Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni: Art-Kulturë -> Ndue Kaza -> Besimi

TEMAT

  Veçoritë psikologjike

  Besimi

  Bujaria

  Përjetimet

  Trimëria

  Besa

  Psikologji

  

  Art-Kulturë


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

BESIMI DHE PARAGJYKIMET

Të krishterë të zellshëm, tolerantë.

Mirdita ruajti të pastër besimin e krishterë dhe feja është vlerësuar jo vetëm si marrëdhënie e njerëzve me përëndinë, por edhe si lidhje në vazhdimësi me paraardhësit e tyre. Wiet thoshte: “mirditorët besojnë e janë katolikë të zellshëm”.

Klerikët duke zotëruar kulturë të gjerë me pasionin e tyre gdhendin në ndërgjegjen e këtyre njerëzve vlera të larta morale, të cilat gërshetoheshin me elementë fetarë. Kjo veprimtari ndikoi në forcimin e ndjenjës kombëtare dhe sherbeu për të përballuar procesin e asimilimit.

Feja kristiane u pranua, por u shoqërua edhe me rite e zakone pagane, edhe emrat e tyre që ruhen deri sot flasin për një popullsi të vjetër të krishterë me vlera kulturore të rezervuara në gjithë krahinën, pikërisht për këtë ajo i përngjet një ishulli katolicizmi.

Roma krijoi në krahinën e Mirditës shumë Kuvende e Manastire të cilat veç të tjerash u përdorën edhe si qendra për përgaditjen e klerikëve. Të tilla mund të përmendim: Abacinë e Shën Llezhdrit në Orosh, të Shën Palit në Shënpal, të Shën Mërisë në Ndërfanë dhe të Shëlbuemit në Rubik. Shuflay në studimin e tij ka veçuar se “.... sot e kësaj dite krerët e malësorëve katolik të Mirditës janë vazhdimisht nën ndikimin e fortë të abatëve.” “..ndikimi i kishës bëhet shumë i madh ndër të gjitha këto fise luftarake”.

Katolicizmi ndikoi në forcimin e ndjenjës kombëtare dhe përpunimin e saj si fortesë ndërgjegjësore, “ne nuk njohim ndryshim feje perveç shqiptarisë” deklaronin herë pas here, krerët e kësaj krahine, prandaj është theksuar edhe nga studiues të huaj se instikti fisnor është më i fortë se sa ligji kishtar dhe kur këto të fundit vijnë në kundërshtim me zakonet e vendit, nuk respektohen....

Ka një bashkëjetesë shembullore me besimet e tjera dhe ndoshta kjo është unikale në botë. Marrëdhëniet e mirditorëve me fqinjët e besimit tjetër kanë qenë kurdoherë korrekte dhe nuk mbahet mend ndonjë përplasje me karakter fetar e cila vërteton më së miri faktin se psikologjia e mirditorve është psikologji e paqes e mirëkuptimit ashtu siç është edhe thelbi i kulturës kristiane.

Në Baz, Selitë dhe Lurë vërehen përzierje fetare edhe brenda familjes. Duket e çuditshme, por dy besimet fetare bashkëjetojnë në mënyrë të harmonishme, aq sa jo shumë vite më parë dy vëllezër quheshin njëri Kolë e tjetri Hysen.

Feja edukonte që në fëmijëri e gjatë gjithë jetës. Shpeshherë Kisha, në mungesë të shkollës, u mësonte edhe shkrim e këndim. Njerëzit vinin të gjithë në kishë e u gëzoheshin festave, ditëve të Diela e Meshës. Ata i besonin drejtësisë e pastërtisë së Kishës, prandaj ajo arrinte të pajtonte edhe gjaqe e prifti në kuvendet e burrave zinte një vend të rëndësishëm.

Mirditorët janë të krishterë të pakonvertuar dhe ritet fetare të krishtera janë pjesë e pandarë e psikologjisë dhe përsonalitetit të tyre të mishëruara këto, jo vetëm me ndjenja fetare, por dhe me ato kulturore dhe profesionale, me qëndresën për të ruajtur vlerat etnopsikologjike, truallin stërgjyshëror, traditat, zakonet, doket dhe kultivuar e ngjizur virtytet më të vyera njerëzore.

