PSE NUK DUHET TE KETË FESTË TË Ç/LIRIMIT
-nga Saimir Lolja
U bënë 15 vite që mbahet gjallë grindja midis njerëzve nëse dita e festës së ç/lirimit do jetë 28 apo 29 Nëndori. Përçarja e grindja shtrihet që nga dy shqiptarë të kudondodhur në botë që diskutojnë për këtë “datë” e deri tek majat politike të shtetit zyrtar shqiptar. Vetëm fakti që kjo festë qeveritare (Jo kombëtare, Jo e përbashkët, Jo e të gjithëve) sjell vetëm perçarje e grindje dhe aspak bashkim e respekt njerëzor, nënkupton që ajo “datë” s'duhet të festohet. Më poshtë do shtjellohen arësye të tjera pse nuk duhet të ketë një festë tillë. Ç'do të thotë nacional-çlirimtare? Domethënë kombi shqiptar i liruar rrënjësisht nga pushtuesit (d.m.th. i çliruar). Por kombi shqiptar nuk mbaron tek Ura e Shirokës në Shkodër?! Duket se rolet e "aktorëve” politikanë janë ndarë si më poshtë: “ato që quhen më të majtë” thonë që nazistët e kaluan urën më 29 Nëntor 1944 në 00:15 të natës/mëngjez; “ato që quhen të djathtë” thonë që e kaluan urën më 28 Nëntor 1944 në 11:45 natën! Kush kaloi urën dhe kush pa kushët?! Dokumentat e dorëzuara nga gjermanët në Ministrinë Mbrojtjes së Shqipërisë zyrtare tregojnë se forcat naziste ishin aty edhe më tej se 29 Nëndori dhe kur ikën në Dhjetor ikën sipas planit të tyre. Po ashtu nevojitet të hidhet vështrimi edhe në vendet e tjera të planetit Tokë që u përfshinë në Luftën e II Botërore (jo luftën kombëtare-çlirimtare siç propagandohet akoma në Shqipërinë zyrtare) nëse festojnë apo jo ndonjë ditë të tillë “të Çlirimit”. Bie fjala, Bashkimi bolshevik Sovjetik humbi 26 milion njerëz në Luftën e Dytë Botërore dhe i takonte atij në rradhë të parë të festonte një festë të tillë; por ai NUK pati apo ka festë të tillë! Egziston dhe festohet nga të gjithë 9 Maji si dita e fitores kundër fashizmit dhe vendet e ndryshme kanë data të ndryshme në përkujtim të atyre që kanë humbur jetën nëpër luftëra; shumë e thjeshtë dhe shumë thjesht. Mos festimi i “Ditës së ç/lirimit” nuk do te thotë që të mos respektohen ato që luftuan për Shqipëri në të gjitha kohërat apo dëshmorët e rënë dhe të plagosurit deri në Vishegrad. Si kudo, për një respekt madhor e qytetar ndaj të Rënëve në luftra egziston një ditë e quajtur Dita e të Rënëve në Luftë. Një gjë e tillë akoma po mungon në Shqipërinë zyrtare. Të rënët ndër luftëra, pavarësisht se në cilin “anë” kanë qenë, i ka marrë me vete rryma e luftës e cila nuk përcaktohet nga individi; ato kanë qenë njerës me të drejtën natyrore për të jetuar, prandaj edhe duhen përkujtuar. Ç'do të thotë pushtues? Përgjigjen e jep historia e shkuar që nga fillimi i 1945: dërgimi jashtë Shqipërisë i pasurive kombëtare, pushtimi i tokave, prishja e raporteve dhe vendndodhjeve shoqërore, rrethimi me tela me gjemba i Shqipërisë, grabitja e pronësive e pasurive të tundshme dhe të patundshme sipas një plani të paramenduar me etapa për zhdukjen e pronësisë private biles edhe në mendjen e njerëzve. Si pasqyrë, këtu përmendet një citim nga Memorandumi famëkeq i akademikut serb Çubriloviç mbajtur më 1937: “…por më e keqja akoma, është të mësuarit e Shqiptarëve me idetë Europiane perendimore të pronës private....”. Pa lënë mënjëanë këtu humbjen e plotë të lirisë, zbatimin mizor të “luftës së klasave”, persekutimet masive të njerëzve, humbjen e të drejtave, internimet, burgosjet e pushkatimet. S'mund te jetë festë mbarëkombëtare dhe e përbashkët një festim qeveritar që përmban në vetvete luftën midis shqiptarëve (ka vend këtu për mburrje?!), e cila filloi me tradhëtinë më të madhe kombëtare: prishjen tragjike të Marrëveshjes së Mukjes dhe Kuvendit të Bujanit nën udhëzimin e drejtpërdrejtë të emisarëve komunistë bizantinë që themeluan PKSH?! Data 29 Nëntor u bë festë e Shqipërisë zyrtare që të përkonte në të njëjtën ditë me festën ndërkombëtare të Jugosllavisë, e cila e përkujtonte 29 Nëntorin e vitit 1943, datën kur u mbajt në Jajcë Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), si datë e shënuar kur u hodhën themelet organizative të shtetit titist barazitist (communist, në anglisht). Vendimet e AVNOJ-it u imituan pas disa muajsh më 24 Maj 1944 në Kongresin e Përmetit. Qëllimisht u propagandua me të madhe kjo datë kundrejt datës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë së Vërtetë dhe historia para 8 Nëndor 1941 u venit fare apo u quajt e keqe. S'mund të festohet një ditë nga e cila rrodhën tradhëtitë ndaj shqiptarëve në ish-kërmën-Jugosllavi (p.sh. çarmatimi shqiptarëve të Kosovës gjate kthimit nga Vishegradi, masakra e Tivarit, etj.) dhe mbyllja e çeshtjes Çame duke i bëri qytetarë të Shqipërisë zyrtare çamët e përzënë nga grekërit. S'mund të festohet një ditë që shënon fillimin e diktaturës absolute, prishjen e burimeve natyrore, futjen e njerëzve për të banuar nëpër kapanone me kate, prishjen e qyteteve dhe trashëgimisë qytetare, ngirtjen pa të ardhme të ndërtimeve të reja; dhe fillimin e gënjeshtrës (një pesëvjeçar pune ishte një hap drejt parajsës, e cila ishte të paktën 1 km larg), duke filluar me lugët e florinjta më 1945 apo me çekun e bardhë më 1991 me ardhjen në pushtet të komunistëve të rinj. S'mund të quhet festë një ditë që shënon fillimin e shkatërrimit sistematik të trashëgimisë krijuese, shkollore dhe profesionale shqiptar me nivel botëror. Dhe njëkohesisht fillimin e thellimit tragjik të sëmundjes shoqërore të mendësisë së turmës, të barazisë së domosdoshme (communism, në anglisht) në mëndje, pasojat e së cilës vazhdojnë ta dëmtojnë dhunshëm shoqërinë dhe Shqipërinë edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga “kthesa”.
(Shënim: Opinionet janë të studiuesit dhe jo domosdoshmërisht përputhen me ato të MirditaOnline) |