Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
ART-KULTURË Për anëtarët

Ju jeni: Art-Kulturë -> Ndue Kaza -> Besa

TEMAT

  Veçoritë psikologjike

  Besimi

  Bujaria

  Përjetimet

  Trimëria

  Besa

  Psikologji

  

  Art-Kulturë


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

CILËSI TË KARAKTERIT

Luftëtarë të besës

Besa si institucion, qe kthyer në kult. Kuptimi për të qe i veçantë. Tek ajo qëndron vlera dhe virtyti i këtyre njerëzve ku besa gjeneronte forcë e fuqi morale, të cilat lehtësonin varfërinë e madhe të tyre. Kur thuhej “ky është besnik”, nënkuptohej njeri me karakter e moral të lartë, vlera që përbënin edhe idealin e jetës.

Qenësia dhe shpirti mirditor u formuan me parime të larta, ndër to besa përbënte gurthemelin e ekzistencës, prandaj thuhej “më mirë i fikun se i koritun”. Harrohej në momente të veçanta çdo detyrim familjar dhe përballoheshin të gjitha vështirësitë vetëm për të mbajtur vendimin e marrë, besën e dhënë dhe për besë e nder gjithkush ishte i përgatitur për të dhënë jetën.

Besa në marrdhëniet e përditëshme njerëzore, vihej para provave të rënda, të cilat kanë pasur edhe një çmim të lartë ndër vite, por në fund të fundit e kanë konfirmuar mirditorin si njeri tipik i besës.

Besa përcillej edhe në formën e amanetit që përbënte një detyrim të madh për të gjallët. Amaneti është diçka që i shprehej dikujt dhe kërkonte realizimin pa asnjë kusht të tij. Ai është një peng që lihet në besim njerëzve më të afërt, kryesisht në momentet e fundit, prandaj thuhet, atë se tret as dheu.

Atyre që u lihet amanet kanë ngarkesa dhe përgjegjësi të mëdha, për ta nuk ka asnjë pengesë e justifikim, mbi ta bie pesha që do të mbahet pavarësisht nga dimensionet e saj.

Kalojnë kohët e amaneti nuk harrohet. Gjithnjë dëgjohet thirrja, për të qenë korrekt Ajo ngjitet në kujtesë e jehon ditë pas dite në ndërgjegje duke u shumuar si një ortek i madh dhe krijon një gjendje stresi e ankthi që të mundon deri në plotësimin e amanetit. Prandaj dëgjohet të thuhet: amanetin ia lëshuen lisit dhe e thau, ia lëshuen gurit dhe e çau, ia lëshuen njerit dhe e mbajti.

Amaneti është një çast sublim dhe transmetohet ashtu siç lihet, prandaj shpesh thuhet a la ndonjë amanet? Amanet ta la të më rrisish fëmijën .... amanet .. djalin, vajzën,... amanet ma merrni hakun dhe duke artikuluar këto fjalë e lënë këto porosi, njeriu ikën i qetë në botën tjetër, i lehtësuar dhe me bindje të plotë se porosia do të realizohet.

 

• Pesha e besës

 

“Besa besë” është thënë dhe puna ka qenë e mbaruar, askush nuk ka diskutuar më tej. Kur mirditorët janë lidhur në besë, megjithëse me një fukarallëk të madh besa iu ka dhënë forcë, pa të ata nuk nënkuptonin asgjë. “Me i dalë zot atij që të bie në besë”, “mos me i ra në qafë të ligështit”, - thuhet nëpër kuvende burrash.

...” Egërsia dyshuese e banorëve të këtij fisi, rreziku i takimeve të pakëndshme kur hyn pa besën e një personaliteti të njohur .... shoqëron çdo njeri që kalon nëpër krahinë”, -thoshte Degrand.

Vetëm me besë të burrave të njohur jeton edhe gjakësi; besa e zotit, besa e burrave; besa e mikut etj, janë natyrë e shpirtit për mbajtjen e të cilave janë përballuar shumë mundime. “Paqja e fjala këtu nuk mund të blihen me para” vërente para shumë vitesh Shtajnmetz.

“Për këtë peshë nuk di gja”! S'ka shumë rëndësi se sa është pesha, ajo në atë botë bëhet shumë e rëndë. Vene kufirin me shpirtin tand......

