AT AMBROZ MARLASKAJ 
Kushneni i Mirditës, një fshat i vogël piktoresk, si një ballkon i blertë rrëzë bjeshkëve me të njëjtin emër vjen e rritet befas prej emrit të birit të shquar të tij, At Ambroz Marlaskës. Ka qenë një ndër françeskanët e mëdhenj shqiptarë. Dijetar i disa fushave, deputet i zjarrtë i Asamblesë Kombëtare. Dera e Marlaskës ka qenë e përmendur në shekuj për mjeshtërinë origjinale të punimit të këmborëve të njohur, të paktën deri në Shkumbin. Një traditë artizanale që ka ardhur duke u pasuruar brez pas brezi. Në nëntor të vitit 1884 në atë familje të njohur do të lindte Lleshi (emri i pagëzimit) që më vonë do të thirrej Ambroz sipas emrit të rregullshmërisë fetare. Do të ketë qënë ndonje klerik që ka pikasur dhuntitë e tij që në fëmijëri duke u bërë dhe udhërrëfyes i Llesh Marlaskës në udhën e dijes, siç ka ngjarë edhe herë të tjera. Kështu Ambroz Marlaskaj mëson në fillim në kuvendin Françeskan të Rubikut , për të kryer pastaj studimet Universitare në Austri, ku diplomohet për teologji dhe filozofi. Punon si pedagog në Austri dhe Çeki. Nuk qëndron gjatë. Kthehet në atdhe ku do ta prisnin punë të shumta. Në Shqipërinë e fillimeve të këtij shekulli, Françeskanët po shndërroheshin në një plejadë dijetarësh, poetësh veprimtarësh të shquar të Rilindjes e më pas të pavarsisë. Për ta rilindja e kombit ishte një proces i gjatë që nuk mund të kryhej pa vepra të guximshme dijesh dhe atdhetarie. Por At Ambrozi do të përfshihej pa vonesë në rradhët intelektuale jo vetëm Fran çeskane. Ai kishte filluar të lëvronte në hullinë e letrave shqipe. Për kontributin e tij të dukshëm në gjuhësi ku po kryheshin edhe sprovat më të guximshme, më 1916 zgjidhet anëtar i Komisisë Letrare krahas Luigj Gurakuqit, Gj Pekmezit, Sh Gjeçovit, Ndue Palucës, Sotir Pecit etj. Në vitet 20-të për ndihmesën në mësuesi e pedagogji zgjidhet kryetar i organizatës profesioniste “Lidhja e Mësuesëve të Prefekturës së Shkodrës”, që bashkonte në gjirin e vet arsimtarët e besimeve të ndryshme të shkollave laike dhe fetare.
Ka filluar ndërkohë mbase periudha më intensive e tij në lëmin e demokracisë, kulturës dhe përparimit të vendit. Revista “Hylli i Dritës” bëhet tribuna e ideve dhe polemikave të tij të zjarrta për problemet të aktualitetit politik e social. Në gjysmën e dytë të vitit 1921 boton shkrimet “Mbi Ortografi të Sotshme” , “Si duelën të zgjedhur deputetët katolikë të Shkodrës” , “A është qeveria e Tiranës nji “Turki e Re a Jo” etj. Ndër artikujt interesant është ai me titull “Një monument pazotësie në lamë të arsimit në Shqipni” (1923).
Me 1923 Marlaskaj zgjidhet deputet në Asamblenë Kushtetuese ku spikat oratoria e tij. Një ish deputet bashkohës në kujtimet e tij e karakterizon si “njeri shumë i sinqertë korrekt dhe patriot i mirë” fjala e të cilit zinte vend. Polemist i flakët dhe i mençëm në luftën për demokraci, kulturë e përparim, një nga penat më të mprehta të kohës që idetë i shtjellon përmes artikujve polemik vëren studiuesi Pal Doçi. Publicistika e tij tërhiqte vëmendjen për vëzhgimet e mprehta të problemeve sociale politike e dukurive të tjera që përjetonte shoqëria shqiptare në kërkim të një realiteti të ri. Doemos që pati dhe ngasje e telashe për shkak të ideve të guximshme që parashtronte në shkrime e fjalime. Dhe në rastin e Marlaskës publicisti e oratori janë një gërshetim me tipar kryesor shpirtin polemist.
