dhe e përgjigjuna: -hajde, mirë se të vish, -me një ton të lartë e të kthjellët, është mikpritja e parë dhe e pazëvendësueshme. Miku dorëzon armën të zotit të shtëpisë që nënkupton: tani jeta ime është në dorën tënde, në mbrojtjen tënde. Kjo ndodh edhe për çdo njeri tjetër. Miku i panjohur ka për detyrë të prezantohet nga vjen dhe qëllimin e tij, por kurrë i zoti i shtëpisë nuk e provokon, nuk e sugjestionon.

Miku mund të jetë fjaltor, udhëtar, sihariqtar, mik buke, mik shtëpie, i rastësishëm etj. e në të gjitha rastet ai nderohet e respektohet. Edhe kur nuk kishim bukë për familjen, mikun e pritshim me respektin e nevojshëm.

Ne jemi përditë këtu e miku vjen rrallë e për mallë, do respektu si miku i shtëpisë ashtu edhe kalimtari. Njerëzit s'duhen dalluar në pritje, janë postulate të cilat i dëgjon në biseda me njerëz të moshuar.

Është karakteristike se miku në shtëpinë e tjetrit çdo veprim e kontrollon rreptë, pavarësisht nga shkalla e lartë e respektit që i bëhet dhe mjedisi që i krijohet. Ai është i kursyer në të ngrëna e në të pira; të folurit dhe të qeshurit është me cak; është i përmbajtur dhe ka një farë frenimi që sado që të përpiqesh nuk eleminohet. Edhe gjumin nuk e bën si herët e tjera e ngrihet shpejt në mëngjes për të mos penguar njerëzit e shtëpisë dhe kërkon leje pasi kryen ritualet.

Bujaria shkonte përtej virtytit, mikpritja kishte si “meze” të parë gjendjen shpirtërore të ngritur, bisedën e pasur me humor e mendime filozofike të cilat e zbukuronin sofrën.

Përcjellja e mikut ka veçoritë e veta. Atij i tregohet rruga, në qoftë se nuk e di; i gjendet shoqëruesi nëqoftëse ka nevojë, i cili e dorëzon “nga buka në bukë”, por në të gjitha rastet i thuhet mirë ardhsh.

Në pritjen e miqve të largët e të panjohur tregohet kujdes u bëhet nderë më shumë edhe kur ka një grup miqsh respekti i bëhet secilit sipas vendit të vet. Duke biseduar me një të moshuar se si e vlerësonte mikpritjen ai tha: “Pritjes së mikut nuk mund t'ia gjejmë cakun unë as ti”.

Është krenari të presësh miq, prandaj mikpritja vlerësohet si veti e shenjtë “miku mik e shoqi shoq” -shkruhet në kanun.

Mirëseerdhe! Paç ku me ardhë! Mirë se të pru zoti! Udha e marë e mirë ardhsh!....

Edhe dy hasëm mund të hanë bukë në një shpi të një miku a një shoqi e kurr nuk ka ndodhur të vriten.

Mikpritja është zakon i përgjithshëm. Ajo shtëpi që nuk pret e nuk e përcjell mirë mikun vështrohet me përbuzje.

“Ashtë shtëpi e ndershme”, bujare, “ dhe e pret mikun mirë” -dëgjon të thuhet. Kur vjen miku gjen një derë te hapur dhe i thonë . “ Mir se erdhe, or mek!” Mirë se të pru Zoti or mek!

“Kjo mikpritje ka ngelur si një ndër traditat dalluese të popullit. Këtë e gjeta kudo. Miku respektohet. Ai ishte i shtrenjtë, sido që të jetë ekonomia e shtëpisë ai nderohet. Kur largohet miku nga shtëpia ai përcillej dhe mbahej përgjegjësi për çdo rrezik që mund t'i ndodhte. Në qoftë se binte viktimë e ndonjë rreziku ai pritej në besë dhe fyerja ishte tepër e rëndë. Për këtë duhej bërë shpagim, një zakon ky që asnjë nuk mund t'i shpëtojë”, -vërente gjatë udhëtimit nëpër Mirditë Degrand. “..kudo më pritën miqësisht .. dhe çdo njeri më bëri përshtypje paqësore” shkruan Shtajnmetz. Mirditori është i sertë dhe nuk ndodh të merret me përgojime, qoftë edhe në familjen e tij, për të diskutuar e nëpërkambur mikpritjen. Është e turpshme të diskutohet niveli ekonomik i pritjes, por rëndësi e vlerë i jepet cermonialit të njerëzishëm pa ngjyra idhnie.

Tradita e mikpritjes është një trashëgimi e vyer etiko-morale, por natyrisht përmasat kanë pësuar ndryshime.

Është ruajur thelbi racional, por në disa raste, sidomos në fshatra të veçantë bie në sy një stërmundim i madh në pritje dhe përcjellje të miqve dhe jetohet ende me mentalitete e gjykime të vjetra; bëhen sjellje për traditë e opinion, për të qënë si të gjithë shokët, për të mos u koritur, gjëra, të cilat rrënojnë ekonominë.

Për këto mund të sillen mjaft shembuj si: Në një vizitë që mund të bësh diku, pritësit, megjithëse kanë të gjitha gjërat, shqetësohen, preokupohen, ndjehen keq dhe nuk e quajnë të kryer detyrën e mikëpritjes, nëqoftëse nuk të servirin një kokë bagëtie.

Po të thellohemi në analizën e shpenzimeve në gëzime a hidhërime, mbetesh i habitur nga tejkalimet që marrin trajta të paimagjinueshme dhe në ndonjë rast mortor, pamja paraqitet edhe tragji-komike.

Justifikimet që jepen janë të ndryshme, si: një herë martohemi, ose një herë vdesim, apo këto shpenzime i shkojnë për shpirt të vdekurit?

Duke bërë të paditurën për sentencën e njohur.... se megjithatë jeta vazhdon, po se si do të vazhdojë kjo e shkretë jetë, nuk dihet kur harxhohen energji jashtë çdo mundësie ekonomike?!

Kjo ndoshta më së pari kërkon një mendim tjetër, një reflektim me gjakftohtësi për të hequr dorë nga të jetuarit për opinion.

Edhe në të kaluarën, mikpritja nuk vlerësohej nga shpenzimet materiale nga shartime a stisje siç ndodh ndonjëherë sot. Ato gjithnjë kanë qëndruar në rend të dytë, ndërsa nderi për mikun rridhte nga pritja me ball të çelur, nga respekti dhe mbrojtja që i bëhej nga kulla në kullë.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net