

KLARENCI QË KALOI KUFINJTË E SHQIPËRISË 
Quhet Klarenc Simoni, i lindur në Rrëshen në një familje intelektuale, babai-mjek reanimator, e ëma-mësusese. Tani mbaroi klasën e dytë dhe flet italisht e anglisht. Që në moshë të vogël në sytë e tij shprehej inteligjencë. Interesohej dhe e tërhiqnin figurat e ilustrimet e librave për fëmjë, ndjek me vëmendje filmat vizatimorë e ato fantastiko-shkencor. Dhuntitë e para janë të moshës 3-vjeçare, vizaton në mënyrën e vet, imiton.
Në moshën 5-vjeçare papritmas vjen tek unë me një dosje të bëshme nën sqetull, i brishtë. Kam sjellur disa piktura, të lutem a do m'i shikoni?! Punimet ishin ashtu të moshës, por me interes. Kujdesi i prindërve disi i tepruar, por jo pa efekt e bëri Klarencin të jetë ambicioz. Me orë të tëra merrej me punë, hargjonte fletë letre me shumicë dhe po aq ngjyra. E rrëmbejnë filmat, emisioni për pikturën. Mban mend emrat e piktorëve të njohur. Shikon libra arti, i pëlqen Van Gogu. 
Pas një viti pune nën kujdesin tim dhe me interesimin e prindërve çelëm ekspozitën e tij të parë. 600 punime mbushën faqet e mureve të galerisë së artit Rrëshen, e zbukuruan për shumë ditë atë. Ekspozita u vizitua nga qindra vizitorë. Etyde, përshtypje, kompozime dekorative, portrete, zogj, kafshë të ndryshme. Kolori- kryesisht një raport interesant i të errtave, e jo rrallë me kontraste; janë pasaporta e krijmeve të Klarencit. 
Këtij talenti TVSH i kushton një dokumentar televiziv dhe e transmeton disa herë në emisionin e fëmijëve. Shtypi lokal dhe ai i pavarur japin njoftime e komente për një fëmijë jo të zakonshëm. Madje në adresë të tij vijnë përshendetje nga mjaft emigrantë nga USA , Italia, Zvicra etj. 
Tani vazhdon në Tiranë kursin "Syri Magjik" nën drejtimin e piktorit Bashkim Dervishi. Vetë Bashkimi shprehet i kënaqur me Klarencin.
Klarenci tashmë i ka kaluar kufinjtë e Shqipërisë. Është pjesmarrës në disa konkurse ndërkombëtare. Në Poloni mes 32000 punimeve, të vlerësuara 900 prej tyre me diplomë është edhe Klarenci njëri prej tyre. Në Sllovaki në fund të muajit Maj 2004 vlerësohet me çmimin "B.I.B"
Kemi të bëjmë me një talent, i cili kërkon kujdes. Fëmijë të tillë nuk i përkasin vetëm familjes. Shteti dhe shoqëria duhet të përkujdesen me forcën e tyre që kanë. Talentet vdesin nëse nuk u krijohen kushte. Do të mendoja si të domosdoshme të qënurit e një shkolle që në klasën e parë nën drejtimin e piktorëve të apasionuar pas fëmjëve. Piktura është një profesion që kërkon punë. 
Klarenci është një fëmijë mjaft i talentuar dhe me tepër vullnet, padyshim do të jetë një artist i afirmuar në të ardhmen.
Pjetër Marku
Piktor
Rrëshen 28.06.2004 |