I dyti në radhën e asamblistëve të mbledhur në Vlorë në pranverën e vitit 1924 menjëherë pas Fan Nolit, mik dhe bashkëpunëtor i afërt i tij. Bashkëpunimi në radhët e demokratëve mbërriti si jehonë politike deri në Kuzhnenin e largët. “Me Fan Nolin ka qenë gjithë fshati ynë se ne patëm një frat tonin At Ambroz Marlaskaj, i cili ishte me partinë e Nolit që quhej opozitë”, kujton vite më parë një bashkëkohës.
Mirëpo dhjetoriiI vitit 1924 do të sillte një dimër të dytë për shumë krerë intelektualë të opozitës, të cilët sëbashku me kryeministrin demokrat detyrohen të braktisin atdheun që ishte mbërthyer nga një dorë e fortë.
Marlaska emigron në Itali. Dhe pse i zhgënjyer nga rrokullima e ngjarjeve politike nuk tërhiqet nga jeta aktive e intelektualit. Punon si rektor universiteti në Romë, profesor në Paris e Luvër (Belgjikë) detyrë që kreu derisa mbylli sytë.
Nuk rresht asnjëherë punën shkencore. Të rëndësishme janë kontributet e tij, trashëgimi i një vargu veprash të botuara e në dorëshkrim: në filozofi (studimi “Mbi monizmin dhe materializmin” ), në histori “Historia e Pedagogjisë dhe Psikologjisë” , një përmbledhje e Historisë së Shqipërisë; shkrime të tjera, në gjuhësi (ka botuar gramatikë latine, një fjalor latin, studimin “Mbi ortografinë e sotme” ), në didaktikë (shumë shënime e artikuj).
Në Evropë Marlaskaj bën emër si pedagog i zoti, ku edhe e pat nisur si profesion, pa lënë mënjanë kontributin si mësues e drejtues në gjimnazin e njohur “Ilirikum” të Shkodrës. Bën emër dhe si dijetar në gjurmë të humanistëve të mëdhenj shqiptarë të Rilindjes Evropiane. i ngjashëm për nga fati me Gjon Gazullin, njeriun me shkëlqim të rrallë si pedagog e astronom, por jo pak me dorëshkrime të humbura apo të mbetura nëpër arkiva shtetesh Evropiane. Por jeta e At Ambrozit këputet shpejt e papritur në qershorin e vitit 1939 si të mos donte të shihte atdheun e tij të pushtuar. Nuk ishte veçse 54 vjeç.
Shtypi i kohës duke shënuar meritat e Marlaskës me rastin e vdekjes e quan “mjeshtër i breznive të reja me fjalë, shkrime e me shembull në ushtrimin e virtyteve ma të nalta fetare e atdhetare.
Gjon Kamsi po me atë rast boton në “Hylli i Dritës” një nekrologji me titullin “Patër Ambrozi” , e cila pasqyron ndjenjat me të cilat u prit në mjediset demokratike shqiptare vdekja e dhimbshme e atdhetarit të madh, që si “mësues rriti një djelmni n'idealet e shejnta t'Atdheut. Predikator i fuqishëm, pat fjalën e rrjedhët e bindshme. Prekte e ngjiste fjala e tij…luftëtar me t'vetmen armë të drejtit, atdhetar i kulluet. Për këto virtyte të rralla, mirditas i asaj Mirdite që nëpër kohë të zeza mbet forcojme lirije për tokën shqiptare… s'kish shqiptar që s'e njifte… si atlet bese e atdhetarie”.
Kur të zbulohet e plotë figura e Marlaskës e të shpalohet në botime vepra e tij, brezat e sotëm kanë për të ndjerë se ka edhe një simbol më shumë në luftën për demokraci. Ende në Kuzhnen bien kumborët e kishës që ai ua pati dërguar vëllezërve të tij besimtar nga Roma. Dhe më shumë do të bien nesër ato kumbonë relike.
“Yllësia” françeskane shqiptare nuk mund të kuptohet pa këtë bir të maleve të Epërme që diti të kumbonte e ligjëronte për të, si për njerëzit e tij të vendlindjes që rropateshin në jetën e tyre të vështirë mes shkrepash, ashtu dhe për studentët e qytetëruar të Evropës. Ndaj nuk është e lehtë të “mblidhet” Marlaskaj… sepse duhet kërkuar gjithëkund edhe atje ku deri tash nuk e dimë se është. |