Psikologjia dhe mentaliteti mirditor për jetën ka marrë brenda vetes besën, burrërinë, trimërinë, bujarinë, krenarinë, mikpritjen, respektin etj, prandaj nëna mirditore i këndonte fëmijës:

“O fitues, nanës në shpi

O i dekun, në gjak t'an përlye”

 

A je si je burrë?! Togfjalësh i çuditshëm që thuhet kur takohen dy burra. Të duket një ritual i rëndomtë a përshëndetje çasti, por jo pasi këto katër pesë fjalë përmbledhin në vetvete gjithë dinjitetin që kërkohet për të qenë burrë. Pra kur pytet a je si je burrë, nënkuptohet a je trim, a je i ndershëm, apo je kurrkushi, i koritun e s'ke ku del ndër shokë. Ngarkesa të tilla emocionale e psikologjike përmbajnë shumë këngë:

“Në Mirditë është lidh besa

Kush s'ka pushkë, lufton me kmesa

.....................................................

Se kësaj i thonë pushkë prej Kthelle

Pushkë prej Kthellë për rrazë tokës

S'keni njoft cubat e Gjigjokës..

......................................................

Kush të jetë burrë me besë Mirdite

Mos t'harroje luftën e kësaj dite”

 

Është lidhur besa besë dhe ky aliazh i vjetër shumë më i moçëm dhe i efektshëm se armët e zjarrit ka prodhuar forcë e bashkim dhe ka siguruar vetëm fitore.

Vlerësimi për besën ka thellësi e gjerësi të menduari e të vepruari, pandaj dhe në krahinë një herë në vit, të Martën e të Lidhnave, që bie në shkurt e herë në mars bëhej beja në gjitha fshatrat, burrë për shtëpi.

Në përmbajtje ishte një besë që lidhej me njëri – tjetrin për të mos prekur asnjë element të pronës private dhe respektohej nga i madh e i vogël. Janë të rralla rastet e shkeljes së saj. Për të krijuar një përfytyrim sa më të qartë për forcën e besës le të analizojmë disa raste tipike.

 

Ndodhte edhe kështu...

 

Tregon një i moshuar se kur deshi me vra gjaksin e vëllait të tij dhe doli në pritë për të marrë hak i erdhi fjala se ai kishte pi një kafe tek një bashkëfshatar i tij, atëherë nxori fishekun e radhës nga pushka dhe e vu atë në krah e u kthye në shtëpinë e vet. Ai anulloi aktin që kish vendos me krye pasi ai nuk mund ta vriste gjaksin në bukën e huaj, në besë, pasi konflikti do të merrte përmasa të tjera të padëshiruara.

P.Gj.D i Selitës zuri pritë me marrë gjakun e vëllait. Pas disa kohësh gjaksi erdhi, por kishte me vete dy fëmijë të vegjël, e P. u mendua thellë e i tha shoqëruesit: – “çou, sot qoftë i falun ... nuk mund të lë dy fëmijë të trishtuar gjithë jetën”.

Shumë vite më parë u plagos rëndë djali i Boçit në Shëngjin të Fanit. Vrasësi u strehua në një guvë aty afër, ku u mblodh gjithë fisi dhe e rrethoi duke i bërë thirrje të dorëzohej. Ai iu tha se nuk dilte pa ardhur vetë babai i djalit, i cili nuk vonoi e erdhi. I kërkohej atij që të dorëzohej duke i thënë se në qoftë se je vetëm do të të fal, ndryshe jo.

Ai u përgjigj nga shpella se ishte vetëm dhe doli. E morën me vete dhe e quan në shtëpinë e të plagosurit, i cili pas pak minutash vdiq. Të afërmit shumë të revoltuar donin të hakmerreshin, por babai i djalit iu tha: -jo, është në besën time. Thirri tre vetë nga fshati dhe iu drejtua: merreni çojeni në shtëpi të vet, ka tridhjetë ditë besë. Kështu u bë......

Djali i Çokut nga Oroshi po shkonte në mal me pushkë në krah, kur arriti në një farë vendi ai pa një njeri tjetër edhe ky i armatosur, i cili nga frika se e diktuan e vrau djalin dhe iku. Erdhi fjala në shtëpinë e Çokut dhe plaku bashkë me djemtë doli për të kapur vrasësin.

Babai ishte i moshuar, prandaj ecte më ngadalë dhe ngeli më prapa, në mes të rrugës i del përpara ai që i kishte vra djalin dhe pa e njohur i thotë: jam në besën tane se kam vra kot një djalë të ri; në moment erdhën dhe dy djemtë të cilët u vërsulën ta vrisnin, por plaku u thotë: sot është në besën time dhe nuk ka burrë që e vret.

