Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
   

Ju jeni: Deri kur do të lejojnë shqiptarët të shahet Kadareja ?

TEMAT

 Mbijetesa hebraike, besa  

 Ora e kapedanëve trokiti  

 Deri kur do shahet Kadare 

 H. Lanksch për Kadarenë 

 Kultura dhe integrimet 

  


  


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

            

 

Deri kur do të lejojnë shqiptarët të shahet Kadareja?
LETËR E HAPUR NJËFARË STEPHEN SCHWARTZ-it Ose: deri kur do të lejojnë shqiptarët të shahet Kadareja?

-Shkruan: Arif Kutleshi, Graz, Austri

Vjen njeriu nga skaji tjetër i botës dhe na pështyn në fytyrë. Më fal njeri i mirë se ndoshta të hargjova me atë pështymë që të nxora nga barku. Po ti e di, unë jam shqiptar, që domethënë jam mikpritës, shtëpia ime më përpara është jotja, pastaj e zotit, e tek në fund, imja. Nëse sa rrije përjashtë, në një cep të Rruzullit, mund të ishe i paknaqur se nuk të sajdisnin siç duhet, tashti po, hyre në Udhën me Besë të Shqiptarit, ja letra: më pështyj në fytyrë, ma bëj fytyren karikaturë; ja kamera televizive: fol, ville gjithë vrerin që ke përbrenda, më trego Yllin Polar, më Trego Udhën Qumështore, se jo unë për veten por ti je i gjithëdijshmi për mua, ti i di përmasat e mia, ti i di dhuntitë dhe vlerat e mia, oh jo, jo unë.  Zbrazu or mik, shkruaj paçavra, shkarravit, vrero, na shaj, se ne të duam, të duam tragjikisht të duam siç nuk e kemi dashur askend asnjëherë askund. Ke emër gjerman po s´je gjerman, je amerikan po s´je i krishterë, e do hebraizmin po shitesh me islamin. Fillimin e botës, e kishe në Amerikë, po qendren e zbulove në Shkodër. Ishe këngëtar, u more me artet po s'u bëre artist, sepse të jesh artist duhet të jesh njeri që nuk pështyn aty ku ha, nuk përmjerr aty ku lutesh, aty ku qet lulen e ballit. Të përzunë diku në një Planet Tjetër? Të dhanë dajak se ia nxore bishtin me dredhira? Aniçka, ja Toka e Shkretë e shkretanave, a e sheh se je mërzitur kot kaq vjet duke u endur  Rrahut  të civilizimit, qe tashti e gjete Hisen Tënde të Diellit, e gjete Kontinentin Tënd Të Lumturisë, e ngule edhe Gurin. Simbas një Ligji Tonë të Pashkruar por ne themi të Kodifikuar (e ti do thuash: a ka kode pa shkrim, po ja që ne ta themi se ka!) ´Guri peshon rëndë në vend të vet´! Madje, disa prej tanëve që kinse kuptojnë diçka nga metaforat besojnë edhe në dofarë rrënjësh të gurit, tamam në rrënjë të tilla të lëshuara në thellësi të nënës-tokë. A i sheh rrënjtë tua, që sapo mbyll sytë i turren dheut ilirikë e të bëjnë kaq të fortë, kaq të patundur, kaq të gjithdijshëm? Prandaj, edhe na mëson e na mëshon fytyrës e turinjve tanë mëngjes e mbrëmje. A i sheh se si turren para trupit tënd vigan mikpritësit e tu të mjerë?
A e sheh se si ta marrin fjalën nga goja (goja e artë fjala e artë!) se si ta përcjellin tutje nëpër çdo shtëpi nëpër çdo gazetë nëpër çdo ndejë xhuxhat tanë të artit, të kulturës, të shkencës të publicistikës! Ne kështu kemi qenë gjithmonë betohem në të dy Drinat! Betohem në Ujvarën e Niagarës! Në Besëlidhjen Tënde të Vjetër, në Besëlidhjen e Re, në Kur´anin, tënd.  Se një njeri-trini rrallë të bjen të takosh si ty, pra pse mos ta themi, ti je vetë Ati ynë, ti je vetë Biri Ynë, ti je vetë Shpirti Ynë!Po ti erdhe vonë në jetë, e edhe më vonë të shkeli këmba këtu. Po më mirë vonë se kurrë! Thënë ndryshe: ti erdhe tamam për festë! Ti erdhe për të korrat! Ne sapo kemi nxjerrë verën mbi tryezë! Sapo kemi zier sherbetin. Hallven. Tambëlborën. Grurin e zier. Hirrën. Qervishin... Ka kohë që kanë filluar përgaditjet, janë therrur të gjitha shtazët e buta dhe të egra, kemi arritur të sigurojmë mes tjerash edhe deve nga beduinët, por edhe kengurët e aborixhinve. Na gjete pra, tamam për Drekën e Lamës! Tamam në Hanën e Re të Përhanieve Tona! Kemi filluar i madh e i vogël një fushatë të sharjeve, të nxirjeve, të sulmeve, të shtyrjeve e të