Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net

TITUJT E GAZETËS

  Faqe Kryesore

  Editorial-M. Graf

 Apel politikës

  Problemore-autostrada

 Veprimtari artistike

  Politikë

  Ekonomi

  Personazh-Mark Tirta

  Kronika

 Aktuale

  Ekskluzive

  Biznes

  Kritikë-botime

 

 

 

 

 

  

  Faqe Kryesore


KËRKIM

 

 

Kisha Katolike : jo pushtet për të shtypur të tjerët

-Memorandum i Ipeshkvinjëve të Kishës Katolike në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve politike në Shqipëri -

TIRANË. Afrimi i zgjedhjeve politike na shtyn të bëjmë publikisht një reflektim të shkurtër mbi domethënjen e politikës dhe mbi nevojën e pjesëmarrjes nga ana e të gjithë qytetarëve në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, në të cilën, e mira e përbashkët duhet të jetë me të vërtetë qëllimi i çdo përpjekjeje dhe veprimi.Duke vlerësuar hapat pozitive në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendin tonë vërejmë se duhet të angazhohemi edhe më tepër për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të denjë për qyetetarët tonë.

Mirëpo, me shumë keqardhje, vemë re se:

-Së tepërmi është rritur hendeku mes atyre që janë pasuruar tepër, shpeshherë padrejtësisht, dhe atyre që nuk arrijnë të sigurojnë as minimumin jetik. -Janë të shumtë ata, sidomos të rinjtë, që kanë humbur shpresat se mund të jetojnë denjësisht në vendin tonë. Shumë nuk besojnë se këtu do të gjejnë një realitet, ku mund të zhvillojnë aftësinë e tyre dhe të gjejnë kushtet e përshtatshme për një të ardhme më të sigurt, për këtë vazhdojnë të largohen në vende të tjera. -Problemet sociale dhe mospërballimi i varfërisë, duket se vijnë duke u shtuar dita ditës: përhapja gjithnjë e më e madhe e drogës dhe e prostitucionit, ashtu si edhe shtimi i vetvrasjeve në të gjitha grupmoshat, janë simptom i kësaj situate. Duam të përkujtojmë fjalët e ish-Arqipeshkvit të Londrës, Kardinali Basil Hume: “Kur një shoqëri shikon veten në pasqyrë dhe nuk kënaqet me atë që sheh, ose i ngre supet dhe ik, ose ndalet e mendon”. Ky është apeli që duam t'i drejtojmë popullit tonë me rastin e këtyre zgjedhjeve: të reflektojmë mbi gjëndjen e tanishme të shoqërisë sonë dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë. Angazhimi për krijimin e një bashkëjetese më të mirë civile na përfshin të gjithëve dhe asnjë nuk mund t'i shmanget përgjegjësive të veta. Njëra prej mënyrave të pjesëmarrjes në përmirësimin e shoqërisë është vota për zgjedhjen e përfaqësuesve në Parlament, votë që duhet të jetë e lirë dhe përsonale . Me rastin e këtyre zgjedhjeve duam t'i kujtojmë të gjithë kandidatët se:

-Ata kanë për detyrë të nxisin parësinë e dinjitetit të çdo personi dhe promovimin e të mirës së përbashkët. Pra, ata janë përgjegjës për krijimin e kushteve që mundësojnë një jetë më të mirë për të gjithë dhe që u kthen shpresën të rinjve tanë për t'iu mundësuar të ardhmen në vendlindje. -Ata nuk duhet të mbrojnë vetëm interesat e grupimit politik, të klanit apo krahinës se tyre, aq më pak nuk duhet ta përdorin pushtetin për fitime personale. -Duhet të angazhohen seriozisht për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi drejtësi dhe respekt duke mbrojtur më të dobtit dhe duke ruajtur të drejtat e njeriut si vlerë të paçmuar. -Duke kujtuar edhe fjalët e Jacques Delors-it: “Duhet t'i japim shpirt Europës”, duhet të angazhohen për të forcuar themelet etike të shoqërisë, në mënyrë që të respektohet më shumë dinjiteti i pazëvendësueshëm i personit njerëzor, në kundërshtim me kulturën e vetvrasjes, e trafikut njerëzor, e abortit, etj. Jezu Krishti na ka mësuar se kush ka pushtet nuk duhet ta përdorë atë për të shtypur të tjerët, por për t'u shërbyer të tjerëve. Papa Benedikti XI në homelinë e Meshës së fillimit të pontifikatit të Tij ka theksuar se “nuk është pushteti që shpërblen dhe shpëton, por dashuria”. Dhe Papa Gjon Pali II, në Letrën Apostolike me të cilën shpalli shën Toams More Pajtor të Qeveritarëve dhe të Politikanëve, na kujtoj se politika nuk mund të jetë e ndarë nga morali. Përfundojmë duke nxitur të gjithë qytetarët të përdorin këtë të drejtë të marrin pjesë në votimet, e cila është një detyrë, duke patur parasysh jo interesin vetiak, por të mirën e përbashkët të atdheut tonë.

K.I.SH (Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare) - Tiranë më 10 Maji 2005

 

Mesha e shenjtë për 30 ditëshin e Papës

Qindra besimtarë katolikë, si asnjëherë tjetër kanë tejmbushur sallën e madhe të Katedrales së Rrëshenit për të përkujtuar Atin e shenjtë Papa Gjon Pal i II në ditën e 30-të ndarjes së tij nga jeta. Besimtarë të shumtë nga Mirdita, Mati, Lezha, Laçi e madje nga Tirana i janë përgjigjur thirrjes së administratorit apostolik të dioqezës së Rrëshenit, atë Cristoforo Palmieri për të përkujtuar Atin e Shenjtë në këtë ditë. Nga ana e tij administratori apostolik ka falenderuar të pranishmit për përcjelljen me dinjitet të ngjarjes më të rëndësishme për komunitetin katolik botëror . Ai vuri në dukje se komuniteti katolik mirditor i ka bërë një përcjellje të denjë jo vetëm momentit të agonisë së Papës, por edhe ceremonisë mortore të tij. Gjatë atyre ditëve janë mbajtur mesha të shumta përshpirtjeje dhe lutjesh, për kët idhull të mijëra katolikëve të botës. Mesha e shenjtë ka vijuar për rreth një orë. Më pas është kaluar në një koncert me muzikë klasike ekzekutuar nga një grup muzikantësh të ardhur nga Tirana. Në përbërje të këtij grupi ishin 4 violiniste dhe një violinciel, ndërsa tenori Ogert Islami ka përcjellur përmes zërit të tij një himn për ekuaristinë. I gjithë aktiviteti muzikor kishte si qëllim që besimtarët të meditojnë për Papën, për dashurinë e tij, dëshirat e tij të thella, ndonjë mësim të tij të përsëritshëm dhe akoma më urgjent. Gjatë koncertit simfonik janë lexuar disa thënie të Papës në evenimente të ndryshme kishtare. Njëra prej thirrjeve më të rëndësishme të Atit të Shënjtë ka qënë “Mos kini frikë! Hapini pra dyert Krishtit! Pushtetit shpëtimtar të tij. Hapni kufinjtë e shtetit, sistemet ekonomike ashtu si edhe ato politike, hapësirën e fushës së kulturës, të civilizimit, të zhvillimit. Mos keni frikë! Krishti e di “çfar është brënda Njeriut”. Vetëm ai e di!

A.Ndoja

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net