Thirri tre pleq të fshatit dhe u thotë: merreni dhe çojeni në shtëpinë e tij, ka besë për 12 muaj.... Sot dëgjon të thuhet: “Besa e Çokut, besa e mirditorit”.

Më plagosën babën në pabesi. Ai në gjendje të rëndë i ra nore, në besë një shoqi që po kalonte në punë të vet rrugës. Ky i fundit ndërhyri duke e ndjekur doracin nga prapa, e zuri dhe e vrau; kujton M.F.tani i moshuar.

P. Gj. bashkë me pjestarët e familjes po punonte në bjeshkët e Xhuxhës, ndërkohë po shkonte rrugës një djalë i ri i hipur mbi kalë dhe këndonte. P i thërret: kalo rrugës or mik e mos këndo se jemi me familje – ai i përgjigjet: jam në rrugë time e nuk ka burrë që të më ndalë këngën. P. nxjerr armën dhe e vret.

Pasi kaloi njëfërë kohe K. i Shëngjinit i çon fjalë atij se më ke pre mikun, sepse ai ka pirë kafe në shpinë time atë ditë që është varë e.... një ditë feste te Kisha e Shmarkut dolën dhe vranë djalin e P.Gj. për të paguar mikun.

Lajmi u mur vesh; u mblodhën burrat e fshatit Xhuxhë dhe shkuan në Shëngjin, u bë luftë e vërtetë ku mbetën katër të vrarë e tre të plagosur dhe vetëm me ndërhyrjen e priftit u ndal pushka.

Është vështirë të futesh në atë labirinth ndjenjash, emocionesh, force e karakteri për të kuptuar se ku gjendej mekanizmi për të mposhtur urrejtjen e hakmarrjen dhe për t'u vënë fre pasioneve në momente të rënda psikologjike kur ke përpara vrasësin e djalit, për t'i hapur udhë arsyes dhe duke i lë radhë ndëshkimit. Dorëzania është një element i rëndësishëm i besës pasi dorëzani është dorëdhani. Kjo e ngarkon me përgjegjësi individin që merret me këtë verpim, atij i duhet të studjojë mirë karakterin e personit me të cilin ka të bëjë, familjen dhe rrethin familjar, qëndrimin moral të tyre. Vetëm pasi të marrë këto masa ndërhyn me personalitetin e tij për të ndërprerë, zbutur apo për të zgjidhur konfliktin.

Fjalën “besë” e takojmë edhe kur ndodhemi përpara një të papriture, para një habie, ku rëndom thuhej: “besa – besë këtë se kam pritë”, “besa po besa jo”, “pasha besën s'të kam marrë vesh ç'ka m'ke thanë”.

Këto të bindin se besa përbën një vlerë themelore të tradicionit shpirtëror nga luhatjet e të cilës hidhen në erë të gjitha vlerat e tjera.

“Për këtë shpirt po” .... “Për këtë shpirt jo” ose mallkimet “Mos i zantë vend shpirti”. “Si mishi, shpirti i shkoftë”, - “qoftë shpirttretur”, - “i daltë shpirti n'kjamet”, a urimet: - “i baftë dritë shpirti”, - “ia bekoftë Zoti shpirtin”, - “i shkoftë shpirti n'parris”, habia - “po ku e qon shpirtin, more”, - “e ka humb shpirtin”, - lutja “t'i ndezim një qiri për shpirt”, - “shkoftë për shpirt të t'parëve”.

Kuptimi për fjalën “shpirt” ka një diapazon të gjerë me dimensione gati të papërceptueshme. Ideja se e mira dhe e keqja që bëhen në këtë tokë, se ato janë gati të prekshme, dhe një ditë do të vlerësohemi është jo vetëm një iluzion por një bindje e plotë e njerëzve.

-“pasha tokë e pasha qiell” ose “pasha qiell e pasha dhe” janë betime që janë përdorur, por ndeshen edhe sot, veçanërisht në moshat e vjetra.

Disa pleq në kufinjtë e shekullit, kur u pyetën se si i kuptonin këto llojë betimesh thanë: “Zoti në qiell, qeveria në tokë”. Këtu duket se kemi materializimin e fjalës dhe veprës, binomi tokë – qiell është kufiri midis reales dhe abstraktes, toka që e prekim dhe qielli që fillon tek ne e nuk i dihet fundi, por jetojmë me shpresë se do të prehemi në jetën e pasosur.