Lëvizja kulturore kristiane ka ndikuar në ruajtjen e linjës së pastër të paraardhësve dhe mbajtjes ndezur ose të gjallë të luftës për pavarësi, prandaj për këtë arsye mendojmë se Sami Frashëri theksonte: “Mirditorët janë të krishterë katolikë, burra besnikë e trima”..

Për Mirditën feja katolike, veç të tjerash, ka pasur një vlerë të posaçme, pasi ajo i ka siguruar asaj edhe një përkrahje të madhe e në raste të caktuara edhe mbrojtje ndërkombëtare.

Se sa i thellë ishte besimi shihet edhe nga fakti se menjëherë sa u lejue feja, dolën kryqet, këmbonat, ungjinjtë e fshehura dhe njerëzit (veçanërisht të moshuarit) iu kthyen ritualeve të zakonshme.

Kjo verteton idenë se njerëzit e ruanin në shpirtin dhe zemrat e tyre shërbesën dhe besimin, madje kanë qenë të shumta familjet që gjatë “kohës së ndaluar” bënin të gjitha festat fetare paralel me ata të detyruara.

Shënkolli i Mirditës. Në jug të fshatit Mashtërkor, kishë famullitare për Oroshin, Lagjen, Mashtërkorin, Shmrinë, Tumerishtin etj.

Shtatë kishat e Spaçit. Janë të njohura kishat: e Shën Gjonit, ku janë edhe varret, e Shën Todrit, Shën Mëhillit, Shën Ndreut, Shëlbumit, Shnapremtja, Shënkolli.

Shën Demetri i Kalivares. Në një gurë është zbuluar: “Anno domini 1154.” Datim që e bën një ndër kishat më të vjetra të krahinës.

Shën Eufemija e Qafës së Malit. Është kishë e vjetër. Guri i parë është bekuar në vitin 1938 prej Dom Nikoll Kimzës, ka patur famullitar Dom Rrok Friskun.

Shën Shtjefni i Blinishtit. Për të flasin dëshmitë arkivore që nga shekulli XVII. Ka qenë një kishë e rëndësishme për fshatrat në rrjedhën e sipërme të Fanit të Madh.

Shën Marku i Fanit të Vogël. E permend Marin Bici (1610). Kanë shërbyer shumë meshtarë të përmendur si Nikollë Bianki, Zef Gjinali, Zef Marashi, Prend Suli, Prend Brunga, Zef Skana, Nikoll Luli etj. Është rikonstruktuar në vitin 1995 nga austriakët.

Shën Marrabej i Domgjonit. Famullia e re u përurua në vitin 1938.

Shën Mëria e Kaçinarit. E njohur dhe si Shën Mëria e Shpërdhazës, me një kumbonë të vitit 1438. Është rindërtuar në vitin 1883, nën kujdesin e priftit Prend Triepshi. Është rikonstruktuar.

Shën Gjergji Gjunalës. Shën Gjergji festohet me 23 prill. Kjo kishë është e përmendur që në vitin 1547, shërbente për fshatra të Kashnjetit duke qenë ndër kishët më të vjetra e më të përmendura të Mirditës.

Shën Demetri i Bukmirës. Ndër kishët e vjtra të trevës,që nuk funksionon në shekujt e fundit.Në Bukmirë është ndertuar një kishë e re.

Shën Mëhilli i Kashnjetit. Është një kishë e vjetër, daton që nga shekulli XVII.

Shën Mëria Madalenë e Ungrejt. Kisha e re është ndërtuar në vitin 1998.

Kisha Françeskane e Gomsiqes . Kisha e Shën Mëhillit, ku kanë shërbyer Gjeçovi, Fishta e të tjerë françeskanë të shquar. Ndertuar e re në vitin 2002.

Shën Mëhilli i Vigut. Është një kishë e vjetër e cila funksiononte që nga shekulli XVII. Ka shërbyer dhe Dom Ndre Mjeda.