pështyrjeve, me një fjalë të një barkqitjeje të paparë, të çmendur, të pezmatuar, me pëzierje zorrësh, me thyerje eshtrash (´fjala thyen eshtra´) kundër njëri-tjetrit, po sapo lodhemi ne të gjithë të tjerët nga kjo Waterlloo Shqiptare, sakaq kujtohemi, se fajin, o jo fajin, por kryefajin aman, e ka kush tjetër përveç atij të mallkuarit Ismail Kadare! Ti tashmë prej se të doli strumbullari në Shkodër, e di edhe më mirë, se ne ishim mallkimi i botës, pezmatimi i plagës, shpella e lakuriqve, hisja e tepruar e Krijuesit. Freskun, edhe vesen, edhe rrasat e moçme nën dhé, edhe detin, edhe zjarrin, edhe bukën, na e donin, por pa ne! Ne kërkonim e lidhnim aleanca, ne u shkonim në ndihmë aleatve, ne vaditnim dhe plehëronim tokën tonë po më shumë të huajen, me gjakun e me eshrat tanë, por ne ishim fillikat. Ne ishim kurrkush tjetër, pos Qyqja. Ne ishim Krimbi në Lis. Ne ishim Kukuvajka. Ku ku ku ku ku ku. Një pjesë e jona nga të gjithë kufinjtë (se ti e di, ne kemi shumë kufinj!) ende s´e ndalë gjamën e vajtimin nëpër dhera të huaja. Por ne jemi qyqarë, ne jemi frikacakë, anipse, siç thashë, përnjëmend kemi mbjellë Globin me eshtra, e as që na vete mendja t´i pështyjmë mikpritësit tanë. Ka prej nesh që xhezdisim një gjysmë shekulli poshtë e përpjetë Globit Tokësor, kemi ndërruar njësoj si ti tri katër fe e kultura, kemi mësuar e botuar edhe libra në gjuhët e këtyre vendeve, por që të shajmë, që të derdhim krejt tëlanat e barkut mbi ndonjë personalitet të akcilit vend, e kulturë,  jo nuk na e mban. E di, ti thua të provojmë, të konvertohemi siç u konvertove ti, shtyve njërën e more tjetrën, ta vëjmë dikend në shenjë siç ke vënë ti Kadarenë tonë, ta degdisim për në varr, para kohe. Ja po ta them, ndoshta edhe kemi provuar ndonjëherë, por ç'fitim kemi pasur nga ky yrysh, më mirë të them, ç'dajak kemi ngrënë se, anipse, skëndërbegasit ishim ne - jo ata! Vetëm tashti vonë, këtyre ditëve kur fushata edhe e shtihanave si miq të Kadaresë, kundër Tij, sa vjen e merr zjarr, kuptoj, sado që nuk kam dashur kurrë të besoj, se ´qeni i keq, e bie ujkun në torishtë!´Ti tashti e ke mësuar shqipen, ndjehesh shqiptar, madje shqiptar me gur të ngulur në Shkodër, flet e pret për gjakun e për gjinin. Nuk je i vetëm, nuk je i vetmuar, përkundrazi. O sa zili që ta kam! O sikur të kishim ne vetëm çerekun e ndihmësve që ke ti tashti në shqipta-zi! Por jo jo, ne ishim të vetëm, ne ishim të vetmuar. Kurrë s´na doli kush i gjallë nga vendësit në ndihmë! Oh, ç'farë mallkimi! Ti shan ashiqare si një rrugaç i rrugëve personalitetin tonë të letrave, të kulturës, ti shan në pikë të ditës krejt rrahagjoksash institucionin tonë, se Kadareja është institucion, ti përbaltë shtetin tonë, se Kadareja është shteti ynë (mund të pajtohemi të dy, ne s´kemi tjetër shtet!) ti përmjerr kulturën tonë, se Kadareja është kultura jonë, është Antologjia jonë, është Emancipimi ynë. Ne s'kemi tjetër, të këtij dimensioni, të këtyre përmasave, përveç Kadaresë, e ti na e përbaltë. Në sofrën tonë, në bukën tonë, në zjarrin tonë. E shoh, se ke në dorë disa karta, po i ke krejtësisht të djegura, s´ke pse i mban në dorë. Kamxhikun e çifutëve a të hebrenjve nuk mund të na e tregosh ne shqiptarëve, dhe ne e dimë të dy, pse. Ishte e njëjta bukë shqiptare që ti nga marrosja ha e pështyn sot, e cila i mbrojti nga zhbërja njerëzit e gjakut tënd, jo fort moti. Dhe në fund, lusim zotërinë tënde, ktheje pështymën mbrapa aty prej nga e nxjerr qe sa kohë kunder Kadaresë, u thuaj edhe ndihmësve tu shqiptarë që fryjnë, të vetëdijsoheni më në fund, ta ktheni këtë urrejtje në punë kreative, e konstruktive.   

A.Kutleshi

Të lidhura me këtë temë :

Kadare, i adhuruar nga të huajt, i anatemuar nga shqiptarët -nga Gjergj Marku                                                                    

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net