 

Çmimet e besës

 

Besa veç asaj që ka të bëjë me një person të vetëm ajo shtrihet në një kolektiv e gjerë në krahinë. Veçanërisht, kur ka ngjarje të mëdha. Ka raste të rralla kur betimi bëhet pa siguri të madhe morale, ai i ngjante më shumë një vepre bamirësie e dhemshurie për të çliruar dikë nga një dënim fatal.

Mbajtja e besës i seleksiononte njerëzit dhe familjet. Shkalla e besnikërisë përmbante kufinjtë midis “ po -së” dhe “ jo -së”. Sa më shumë zbuteshin këto kufinjë, aq më e dobët ishte shkalla e besimit.

Gradualisht populli me përvojën e tij, përmes provave edhe më të rënda nxirrte konkluzionin: ky është besnik, kjo shtëpi, ky fis ka besë, ndërsa për të pabesin thuhej: sheh nën sy kur flet me të.

Nuk ka gjë më të rëndë se sa t'i thuash tjetrit “besëpre”. Edhe vajtoret këta tipa i qajnë afërsisht kështu:” me Krishtin u ndave... ,

me Muhamedin s'u pave”, etj

Për njerëzit e pabesë ndëshkimi ishte i rëndë dhe për raste të tilla reagonte ashpër gjithë fshati, prandaj është thënë, por dhe shkruar: në kanun gjaku lahet me para ose mall, ndërsa besa e preme dhe marrja lahen vetëm me gjak. Kërkesa maksimale për ta ruajtur e konsoliduar besën i ngjante një brezi betoni që pengonte prurjen e kohës.

Populli me mençurinë e tij në shumë raste i kishte prerë rrugën keqkuptimeve dhe e kanalizonte besën në përshtatje me interesat e veta. Në veprimtarinë e përditëshme flitej për këtë ose për atë rast e pasi përfundonte tregimi krejt natyrshëm thuhej: “po pse ia zune besë këto fjalë!”.

Prerja në besë është njollë që nuk hiqet prandaj thuhet: .. e vrava se më ka pre mikun në besë, e hoqa këtë marre prej dere, ... vrava vllanë se më preu mikun. Edhe fjalët e kafes thuhen në fund të saj se po të prenë mikun në kafen tane do të marrësh hakun. Mirdita është lidhur me besë, gjë që i ka dhënë forcë e s'i ka thye fukarallëku, pa këtë besë ishin pa asgjë.

Bëhet fjalë për periudha kur nuk kishte asnjë element të shtetit dhe rreziqet për konflikte ishin për çdo derë, ndaj besa rritej bashkë me njerëzit; në punë, në rrugë, në pushim, në sofër e deri në shtrojen për të rënë në gjumë.

Mirditori edhe në rrethana të vështira nuk e ka tradhëtuar veten për të hyrë eventualisht si lojtar prapaskenash për shkak të besnikërisë së tij. Kjo ka bërë që të mos avancohej në shkallë hierarkike të cilat iu kërkonin edhe obligime të tilla speciale, që të tradhëtonin veten dhe shokët, madje, edhe kur kanë ngjitur shkallë kanë lëvizur pikërisht për këtë arsye pasi tek ata transparenca dhe prudenca parimore janë pika qëndrese edhe në kohë ekstremesh.

Besa është jo vetëm një marrëveshje me veten dhe të tjerët dhe shkallë e thjeshtë shfaqjeje, por është qëndrimi objektiv ndaj realitetit, kërkim i të vërtetës, trimëri civile për të rezistuar trysnive të brendshme si dhe shtysave egoiste etj, por edhe atyre të jashtme.

Për parime të tilla, nuk është bërë asnjë lëshim, ndonëse është përballuar me pasoja të rënda e të dhimbshme pothuajse për krejt krahinën.

Nga vëzhgimet që kemi bërë vërejmë se ende ka një idealizëm të madh për besnikërinë. Më e theksuar në zonat rurale. Këtu nuk bëhet fjalë për t'i hapur udhë pabesisë e tradhëtisë, por kërkohet një rivlerësim, pasi çdo stad i zhvillimit të shoqërisë njerëzore kërkon e përpunon kode morale dhe etike që jo vetëm rregullojnë mardhëniet ndërnjerëzore por japin efektet e tyre në nivelin e jetesës.

Kjo është arësyeja që besnikëria po u kthye qëllim në vetvete, jo vetem shkëputet nga realiteti social e tingëllon jashtë kohe, por bëhet pengesë serioze për lëvizjen drejt progresit.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net