Shën Vlashi i Malaj. Varësia kishtare për tre bajrakët e Kthellës ka qenë në Arqipeshkëvinë e Durrësit. Kisha e Shën Vlashit, ndryshe Kisha e Madhe e Kthellës, është ndër më të vjetrat e Mirditës.

Shnapremtja e Rrëshenit. E ndërtuar në Kodër Rrëshen. Përmendet në relacionet e shekullit XVII.

Shën Mëria e Përlatit. . Ka qenë e vendosur në Troje. Për disa kohë ka qenë dhe qendër e Dioqezës së Lisit, pasi aty banonte edhe Ipeshkëvi i saj.

Kisha të tjera të Kthellës. Dokumentat flasin dhe për shumë kisha të vjetra,si Shnapremten e Shebes, e cila mendohet se është e njëkohëshme me kuvendet benediktine, Shën Gjegji etj. Në Kthellë Epër përmenden kishat e Shën Mëhillit, Shën Markut, Shën Ndreut etj.

Kisha e Shën Llezhdrit të Selitës . E vendosur në Qafë Kishë midis Bozhiqit, Lufajt, Zajsit, Kurbneshit dhe Lëkundës. Në vitin 1641 kishte në varësi dhe fshatrat e Laç Bruçit, në të cilët kishte filluar procesi i islamizimit.

Kisha e Shëlbuemit. Në lashtësi, sipas rëlatorëve, ka qënë Abaci. Ndodhet midis fshatrave Kthellë Epër dhe Lëkundë, kryesisht në shërbim të banorëve të këtij të fundit, me varësi nga kisha e madhe e Selitës.

Kisha e Shnandoit. Në vendin ku sot janë varret e Kurbneshit, ka ekzistuar kisha e Shnandoit e cila frekuentohej shumë dhe ishte kthyer e një vend pelegrinazhi jo vetëm për banorët e Selitës.

Shën Gjoni i Bulgrit.

Në vitin 1641, Mark Skura, Ipeshkëvi i Arbërisë, shënon në relacionet e tij, krahas kishave të tjera dhe Shën Gjon Pagëzuesin e Bulgrit. Më vonë kjo kishë ka pushuar së vepruari dhe në themelet e saj është themeluar kisha e Shënkollit.

Shëlbuemi dhe Shna Premtja e Velës.

Kisha e moçme e Velës, Shëlbuemi, përmendet si kuvend benediktin. Aty qe hapur shkolla e vitit 1692. Në Rrajë të Velës ishte kisha e Shnapremtes.

 

Kisha pas vitit 1990.

Në vitin l996 nga Papa Gjon Pali II themelohet Dioqeza e re e Rrëshënit, me juridiksion: Mirditën, Matin, Bulqizën dhe Dibrën. Ipeshkëv i parë i Dioqezës emrohet Imzot Angelo Massafra, arbëresh i urdhërit françeskan. Në vitin l998 Administrator Apostolik i Dioqezës emërohet Imzot Cristoforo Palmieri, i urdhërit vinçensian.

 

katedralja e re e Rrëshenit

 

Mbas kontributit të çmuar për të rindërtuar afërsisht 20 kisha, të vogla dhe të mëdha, fryt i impenjimit e zellit apostolik të Misionarëve Vinçensianë, që nga viti l993, me 9 nëntor 2002 inagurohet Kisha Katedrale e Dioqezës së Rreshenit, një vepër monumentale moderne, dedikuar Jezusit i Vetmi Shpetimtar i Botës. Katedralja është si një ringjallje dhe vazhdimësi e traditës së shquar kishtare të Mirditës, sintetizuar dikur në Abacinë e Oroshit, kishën e saj gjithashtu monumentale dhe kishat e tjera kryesore të trevës në Kaçinar, Gëziq, Klos-Fanë, Malaj, Rubik etj. Ndërtimi i Katedrales së Rrëshënit zgjati afër pesë vjet dhe punimet u kryen nga firma e njohur ndërtuese ARFA me president Fatmir Çopja. FOTO l0 dhe ll

Me përkushtimin e Administratorit Apostolik të Dioqezës së Rrëshënit, Imzot Cristoforo Palmieri është në ndërtim Shkolla Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” po në Rrëshën.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net